Jul 12 - 2023
Për tu bërë pjesë e punëtorive mund të APLIKONI KËTU ose duke plotesuar formën më poshtë. Pjesëmarrja në punëtori është falas.
Kriteret
- E/i ri nga diaspora;
- Mosha 18-35 vjeç;
- Dëshira për të mësuar një zeje tradicionale;
- Forma e aplikimit e plotësuar.
Në rast të problemeve teknike me Formën e Aplikimit - shpreh interesimin për një apo tre punëtoritë përmes email në [email protected] apo faqes tonë të Facebook.
Inkurajohet aplikimi i grave dhe grupeve të margjinalizuara.
Mësoni me shumë rreth punëtorive:
Mjeshtëria e përpunimit të pijeve alkoolike tradicionale përfshin një kombinim të njohurive të trashëguara ndër breza, të mishëruar me dashurinë ndaj bimëve dhe frutave që natyra e vendit na ofron.
Kjo punëtori përvec se do të na mësoj nga afër procesin e destilimit dhe prodhimit të pijeve alkoolike tradicionale, do të na ndihmojë të mësojmë të çmojmë gjithçka që rritet tek ne.
Zejtari
Për ilirët e lashtë Vidasus ishte perëndi e pyjeve dhe e natyrës, e cila paraqitej si gjysmë-dhi e gjysmë-njeri dhe adhurohej në kohën kur ripërtërihej bimësia në pranverë. Ali Alijaj, nga Nivokazi i Gjakovës, zgjodhi të kthehej nga Gjermania dhe të themelojë në fshatin e tij të lindjes distilerinë “Vidasus”, të frymëzuar nga një lidhje e thellë mitike me bimësinë e pasur të trevës së Dukagjinit. Hapësirat ku sot praktikon këtë zanat, janë ambient i përshtatshëm ku mund të mësohet për procesin e prodhimit të produkteve “Vidasus” nëpërmjet fazave të ndryshme, që nga mbledhja, tharrja e frutave, kombinimi i erëzve, e deri tek servimi i produkteve në tavolinat tona.
Data dhe lokacioni
Data: 01.08.2023
Koha: 10:00 – 16:00
Lokacioni: Fshati Nivokaz, Komuna e Gjakovë
Qeleshepunsit ishin zejtarë të popullarizuar nëpër të gjitha çarshitë e vendit tonë, sepse qeleshja-plisi ishte pjesë përbërëse e veshjes popullore shqiptare dhe për lashtësinë e këtij kapuçi të bardhë flitet qysh moti.
Nga sigurimi i leshit, matja e tij, shprishja, pastrimi, ngjeshja, tharja dhe deri të vendosja në kallëp, janë një sërë procedurash dhe mjeshtërish për tu mësuar. Kjo punëtori do të jetë mundësi e mirë për të përvetësuar këtë zanat të vjetër që prodhon një produkt simbol, që thuhet të datojë nga kohë të hershme ilire.
Zejtari
Afrim Lataj, i cili ka mbi disa dekada që “bashkëjeton” me zanatin e plisaxhiut, vazhdon të punoj plisa duke mbajtur të gjallë këtë zeje dikur mjaftë të përhapur në qyetin e Pejës.
Data dhe lokacioni
Data: 03.08.2023
Koha: 10:00 – 16:00
Lokacioni: Çarshia e gjatë, Komuna e Pejës
Veshjet tradicionale vishen për të shfaqur identitetin kombëtar apo kulturor. Ato përfaqësojnë herë një komb të tërë, e herë një zonë të vogël rajonale. Kostumet tradicionale janë po aq të ndryshme nëpër botë, sa janë dhe vetë njerëzit që i bartin ato. Jeleku, dallama, kollani, janë disa prej elementeve të veshjeve tradicionale tona të trashëguara ndër shekuj.
Dikur, të shumta ishin gratë të cilat punonin me vek në shtëpitë e tyre. Ato qëndisnin, qepnin, thurrnin dhe prodhonin veshje kombëtare. Për punimin e tyre, përdorej leshi, pambuku dhe mëndafshi. Gjatë punëtorisë, pjesëmarrësit do të kenë mundësi që për së afërmi të njoftohen dhe të aplikojnë këtë praktikë.
Zejtarja
72 vjecarja Nifë Latifaj, është ajo që në Carrabreg të Deçanit po ripërtërin traditën e punimit të veshjeve tradicionale të zonës së Dukagjinit. Me shumë vite përvojë në punimin e veshjeve popullore ajo ka qepur qindra kostume të tilla gjatë gjithë jetës së saj. Punëtoria që do të drejtoj ajo është hapësirë e dijes së trashëguar nga parardhësit dhe mundësi për krijime të reja
Data dhe lokacioni
Data: 07.08.2023
Koha: 10:00 – 16:00
Lokacioni: Fshati Carrabreg, Komuna e Deçanit
Mjetet e nevojshme
Të gjitha pasjisjet dhe mjetet që ju duhen për realizimin e aktivitetet do të sigurohen nga organizatorët.