Apr 19 - 2019
Edukimi përmes vizitave në lokalitete të trashëgimisë kulturore.
Për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Lokaliteteve, 120 nxënës të grup moshave të ndryshme nga komunitetet Rom, Ashkali, Egjiptian, Turk, Serb dhe Shqiptar ishin pjesë e vizitës një ditore në Manastirin e Deçanit, Xhaminë e Sinan Pashës në Prizren dhe në Parkun Arkeologjik Ulpiana.
Qëllimi i kësaj vizite të organizuar me shumë përkushtim ishte vetëdijësimi për diversitetin e trashigimisë kulturore dhe rëndësia e mbrojtjes së saj.
Vizita edukuese nisi në Manastirin e Deçanit ku At Petar shpalosi detaje rreth historisë së ndërtimit të këtij monumenti, historisë sociale të saj dhe mënyrës së funksionimit sot.
Nga Deçani, pastaj morrëm rrugën për në qytetin e bukur të Prizrenit, ku u takuam me Nora Arapin – Arkitekte nga ky qytet. Bashkë me Norën, nxënësit vizituan Xhaminë e vjetër të Sinan Pashës të ndodhur në zemër të qytetit. Të mahnitur nga historia e kësaj Xhamie, nxënësit për një orë rresht shtruan pyetje të ndryshme rreth funksionimit të saj sot. Disa prej tyre edhe sfiduan guiden me pyetje kritike duke u interesuar për interaksionin e botës moderne me këto monumente, siç ishte pyetja e një 16 vjeçari nga Parteshi “si ka ndikuar zhvillimi i teknologjisë në funksionimin e Xhamive sot”?
Lokaliteti i tretë dhe i fundit që nxënësit e njoftuan gjatë kësaj vizite edukuese ishte Parku Arkeologjik Ulpiana me guiden Zana Rama- Arkeologe nga Kosova. Ajo përveç se informoi nxënësit për historinë e këtij parku, u foli atyre edhe për planet dhe investimet që priten të bëhen së shpejti në këtë park.
Edukimi përmes vizitave në monumente dhe lokalitete të trashigimisë kulturore tek gjeneratat e reja është i rëndësishëm sidomos në njoftimin e të rinjëve me vlerat e shumëfishta të historisë dhe trashigimisë kulturore, e cila si rrjedhojë do të ndikoj në vetëdijsimin për rëndësinë e ruajtjes së këtyre monumenteve dhe lënien e këtyre vlerave tek gjeneratat e ardhshme.
Përfshirja e nxënësve të etnive dhe religjioneve të ndryshme në këtë vizitë, krijon mundësi për njoftim me një kulturë diverse të përbashkët e cila më pastaj zhvillon ndjenjën e përkatësisë së përbashkët dhe përforcon kohezionin shoqëror.