Mar 07 - 2019
Të enjten, më 17 janar, CHwB kishte kënaqësinë të presë në Kalanë dhe Hamamin e Vushtrrisë ambasadoren e SHBA-ve në Prishtinë, Znj. Tracey Jacobson, ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Z. Memli Krasniqi si dhe kryetarin e Komunës së Vushtrrisë, Z. Bajram Mulakun.
CHwB-ja është aktualisht duke zbatuar projektet “Ruajtja dhe mbrojtja e Kalasë së Vushtrrisë” dhe “Konservimi dhe restaurimi i Hamamit në Vushtrrisë” përmes mjeteve të ‘Fondit të Ambasadorëve të SHBA-ve’ për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore
Të dyja projektet janë duke u realizuar me synimin kryesor të ripërdorimit të këtyre dy ndërtesave , ku edhe komuniteti lokal do të përfitojë në aspektin social dhe ekonomik. Të dyja projektet janë duke u realizuar nga CHwB-ja në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe me Komunën e Vushtrrisë.
Sekretarja e përgjithshme e CHwB-së, znj. Margareta Husen, ka shprehur, në emër të CHwB-së, vlerësimin e partneritetit me Ministrinë e Kulturës, Komunës së Vushtrrisë dhe Ambasadës Amerikane. “Të gjithë ne jemi duke punuar së bashku në një sektor të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore. Trashëgimia kulturore është një burim i shkëlqyer për forcimin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut, pajtimit dhe të zhvillimit socio-ekonomik. Trashëgimia kulturore është gjithashtu një e drejtë në vetvete. Sot, këtu në Vushtrri, ne kemi parë shembuj shumë të mirë të trashëgimisë kulturore si model për një zhvillim të qëndrueshëm lokal me pjesëmarrjen e komunës dhe të komunitetit që i rrethon si dhe në krijimin e vendeve të punës. CHwB-ja është aktive në të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe derisa po qëndrojmë këtu në Hamamin e Vushtrrisë, unë shoh gjithashtu mundësitë e lidhjes së hamameve të vendeve të ndryshme me njëri-tjetrin. CHwB-ja është gjithashtu duke punuar në dy hamame në Shqipëri, përkatësisht në Gjirokastër dhe në Krujë. Do të ishte me siguri e dobishme për të shkëmbyer idetë midis këtyre hamameve si dhe për të mësuar nga njëri-tjetri për qëllime të ruajtjes dhe revitalizimit të tyre”, tha znj. Margareta Husen.
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, znj. Tracey Jacobson, theksoi se shteti i saj është krenar dhe shumë i përkushtuar që të ndihmojë në projekte të tilla në Kosovë. “Është një Hamam shumë i bukur. Ne ishim edhe në Kala, dhe, për pesë muaj sa jam në Kosovë, kam parë se ky vend është shumë i pasur me trashëgimi kulturore. Me ndihmën e popullit në përgjithësi, dhe të gjitha grupeve etnike, ne duhet të punojmë së bashku për mbrojtjen e të gjitha monumenteve. E di se projekti përkatës është pak a shumë i vështirë dhe një punë e brishtë, por suksesi nuk do të mungojë. Do të ketë nevojë për një bashkëpunim shumë të mirë nga Komuna, Ministria e Kulturës, Trashëgimia Kulturore pa Kufij (CHwB-së), nga Ambasada, dhe pres me padurim të shoh përfundimin me sukses të këtij projekti”.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), z. Krasniqi theksoi se trashëgimia kulturore ka qenë dhe do të mbetet prioriteti qendror i kësaj ministrie. Ai përgëzoi CHwB-në për realizimin e këtyre dy projekteve dhe punën e tyre profesionale të zhvilluar deri më tani. Ndër të tjera, Z. Krasniqi theksoi se “Me mbështetjen dhe punën që po bëhet, nga ekspertë si dhe me ekspertizën që po krijohet në Kosovë, veçanërisht nga brezat e rinj, ne në vitet në vijim do të arrijmë që jo vetëm të bëhemi konkurrent në rajon për sa i përket ruajtjes dhe prezantimit të trashëgimisë kulturore, por ne do të bëhemi një vend i cili do të jetë adresa kryesore e rajonit dhe Evropës Juglindore në kuadër të trashëgimisë kulturore”.