Mar 06 - 2019
Më 19 nëntor 2015, tek lokaliteti i ''Gllaviçicës'', në fshatin Budrigë e poshtme të Komunës së Parteshit, është mbajtur ceremonia e vënies së gurthemelit të objektit përcjellës të Visitatorium-it në kishën mesjetare tanimë të konservuar Shën Shpëtimi.
Lokaliteti arkeologjik ''Gllaviçica'' është lokalitet shumështresor me kultura të vendbanimit parahistorik nga Neoliti, kultura e Starçevës (5000 vjet p.e.s.) të cilën e zëvendësojnë mbetjet e vendbanimit nga koha e bronzit, përsëri i shkatërruar me themelimin e nekropolit mesjetar në shekullin e XIII dhe me ndërtimin e kishës Shën Shpëtimi në shekullin e XIV. Sot në lokalitet gjenden mbetjet e kishës Shën Shpëtimi me nekropolin e shekullit XIII-XVII.
Kjo kishë i takon kishave të vogla feudale të ndërtuara në pjesën e dytë të shekullit XIV. Gabaritet e mbetjeve të kishës janë të definuar me anë të hulumtimeve arkeologjike të realizuara në vitin 2012. Kjo kishë përpos vlerave arkeologjike ka rëndësinë e madhe për komunitetin lokal pasi që është trashëgimi e gjallë dhe sot ajo ende shfrytëzohet për rite fetare. Në vitin 2013 kjo kishë hyn në listën e përkohshme e trashëgimisë kulturore të MKRS me numrin rendor 003702. Projekti i konservimit të kishës së Shën Shpëtimit dhe Visitatorium-it është hartuar nga Komuna e Parteshit në partneritet me Kishën Ortodokse Serbe, Trashëgiminë Kulturore pa kufij (CHwB) dhe Institutin Arkeologjik të Kosovës pranë Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës (MKRS).
Dita e ceremonisë filloi me pritjen e kryetarit të Komunës së Parteshit, z.Dragan Nikolić i cili i mirëpriti mysafirët e shumtë të kësaj ceremonie. Në pjesën e parë, z.Enes Toska menagjer programi nga zyra e CHwB në Kosovë bëri prezantimin e procesit të Planit Lokal të Trashëgimisë Kulturore të Parteshit ku projekti i Konservimit të Kishës së Shën Shpëtimit është një nga prioritetet kryesore të këtij Plani.
Dita vazhdoi me vizitën në Kishën e Shpërfytyrimit të Shenjtë në Pasjan e cila është një nga kishat më karakteristike të kësaj ane. Ajo është ndërtuar mbi gërmadhat e një kishe më të vjetër dhe ka ikona të pasura në tërë sipërfaqen e kishës dhe që datojnë prej shek. XVII.
Fotot: Ambasada e Suedisë - Rina Musa
Dita u përmbyll me vizitë në Gllaviçicë ku punët konservuese në kishën mesjetare të Shën Shpëtimit janë në përfundim e sipër. Gjatë ceremonisë është bërë edhe vënia e gurthemelit të objektit përcjellës të Visitatoriumi-it i cili objekt do të shërbejë si qendër për pritje të vizitorëve dhe administratë për klerikun lokal. "Në zemër të bashkëqytetarëve tanë, Glaviçica ka një vend të veçantë dhe ajo nuk është një vend i mosmarrëveshjes veç është vend i unitetit. Ajo nxit tek ne vetëm pozitivitet dhe gëzim dhe paraqet një nga vendet më të shenjta të komunës sonë dhe më gjërë" mes tjerash u shpreh kryetari i komunës në fillim të ceremonisë. Fjalë rasti dhe falënderim për bashkëpunim patën edhe Göran Paulsson (konzull dhe udhëheqës i njësisë së bashkëpunimit për zhvillim nga Ambasada e Suedisë në Prishtinë), ati Dragan Kojić (Kisha Ordodokse Serbe), Sali Shoshi (drejtori i Trashëgimisë Kulturore pa kufij CHwB në Kosovë) dhe Arton Hoxha (drejtor i Qendrës Regjionale për Trashëgimi kulturore në Gjilan - MKRS).
[caption id="attachment_6034" align="alignnone" width="604"] Fotot: Ambasada e Suedisë - Rina Musa[/caption]
Nikoqiri i ceremonisë, z.Nikolić, në shenjë mirënjohje për të gjithë partnerët e projektit dhuroi nga një pikturë. Këto piktura janë prodhuar në kuadër kolonisë së artit të projektit “Etno Fest Glaviçica” që është zbatuar para dy muajsh dhe ka qenë një nga prioritete e Planit Lokal të Trashëgimisë Kulturore të Parteshit. Ceremonia u përmbyll me koktej dhe valle tradicionale lokale.
Projekti i Konservimit të Kishës së Shën Shpëtimit ka qenë një nga prioritetet e Planit Lokal të Trashëgimisë Kulturore të Parteshit. Ky plan është hartuar nga CHwB, Komuna e Parteshit dhe institucione tjera të nivelit qendror në kuadër të Programit të Planeve Lokale të Trashëgimisë Kulturore 2012-2015.