Sep 21 - 2012
Ngjarja “Mësimet nga Kosova – Në ç’mënyrë një shoqëri e dalë nga konflikti merret me planifikimin dhe trashëgiminë kulturore”, është mbajtur më 4 shtator 2012, ora 11:00-12:00 në Dhomën e Ndryshimit të Qytetit (City Changer Room) në Hapësirën e Ekspozimeve të Forumit Botëror Urban, Napoli, Itali.
Kjo ishte një ngjarje e përbashkët e organizuar nga Trashëgimia Kulturore pa Kufij (CHwB) dhe UN-HABITAT-i, programeve në Kosovë, me fokus në bashkëpunimin mes CHwB-së dhe UN-HABITAT-it, Zyrës në Kosovë, në mbështetjen komunave të Kosovës në planifikimin hapësinor dhe urban dhe shfrytëzimin e planeve në udhëheqjen e zhvillimit lokal, krijimin e rendit hapësinor, mbrojtjen e mjedisit dhe të trashëgimisë kulturore, zvogëlimin e rrezikut nga fatkeqësitë natyrore dhe ato të shkaktuara nga njeriu si dhe zbutjes së pasojave të tyre.
Fjalët mirëseardhëse të sesionit u paraqitën nga z. Sali Shoshi, drejtor i zyrës së CHwB-së në Kosovë, dhe Znj. Krystyna Galezia, Shefe e Zyrës, Programi i UN-HABITAT-it për Mbështetjen e Planifikimit Hapësinor Komunal në Kosovë (MuSPP). Të dy krerët kanë paraqitur një përshkrim të shkurtër të misionit të organizatave të tyre duke u fokusuar dhe në sinergjitë e tyre programore për një nismë dhe prezantim të përbashkët dhe të vetëm nga Kosova në një platformë të tillë botërore.
Prezantuesit nga UN-HABITAT-i z. Ishaku Maitumbi dhe znj. Rudina Qerimi janë përqendruar në katër tema të përzgjedhura nga fushat kryesore në të cilat është angazhuar Programi i Mbështetjes së Planifikimit Hapësinor Komunal, përfshirë këtu dhe: vizionimin si mjet planifikimi, planifikimi ‘përbrenda’, vlerësimi i rrezikut të fatkeqësive, menaxhimi dhe krijimi i hapësirave të strehimit.
Prezantimi u pasua me një tematikë specifike nga përfaqësuesi i CHwB-së, z. Enes Toska mbi gjendjen e trashëgimisë kulturore nga një kontekst post-konflikti sikurse është rritja urbane (e pakontrolluar), neglizhenca humane dhe lufta e fundit në Kosovë. Ky kontekst kosovar u pasua me shembuj konkret të gjendjes së përmirësuar në komunat ku CHwB ka vepruar këto 10 vite të fundit. Shembujt u shfaqën në mënyrë vizuale nëpërmjet projekteve të restaurimit dhe intervenimeve emergjente në objektet historike, konservimit të integruar në planifikim hapësinor – një qasje të cilën organizata e promovon vazhdimisht, projekte të ndryshme të vetëdijesimit dhe edukimit; projekteve të zhvillimit lokal përmes trashëgimisë kulturore, projekteve të shërbimit shtrat-mëngjes në objekte tradicionale, promovimin e diversitetit kulturor, promovimin e turizmit kulturor si dhe forcimin e rolit të femrës në shoqërinë kosovare.
Në çdo sesion të prezantimit, referuesit u përqendruan sidomos në projektet dhe sinergjitë e përbashkëta të dy organizatave përfaqësuese. Pjesë integrale e prezantimit ishin edhe pyetjet dhe diskutimi nga një audiencë me afërsisht 70 pjesëmarrës prezentë. Pjesëmarrësit u interesuan për detaje shtesë mbi gjendjen e përgjithshme dhe rezultatet e punëve të dy organizatave.
Në fund, të gjithë pjesëmarrësve të sesionit prezent gjatë shtatë ditëve të Forumit, por dhe atyre jashtë sesionit, u janë shpërndarë DVD-të me materiale promovuese të dy organizatave dhe një numër simbolik të publikimeve të shtypura. Kjo për më tepër sepse Forumi kishte adoptuar në qasje jo-letër (non-paper policy) duke promovuar kështu edhe çështjet e mbrojtjes së ambientit.
Pjesëmarrësit nga të dy organizatat kishin mundësinë për të marrë pjesë në prezantime të ndryshme, në ngjarjet anësore dhe atyre të ngjashme, takime të rrjetëzimit, të dëgjojnë diskutimet në panel gjatë katër seancave të dialogut si dhe shumë aktivitete të tjera. E gjithë kjo u dha një mundësi për të nxitur më tej programet në mesin akterëve të ndryshëm dhe të profesionistëve urbanistik të pranishëm në forum.
Forumi Botëror Urban është konceptuar si platformë ku segmente të ndryshme të shoqërisë mund të diskutojnë, të mësojnë, praktikojnë, të bien dakord ose jo rreth mënyrave të ndryshme në ndërtimin dhe mbështetjen e një të ardhmeje urbane më të begatë për qytetet tona. Forumi ia arriti t’i identifikojë nismat dhe zotimet të cilat mund të zbatohen në mënyrë efektive në të krijuarit e qyteteve që janë më demokratike, më të drejta, të qëndrueshme dhe humane.
IForumi është menduar gjithashtu për të rishqyrtuar mënyrën se si UN-HABITAT-i dhe partnerët e tij kontribuojnë në udhëheqjen dhe pasurimin në përpilimin e politikave rreth urbanizimit të qëndrueshëm nëpërmjet një dialogu të hapur. Ky forum i shqyrtoi vazhdimësitë dhe ndërprerjet, si dhe pasojat e niveleve të larta demografike që po zhvillohen. Kjo ka dhënë mundësinë për t’u ballafaquar me sfidën e nxitjes së prosperitetit dhe ndërlidhjen e saj me sfidën e zgjerimit të përmirësimeve në cilësinë e jetës urbane. Forumi ka shqyrtuar gjithashtu dhe faktorët e shfaqur, të vjetër dhe të rinj, të cilët krijojnë mirëqenie, cilët aktorë shkaktojnë ndryshime pozitive, çfarë lloj strategjish ata përdorin, çfarë i pengon qytetet të bëhen më të begatë dhe si ato mund të përfshihen në analizat ndërdisiplinore për zhvillimin e politikave dhe planeve që do t’i përmbushin qëllimet e tyre për zhvillimin social dhe ekonomik të bazuar në urbanizëm e që është ekologjikisht i sigurt, i barabartë dhe i qëndrueshëm.
Sesionet e mëparshme të Forumit Botëror Urban (FBU) e bënë të qartë që menaxhimi i urbanizimit të shpejtë do të jetë një nga problemet më serioze me të cilat do të ndeshet njerëzimi në shekullin 21. Sesioni i tretë i FBU-it i mbajtur në Vankuver (Kanada) në vitin 2006, u përqendrua në Urbanizimin e Qëndrueshëm dhe Qytetet Përfshirëse. Njëra nga konkluzionet e Forumit ishte se popullsia urbane e vendeve në zhvillim do të dyfishohet nga dy në katër miliardë në 30 vitet e ardhshme. Kjo do të kërkojë ekuivalentin e planifikimit, financimit, dhe të hapësirave shërbyese për ndërtimin e një qyteti të ri për një milion njerëz për çdo javë në 30 vitet e ardhshme. Titulli i seancës së katërt të FBU-së të mbajtur në Nanjing (Kinë) në vitin 2008 ishte Urbanizimi i Harmonizuar. Ky sesion e bëri të qartë se një shoqëri nuk mund të jetë harmonike nëse pjesë të mëdha të popullsisë së saj janë të privuar nga nevojat themelore, ndërkohë që pjesët e tjera jetojnë në bollëk. Një mesazh i rëndësishëm i dalë nga ky forum ishte se harmonia në qytete nuk mund të arrihet nëse çmimi i jetesës urbane bëhet në kurriz të mjedisit. Koncepti i harmonisë nënkupton bashkërendimin dhe integrimin e të gjitha pasurive të Tokës: fizike, mjedisore, kulturore, historike, sociale ose njerëzore. Sesioni i pestë i FBU-së është zhvilluar në Rio de Zhaneiro (Brazil) në vitin 2010 dhe është përqendruar në temën e Drejta për Qytet: Tejkalimi i Ndarjeve Urbane. Forumi ka ofruar perspektivat dhe këndvështrimet mbi rëndësinë e këtij koncepti, duke identifikuar se çfarë është e nevojshme për të kapërcyer hendekun urban si dhe për të lehtësuar një tranzicion të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm nga një qytet pjesërisht përfshirës në atë plotësisht përfshirës.
Ky Forum Botëror Urban tejet i suksesshëm ka mbledhur gjithsej 8,271 pjesëmarrës të regjistruar. Sa i përket shteteve pjesëmarrëse, ky bienal ishte më i suksesshmi me 152 shtete të përfaqësuara. Forumi i ardhshëm Botëror Urban do të mbahet në vitin 2014 në Medellin, Kolumbi.