Nov 27 - 2016
Tri zyrat e Fondacionit Trashëgimia Kulturore pa Kufij në Shqipëri, Bosnje Hercegovinë dhe Kosovë, organizuan “Trajnimin Ndërkombëtar Mbi Menaxhimin e Rrezikut për Trashëgiminë Kulturore në Rast Katastrofe”. Në trajnim morën pjesë 28 profesionistë të muzeve dhe trashëgimisë si dhe praktikantë të manaxhimi të rrezikut në situata emergjence nga Ballkani, Europa Lindore dhe Lindja e Mesme. Pjesë e këtij trajnimi mbi ruajtjen dhe shpëtimin e koleksioneve muzeale, siteve të trashëgimisë dhe trashëgimisë shpirtërore në situata katastrofe u bënë 28 pjesëmarrës nga Ballkani, Europa Lindore dhe Lindja e Mesme.
Trajnimi tri javor filloi në Sarajevë, në Muzeun Kombëtar të Bosnje-Hercegovinës, u fokusua në simulime të ndryshme për ruajtjen e artefakteve muzeale në raste përmbytjesh, zjarri apo neglizhencës njerëzore. Për Aida Salketic, menaxhere e programeve në CHwB Bosnia trajnimi në Sarajevë ishtë i suksesshëm. “Më së pari, ne i njohëm pjesëmarrësit me trajnimin dhe ciklin dhe praktikat e menaxhimit të rreziqeve të katastrafave. U fokusuam në koleksionet dhe praktikat muzeale përmes ligjëratave dhe simulimeve të ndihmës së parë dhe evakuimit të objekteve muzeale pas një katastrofe”. Salketic, historiane arti, thekson ashtu punën e fortë në grup përgjatë gjithë trajnimit.
Në javën e dytë në Prishtinë, pjesëmarrësit aplikuan ciklin e menaxhimit të rreziqëve në situata katastrofe në një kontekst urban duke u rrekur t’i përgjigjen pyetjes se si përshtatet e funksionon menaxhimi i rrezikut në planifikimin e integruar të qyteteve historike. Nol Binakaj, zëvendës-kreu i CHwB Kosova, thotë se trajnimi i përmbushi pritshmëritë e tyre. “Për një javë ne u munduam të identifikojmë vlerat e qendrës së Prishtinës. Në objektet e vlerësuara bënë pjesë edhe ato më të rejat si monument i Neëborn-it apo Pallati i Rinisë. Kemi dashur të tregojmë që vlera mbartin jo vetëm objektet e vjetra, por edhe ato më të reja”, u shpreh ai. Për z. Binakaj, arkitekt, “grupi i larmishëm i pjesëmarrësve, sa i përket vendit dhe formimit, u dha të gjithëve mundësinë të jepnin dhe të merrnin shumëçka nga ky trajnim. Për më tepër, trajnimi ndihmoi lidhjen kulturore të këtyre pjesëmarrësve. Kjo lloj marrëdhenie e shëndoshë që krijohet në këto organizime ndihmon në sheshimin e problematikave rajonale dhe jo vetëm”, përfundoi z. Binakaj.
Java e tretë dhe përmbyllëse u mbajt në qytetin muze të Gjirokastës. Elena Mamani, zëvendës-drejtore e CHwB Albania theksoi se programi ka gërshetuar ligjërata nga lektorë ndërkombëtare me ushtrime praktike që reflektojnë situata katastrofash për të testuar dijet e pjesëmarrësve, por edhe për të përfituar nga përvoja e tyre. “Qëllimi i trajnimit është që profesionistët e trashëgimisë apo pjesëmarrësit me profile të tjera të mësojnë aftësi praktike për mbrojtjen dhe parandalimin e dëmtimit të trashëgimisë shpirtërore”. “Pjesëmarrësit studiuan mënyra dhe strategji për ruajtjen e trashëgimisë shpirtërore. Disa nga temat më të rëndësishme që u diskutuan janë: vlerësimi i rrezikut për trashëgiminë kulturore shpirtërore, rëndësia e dokumentimit të kësaj trashëgimie etj”, u shpreh Mamani.
Një pjesë e rëndësishme e trajnimit, që tërhoqi vëmendjen e gjerë të komunitetit lokal, ishte paneli i diskutimit mbi mënyrën sesi kultura dhe trashëgimia mbështesin përgjigjen humanitare dhe anasjelltas. Të ftuarit në panel ishin Birgitta Jansson, drejtoreshë e fondit të zhvillimit të Suedisë (SIDA); Xhuvanaq Gjylameti, Drejtor i Qendrës Operacionale të Emergjencave Civile në Ministrinë e Mbrojtjes; Sonila Kora nga Drejtoria e Trashëgimisë Jomateriale në Ministrinë e Kulturës dhe Catherine Antomarchi nga IÇROM-i, Romë. Të ftuarit diskutuan ndër të tjera për mundësimin e më shumë mundsive për trajnime për të krijuar rrjete vullnetarësh dhe integruar pikëpamjet dhe vlerat vendore në përgjigjen humanitare.
Për të ndihmuar shkrirjen sa më të mirë të pjesëmarrësve, në Gjirokastrër u organizua gjithashtu edhe Nata e Kulturës. Pjesëmarrësit u ndanë në grupe dhe “garuan” për të shpërfaqur kulturën e tyre të mrekullueshme, që reflektohet në këngët, vallëzimin dhe poezinë. Kjo ngjarje, që u shoqërua me performanca muzikore dhe të vallëzimit, manifeston vërtet shpirtin përbashkues të kulturës dhe diversitetit kulturor.
Ky trajnim u organizua nëpërmjet projektit rajonal “Ndihma e Parë për Kulturën në Ballkan” (B+CARE), një platformë e themeluar në mars të vitit 2016 për të frymëzuar, trajnuar dhe koordinuar vullnetarë për përgatitjen dhe ndihmën e parë në emergjencat kulturore. Trajnimi i B+CARE është financuar nga Prince Clause Fund dhe Qeveria e Suedisë.
Teksti: CHwB Albania