Sep 20 - 2014
Mbi 6 mijë qytetarë janë mbledhur në “Sofër”, një festivalin i cili u organizua përgjatë tri netëve të fundit të muajit gusht në qytetin e Gjakovës. Festivali i u mbajt në Çarshinë e Madhe, më saktësisht në “Lomën e Drithit”, një hapësirë publike, revitalizimi i së cilës është zbatuar nga CHwB Kosova gjatë vitit 2013 në kuadër të projektit “Mirësevini në Dukagjin” dhe është financuar nga Bashkimi Evropian.
Qëllimi kryesor i festivalit ishte ringjallja e kësaj pjese të qytetit dhe riaktualizimi i, sidomos për gjeneratat e reja, të disa prej traditave të qytetit të Gjakovës. Qyteti i Gjakovës ka shumë karakteristika që e bëjnë të njohur në Kosovë dhe më gjerë, por dy nga më të veçantat janë muzika popullore – qytetare dhe pjekja e rakisë, një ritual ky i zhvilluar për shumë vite në këtë qytet. Festivali ka synuar gërshetimin e këtyre dy traditave, të cilat bashkohen pikërisht në sofër, një tjetër “institucion” i rëndësishëm i këtij qyteti.
Në natën e parë, festivali ka prezentuar para audiencës grupin muzikor karakteristik “Arshikët” dhe “Mjeshtrin e madh të muzikës” Bujar Qamili, i cili ka krijuar një atmosferë madhështore në ambientet e Çarshisë së Gjakovës. “Gjakova gjithmonë ka ditur dhe di të bëj organizime të tilla që jo vetëm argëtojnë njerëzit por dëshmojnë edhe për vlerat dhe traditën që ka ky qytet”, ka thënë këngëtari Bujar Qamili pas paraqitjes së tij.
Në natën e dytë të festivalit, pjesëmarrësit janë argëtuar nga grupi “Hadi Bajrami”, një tjetër grup karakteristik i muzikës së vjetër gjakovare. Në fakt, ky grup përbëhet nga qytetarë të Gjakovës nga komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptas, por që më shumë fanatizëm e kanë ruajtur traditën dhe stilin e muzikës gjakovare të performuar para 100 vitesh nga Ymer Riza dhe këngëtar e muzikantë gjakovarë të asaj kohe.
E për të dëshmuar se tradita e muzikës gjakovare vazhdon të ruhet edhe në ditët e sotme, organizaotrët në natën e tretë të festivalit i kanë sjellë para publikut një grup të këngëtarëve të rinj gjakovarë, të cilët të prirë nga Halil Mala, Emil Tafarshiku e Ardian Këpuska kanë performuar këngë të vjetra gjakovare.
Në të tria netët, muzika popullore-qytetare është kënduar në sofër, e cila ka qenë e mbushur me ushqime të ndryshme tradicionale, edhe kjo vlerë e pa shmangshme e traditës gjakovare. E krahas sofrës së këngëtarëve, kanë qenë të shtruara edhe disa sofra tjera, në të cilat kanë qenë të ulur mysafirë të ndryshëm.
Ndërkohë, krahas muzikës popullore – qytetare, organizatorët kanë vënë në program edhe muzikë argëtuese, për ta ruajtur kështu ndërlidhjen e të shkuarës me të tashmen dhe të ardhmen. Në këtë drejtim , përgjatë tri netëve kanë performuar grupe dhe këngëtar të ndryshëm, si Valon Shehu, Albi Xhepa, Jericho, NR, etj. E pikërisht gërshetimi i muzikës së vjetër me atë të renë, mbase ka qenë edhe pjesa më e bukur e festivalit, pasi ka nxjerr në shesh një dukuri që jo shpesh shihet në Kosovë. Të dy zhanret kanë sjellë në Çarshi mosha të ndryshme dhe kjo ka krijuar pamje interesante, me të rinjtë që e dëgjonin me interesim dhe vëmendje muzikën e vjetër ndërsa më të moshuarit argëtoheshin edhe me muzikën rok të Jerichos apo atë rap të grupit NR.
Përgjatë tri netëve sa ka zgjatur festivali, gjatë tërë kohës në njërin kënd të “Lomës së Drithit” ka qenë i vendosur kazani, mjeti në të cilin bëhet pjekja e rakisë. Kjo ka bërë që shumë vizitorë, veçanërisht të rinjtë dhe ata që vinin nga qytetet tjera të Kosovës, të mësonin nga dora e parë për procesin e pjekjes së rakisë, i cili u shpjegohej pa përtesë nga disa prej “zanatlinjve” më të mirë të Gjakovës në pjekje të rakisë.
Ndërkohë, risia tjetër që ka sjellë ky festival është edhe kinemaja verore, e cila dy net me radhë ka shfaqur filma dokumentarë për qytetarët e interesuar. Me më se 200 shikues të interesuar, është demonstruar që Çarshia e Madhe e Gjakovës mund të ketë edhe një funksion të tillë publik dhe kulturor.
Festivali është pritur shumë mirë nga qytetarët e Gjakovës dhe të qyteteve tjera të Kosovës. Kjo u ka dhënë organizatorëve motiv që të mendojnë edhe për edicionet e ardhshme dhe “Festën e sofrës” ta kthejnë në festival tradicional. “Festivali aspiron që të bëhet një festë, që do ta identifikojë Gjakovën në Kosovë dhe më gjerë”, thonë organizatorët.
Projekti është zbatuar nga OJQ “Bashkohu edhe ti” e cila është edhe pjesë e Forumit Lokal të Trashëgimisë Kulturore të Gjakovës, një trup që pos shoqërisë civile grumbullon edhe partner të pushtetit lokal dhe qendror. Ky forum ka hartuar edhe planin Lokal të Trashëgimisë Kulturore të Gjakovës. Aktiviteti, pos qytetarëve të Gjakovës është përcjellë edhe nga mediet qendrore dhe lokale të Kosovës.
Ky projekt është pjesë e iniciativës “Ditët e Kulturës në Gjakovë” që do të mbahet gjatë vitit 2014 dhe bashkëfinancohet nga CHwB Kosova, Komuna e Gjakovës dhe partnerë tjerë. Ky projekt është identifikuar në kuadër të Planit Lokal të Trashëgimisë Kulturore të Gjakovës e cila është hartuar në kuadër të programit të Planeve Lokale të Trashëgimisë Kulturore 2012-2015 në 7 komuna të Kosovës. Për më shumë informata rreth këtij programi klikoni këtu.