Mar 07 - 2019
Nga data 21 deri 24 Dhjetor 2014 është mbajtur vizita studimore për anëtarët e Forumit Lokal të Trashëgimisë kulturore të Dragashit. Qëllimi i vizitës ishte njohja me mënyrat e mbrojtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore në disa lokalitete të trashëgimisë kulturore në Shqipëri, me fokus të veçantë në institucionet muzeore. Gjatë kësaj vizite katërditore pjesëmarrësit kanë qenë të shoqëruar nga stafi i CHwB në Kosovë dhe ciceronët e angazhuar nëpër lokalitetet e vizituara.
Në pjesën e parë të vizitës pjesëmarrësit patën mundësinë që të shijojnë qytetin e Shkodrës nën përcjelljen e Fatmir Jukës, drejtor i muzeut etnologjik. Nga lokalitetet që u vizituan mund të veçohen: Muzeu Historik i Shkodrës, Kalaja e Rozafës që daton që nga shek. IV bashkë me Muzeun e kështjellës të vendosur në rezidencën e Kapitanit (sundimtarit Venedikas), Vila e Shirokës (një rezidencë buzë liqeni që iu dhurua Mbretit Zog nga tregtarët e Shkodrës) dhe Ura famshme me 13 harqe në fshatin Mes e ndërtuar më1768.
Në pjesën e dytë të vizitës, me të mbërritur në Krujë, pjesëmarrësit nën përcjelljen e ciceronit profesional Elton Çaushi, patën mundësinë të ndalen për të blerë gjësende në pazarin e vjetër të Krujës. Pazari i cili të shpie në kalanë e vjetër të qytetit, shtrihet në të dy anët e rrugës së vjetër dhe është e shtruar me kalldrëm. Vizita vazhdoi në Muzeun Kombëtar të Gjergj Kastrioti Skënderbeut dhe Muzeun Etnografik të vendosur në një ndërtesë të tipi çardak, monument kulture e kategorisë së I-rë që daton nga viti 1764.
Në pjesën e fundit të vizitës pjesëmarrësit vizituan kryeqendrën e Shqipërisë, Tiranën. Fillimisht u vizitua Bunk-Art, një bunker gjigant kundërbërthamor i ndërtuar në periudhën e komunizmit në Shqipëri, tanimë të shndërruar në muze dhe një hapësirë arti. Në përmbyllje u vizitua Muzeu Historik Kombëtar, i cili është institucioni muzeor më i madh në Shqipëri dhe godina e së cilës është një një nga veprat më të rëndësishme arkitektonike me rol të veçantë në formimin urbanistik të kryeqytetit shqiptar. Prezantimi i këtij muzeu bëhet nëpërmjet tetë pavijoneve me përmbajtje të ndryshme historike.
Kjo vizitë studimore përpos që mundësoi vizita nëpër monumentet arkitektonike, lokalitetin arkeologjik të kalasë, peizazhit natyror dhe urbanistik të qyteteve; ajo ka shërbyer edhe si platformë për shkëmbimin e ideve dhe njohurive profesionale në mes të anëtarëve të Forumit. Ky diskutim bëhet edhe më i rëndësishëm pasi që një nga prioritet e Planit Lokal të Trashëgimisë Kulturore të Dragashit në vitin 2015 është edhe themelimin e muzeut etnologjik në këtë qytezë.
Kjo vizitë studimore është zbatuar në kuadër të projektit të ngritjes së kapaciteteve për rëndësinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të trashëgimisë kulturore i cili ka qenë një nga prioritetet e Planit Lokal të Trashëgimisë Kulturore të Dragashit. Ky prioritet është identifikuar në kuadër të Programit të Planeve Lokale të Trashëgimisë Kulturore 2012-2015 të hartuar nga CHwB, Komuna e Dragashit dhe institucione tjera të nivelit qendror.