Apr 16 - 2018

Fushat për aplikim në edicionin e tretë të Heritage Space

Ndërlidhu me trashëgiminë kulturore përmes këtyre fushave kreative!

Reuse arb
RIPËRDOR

Ri-jetësimi i ndërtesave historike është një prej sfidave kryesore gjatë konservimit të trashëgimisë kulturore. Ndryshimet shoqërore, ekonomike dhe teknologjike kanë ndikuar që shumë prej ndërtesave të humbin funksionin e tyre, përkundër që ato përfaqësojnë vlera dhe janë të rëndësishme për shoqërinë. Shpesh, një ndërtesë pas restaurimit të saj, mbetet boshe ose mbyllet dhe gradualisht degradohet. Me kërkesën vazhdimisht në rritje për zhvillim të qëndrueshëm, modifikimi i ndërtesave të vjetra për përdorim të ri është i paevitueshëm, natyrisht duke ruajtur integritetin e strukturave dhe duke respektuar nevojat moderne të banorëve. Ruajtja e çdo ndërtese me vlerë kërkon një bashkërendim të parimeve të konservimit dhe dizajnit të qëndrueshëm.

Reduktimi i energjisë, ripërdorimi dhe riciklimi i materialeve janë mënyra tashmë të vlerësuara si inovative dhe të suksesshme për dizajn të qëndrueshëm me përgjegjësi të plotë sociale dhe mjedisore.

Qasja e “ri-jetësimit” siguron që ndërtesat të ruhen duke përdorur teknikat dhe materialet tradicionale, të aplikuara nga komuniteti lokal. Po ashtu, është e rëndësishme që zanatet tradicionale të përcjellen tek praktikuesit e rinjë. Për më tepër kjo qasje promovon ndërlidhjen e industrive kreative dhe trashëgimisë kulturore për të shërbyer si burim i rëndësishëm për zhvillim ekonomik dhe punësim.

Heritage Space do të përkrah ide që kanë për qëllim funksionalizmin dhe ripërdorimin e hapësirave përmes qasjeve inovative, duke ruajtur integritetin dhe autenticitetin e ndërtesës në raport me kontekstin, dhe në te njëjtën kohë duke dhënë alternativa/modele të qëndrueshme të bizneseve/shërbimeve brenda kontekstit. Hulumtimi duhet të trajtojë aspektin e ndërhyrjeve fizike dhe të analizojë modelet e qëndrueshme të ndërmarrësisë sociale. Përfshirja e komunitetit dhe resurseve tjera lokale janë kyç në vlerësim të idesë.

Për këtë fushë CHwB Kosova ka si partnerë UBT (Institucion i Arsimit të Lartë)  të cilët do të ofrojnë hapësirën e inkubatorit për zhvillim të idesë, mentorim, konsultim dhe vizibilitet për produktin që do të realizohet.

Rediscover arb
RIZBULO

Turizmi kulturor mund të ketë rol më të madh në rritjen ekonomike të Kosovës. Potencialet  e shumta kulturore mund të ndërlidhen me industrinë kreative në mënyrë që të bëhen gjenerator për zhvillim lokal, krijim të vendeve të punës dhe rritje të mirëqenies së njerëzve.

Turizmi kulturor fokusohet në trashëgiminë kulturore dhe në mënyrën e jetesës së një vendi. Turisteve duhet t’i ofrohen eksperienca të mjedisit kulturor, artit performues, vlerave, traditave dhe ngjarjeve interesante. Ato mund të jenë festivale, performanca muzikore, vizita në mjedise rurale dhe urbane, gastronomi vendore, ndërtesa popullore dhe fetare, vende arkeologjike dhe personalitete të famshme të vendit.

Lokalitetet historike duhet përfundimisht të bëhen atraktive për krijuesit, menaxherët, inxhinierët e teknologjisë, dizajnerët, gastronomet, ciceronet, blogeret, arkitektet dhe bizneset e vogla me qëllim që ato vende krahas vlerave historike, të bëhen edhe destinacione turistike.

Platforma Heritage Space do të përkrahë hulumtime për ide të reja të cilat kanë për qëllim krijimin e produkteve të qëndrueshme turistike të cilat sjellin një vlerë të re ekonomike dhe sociale. Produktet turistike duhet të fokusohen në invoacion dhe nuk duhet të prekin ose ndryshojnë struktura ndërtimore te ndërtesave historike. Hulumtimi duhet të analizoj kontekste historike nga këndvështrimi kulturor, ekonomik, social prej te cilave duhet të propozohen rrugë dhe itinerare turistike tematike, të shkruhet narracioni, hartat, fotografi, interpretim historike etj.

CHwB Kosova do të ofroj mbështetje dhe mentorim për punë hulumtuese/krijuese për ata të cilët dëshirojnë të zhvillojnë produkte turistike.

Retell arb
RITREGO

Prej përgatitjes së ekspozitës së një muzeu e deri në tregimin e një fenomeni lokal apo personal, hulumtimi dhe interpretimi përbëjnë një shtyllë kyqe të trashëgimisë kulturore. Në këtë fushë të gjerë ne presim ide që mund të përfshijnë praktikat urbane, histori sociale e ekonomike, tregime personale, mite apo çka do që mund të hyjë në fushën e trashëgimisë apo kujtesën personale dhe kolektive.
Ne mund të ndihmojmë në thellimin e dijes rreth subjektit të hulumtimit dhe ndërtimin e një tregimi apo interpretimi ashtu që të jetë i lexueshëm për publikun.

Presim nga ju që të vini me një ide apo pyetje bazike që doni ta ndiqni, ndërsa ne me mentorët tanë do të përpiqemi të jemi udhërrëfyes prej kërkimit të tregimit deri në vizualizimin e tij.

Në fazën e pare të projektit do të punohet në dizajnim dhe planifikim të hulumtimit, ku pjesëmarrësi do të mund të udhëzohet nga mentori për metoda të hulumtimit, qofshin ato të historisë gojore, hulumtimit në arkiva dhe mbledhjes se informatave dhe burimeve audio-vizuale. Gjatë apo pas përfundimit të hulumtimit do të kalohet në fazën e interpretimit ku do të ndërtohet tregimi dhe do të përcaktohet metoda e vizualizimit apo materializimit të hulumtimit. Hulumtimi mund të interpretohet në forma të ndryshme, qoftë si film, animacion, publikim, vepër arti, hartë, libër i gatimeve apo ndonjë format tjetër, gjithnjë sipas subjektit të hulumtimit dhe materialit të mbledhur. Në këtë etapë, mentorët do të përzgjidhen sipas përmbajtjes së hulumtimit.

Partneret tanë në këtë fushë janë Anibar, DokuFest dhe Fondacioni Lumbardhi.

Recreate arb

RIKRIJO

Artefaktet dhe artizanatet e ndryshme janë një lloj burimi kulturor që përveç funksionit si pasuri kulturore e një vendi apo narrativë historike e një shoqërie mund të marrin një funksion të ri përmes një komunikimi dhe qasje të re. Këto resurse kulturore mund të shërbejnë si burim inspirimi për krijimin e produkteve të reja që do të gërshetonin motive të trashëguara nga artefaktet historike me forma të reja të cilat përveç reprezentimit  të tyre do të mundësonin gjenerim të të ardhurave dhe zhvillim ekonomik.

Heritage Space do të mbështesë hulumtime për identifikimin e shenjave, simboleve, motiveve të cilat paraqesin identitetin dhe trashëgiminë kulturore të Kosovës, të cilat mund të ri-krijohen si suvenire. Suveniret apo produktet tjera do të paraqisnin një kujtesë emocionale për një vend, ndërtesë historike apo ndonjë simbol të rëndësishëm të cilat vizitori dëshiron t’i merr me vete si kujtim. Përmes suvenireve do të prezantohej dhe do të forcohej identiteti kulturor i Kosovës si dhe në bashkëpunim me artistë dhe ndërmarrje të vogla do të krijohen mundësi për gjenerim të të ardhurave.

Simbolet, motivet dhe shenjat e trashëgimisë mund të përdoren për t’u riprodhuar si artizanat (poqari, punime druri, punime metali, tekstil) ose si motive për t’i shënjuar gotat, filgjanat, hapëset e birrave, veshjet, varëset e çelësave, çantat, shportat e ndryshme, magnete kuzhine etj.

Fondacioni ‘Unë e du Kosovën’ do të jetë partneri i jonë i cili do të ofrojë databazën e zanatlinjve dhe artefakteve të cila do të shërbejnë për fazën e hulumtimit dhe mësimit e procesit të prodhimit të produkteve artizanale.


Postimi i kaluar


Apr 16 - 2018

Thirrje per aplikim- Edicioni i tretë i Heritage Space


Postimi i rradhës


Sep 18 - 2018

Thirrje për aplikim- Punëtoria “Heritage Lab”