May 28 - 2015
Më 18 prill, në Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Lokaliteteve, trashëgimia e ndërtuar e fshatit Hoçë e Madhe (Komuna e Rahovecit) është pasuruar me një tjetër ndërtesë të restauruar. Projekti i restaurimit dhe revitalizimit të kantinës së verës së Kishës së Shën Stefanit është përfunduar dhe ndërtesa u inaugurua në prani të ambasadores së SHBA-ve në Prishtinë, përfaqësuesve të Kishës Ortodokse Serbe, Komunës së Rahovecit, Këshillit të zhvillimit të fshatit, komunitetit lokal, Kosovo United States Alumni (KUSA), CHwB-së dhe aktorë të tjerë.
Kantina e verës së Kishës së Shën Stefanitnë Hoçë të Madhe ishte e braktisur dhe e lënë pas dore. Muret e ndërtesës ishin të ekspozuar ndaj reshjeve. Gjatë punëve restauruese dhe konservuese, janë konsoliduar muret perimetrike, përderisa gurët janë ri-fuguar me llaç gëlqeror.Gurët lumor dhe tullat nga balta janë përdorur për restaurimin e mureve. Gurët janë mbledhur brenda ndërtesës së kantinës dhe në parterin e saj, ndërsa gurë të tjerë janë mbledhur nga rrethina. Muratimi është kryer gjatë verës dhe vjeshtës së vitit 2014 për shkak që llaçi gëlqeror dhe tullat nga balta kërkojnë kushte optimale atmosferike për procesin e tharjes dhe forcimit.Trarët nga druri i pishës janë përdorur për rindërtimin e kulmit të ri e të madh katër ujor. Trarët origjinal në gjendje të mirë janë restauruar dhe ripërdorur, kur ka qenë e mundur, ndërsa trarët e rinj nga druri i pishës janë futur në rast nevoje. Hapjet e reja në çati janë bërë për të lejuar më shumë dritë natyrore dhe për të përshtatur ndërtesën për përdorim në të ardhmen.
Objektivat kryesore të këtij projekti të financuar nga SHBA-të ishin:
– Mbrojtja e vlerave kulturore të kantinës së verës së Kishës së Shën Stefanit, përmes restaurimit dhe ripërdorimit adaptiv, dhe
– Krijimi i kushteve për zhvillimin socio-ekonomik.
Qëllimi përfundimtar është për të adaptuar ndërtesën në një qendër për eksplorim, gëzim dhe ndërveprim jo vetëm për komunitetin lokal, por edhe për vizitorët.