May 29 - 2015
Për herë të parë në Bosnjë dhe Hercegovinë, 100 çiklistë nga pjesë të ndryshme të vendit morën pjesë në një ngjarje të veçantë “Tour de Culture BiH”, organizuar më 24 maj. Qëllimi i këtij turi çiklistik ishte për të promovuar trashëgiminë e pasur dhe të përbashkët kulturore të BeH, si dhe transportin e jo-motorizuar dhe mbrojtjen e mjedisit.
Tour de Culture është një projekt i përvitshëm i organizuar për herë të parë në vitin 2008 në Kosovë. Ai ishte iniciuar, organizuar dhe bashkë-financuar nga Trashëgimia Kulturore pa Kufij (CHwB) dhe UN-HABITAT, zyrat në Kosovë, të dyja të financuara nga Suedia, me synim promovimin e trashëgimisë natyrore dhe kulturore, transportin e jo-motorizuar dhe mbrojtjen e mjedisit. Që nga viti 2014, projekti udhëhiqet vetëm nga zyra e CHwB në Kosovë dhe për shumë vite tani, popullariteti i këtij projekti ka tërhequr mbështetjen e donatorëve, organizatave dhe institucioneve të ndryshme. Për më shumë informata mbi Tour de Culture në Kosovë drejtohuni tek përshkrimi i projektit në ueb-faqen tonë.
Fotot: CHwB BiH faqja në Facebook
Tour de Culture Bosnje dhe Hercegovinë ka filluar në Počitelj, një nga qytetet më të bukura të Bosnjë dhe Hercegovinës, dhe pjesëmarrësit patën rastin të ndjejnë muzikën tradicionale të këtij rajoni përmes performancës së bendit me tamburica (instrument me tela). Çiklistët pastaj vazhduan në lokalitetin e veçantë arkeologjik të Mogorjelos, në komunën Čapljina, dhe vizituan fshatin dhe kishën katolike në Šurmanci. Gjatë turneut, pjesëmarrësit vizituan manastirin e Žitomislić, i cili daton nga shekulli XVI dhe është një nga manastiret më të rëndësishme ortodokse në Bosnje dhe Hercegovinë. Turneu u ndal në qytetin e mbretëreshës boshnjake Katarina Kosač – qytetin Blagaj, ku pjesëmarrësit shijuan pije dhe ushqim tradicional, para se të kalonin ca kohë në mesxhidin e shekullit të XVI në burimin e lumit Buna. Në pasdite, çiklistët arritën në Urën e Vjetër në Mostar, ku ‘Mostar Majorette’ dhe bendi ‘City Brass’ i Stolac-it performuan ceremonitë përfundimtare. Për më shumë informata mbi projektin vizitoni ueb-faqen e CHwB BeH dhe faqen e Facebook-ut CHwB BeH.