Mar 07 - 2019
Vazhdon implementimi i punëve në kuadër të Programit të Intervenimeve Emergjente në 50 ndërtesa të trashëgimisë kulturore në Kosovë. Një nga ndërtesat e trajtuara është edhe shtëpia e Xhafer Devës në Mitrovicë. Sipas Listës së Trashëgimisë Kulturore nën Mbrojtje të Përkohshme të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, ‘Shtëpi banimi Xhafer Deva’ është monument i trashëgimisë arkitekturale.
Shtëpia e Xhafer Devës,e ndërtuar në bërthamën e vjetër të qytetit i takon shek XIX. Shtëpia i takon tipit të shtëpive me doksat dhe qoshk. Karakteristikë e ndërtesës është se në mesin e fasadës veriore është i paraqitur qoshku (çardaku i mbyllur) ndërsa në fasadën jugore, pamje kjo nga rruga paraqitet doksati. Në fasadën jugore janë ruajtur elementet dekorative të kohës.
Edhe pse e banuar, për shkak të vjetërsisë dhe mirëmbajtjes jo adekuate, gjendja e shtëpisë së Xhafer Devës ka qenë e mjerueshme dhe dita ditës degradohej dhe rrezikohej nga faktorë te ndryshëm.
Punimet në këtë shtëpi kanë filluar me datën 11/06/2014dhe janë përfunduar më 12/07/2014. Gjatë intervenimeve është bërë përforcimi dhe shtangimi i konstruksionit të kulmit. Përveç trajtimit të pjesës së dëmtuar të konstruksionit të kulmit është bërë edhe dërrasimi dhe hidroizolimi i tij. Tjegullat tradicionale janë ruajtur, ato që kanë qenë të dëmtuara janë zëvendësuar me tjegulla të të njëjtit tip.
Pozicion tjetër ishte edhe vendosja e ulluqeve të rinj përreth shtëpisë, të cilat kanë qenë mjaft të dëmtuar. Gjithashtu është bërë edhe veshja e oxhaqeve.
Çardaku i ndërtesës ka qenë mjaft i dëmtuar. Përforcimi i tij është bërë duke vendosur një konstruksion shtesë nën konzolën e tij. Shtyllat janë vendosur në bazë metalike të ankeruar në themele betoni.
Gjendja e fasadës ka qenë shumë e dëmtuar dhe me kalimin e kohës është dëmtuar edhe një pjesë e madhe e tullave, si dhe janë krijuar çarje konstruktive. Intervenimi ne fasadë është bërë në tërë sipërfaqen duke filluar me largimin e llaçit të çimentos dhe duke e zëvendësuar atë me llaç gëlqeror.
Ky projekt është pjesë e Programit të Intervenimeve Emergjente në 50 ndërtesa të trashëgimisë kulturore në Kosovë. Programi zbatohet nga CHwB Kosova dhe bashkë-financohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e Kosovës dhe CHwB përmes fondeve të shtetit Suedez. Për më shumë informata rreth këtij programi klikoni këtu.