Jan 30 - 2015
Intervenimi në bibliotekën e Hivzi Sylejmanit në Prishtinë është realizuar në kuadër të Programit të intervenimeve emergjente në kulturë, financuar nga Fondi për Kulturë dhe Zhvillim i Princit Klaus në bashkëpunim me Trashëgiminë Kulturore pa Kufi, zyra në Kosovë.
Punët ndërhyrëse kanë filluar më 23 shtator dhe kanë përfunduar në fillim të muajit dhjetor 2014. Trajtimi është bazuar kryesisht në kulm dhe në mure duke përfshirë edhe intervenimet e tjera shtesë.
Kushtet atmosferike kanë ndikuar në dëmtimin e mbulesës dhe konstruksionit të kulmit. Është bërë largimi i tjegullave (afro 80% ishin të dëmtuara tej mase andaj nuk mund të futeshin sërish në përdorim), trajtimi i konstruksionit të drurit ku edhe është bërë zëvendësimi i disa trarëve të vjetra të dëmtuara të drurit me ato reja dhe është bërë vendosja e dërrasave të reja të drurit, hidroizolimit, listellave të drurit dhe tjegullave të reja ‘Tondach’.
Bllokimi i ulluqeve ekzistuese kishte shkaktuar rrjedhjen e ujit në ndërtesë; si pasojë e kësaj të gjitha ulluqet janë zëvendësuar me ato të reja. Ulluqet e vjetra ishin të punuara me një dizajn shumë të thjeshtë nga gypat e llamarinës dhe nuk e bënin mbledhjen adekuate të ujërave të shiut, andaj janë vendosur ulluqet e reja të plastifikuara.
Në mënyrë që të bëhet evitimi i lagështisë nga toka është bërë instalimi i drenazhimit. Gropimi për drenazhim është hapur deri në thellësinë prej 90cm në themele. Është bërë shtrirja e foljes mbrojtëse dhe vendosja e gypit plastik me diametër 110mm, i përbiruar në gjithë diametrin dhe i mbështjellë fillimisht me gjeo-tekstil. Gjithashtu është bërë izolimi i themeleve me hidroizolues dy komponent. Është bërë lidhja e sistemit të ulluqeve me atë të drenazhës (kjo lidhje nuk ka ekzistuar më parë) me gyp të veçantë PVC 100 mm ku shkarkimi i këtij gypi tanimë bëhet në sistemin kryesor te kanalizimit. Është bërë hapja e pusetës së re e cila do të shfrytëzohet për derdhjen e ujërave të drenazhës. Gropa e drenazhit është mbuluar me dy fraksione te zhavorrit dhe mbuluar me pllakat ekzistuese të gurit.
Pjesët e dëmtuara të mureve të brendshme dhe çarjet janë trajtuar dhe mbuluar me llaç gëlqereje dhe të gjitha muret e brendshme janë lyer me ngjyrë të bardhë. Pjesët e dëmtuara të mureve të jashtme janë suvatuar me llaç gëlqereje; të gjitha muret e jashtme janë ngjyrosur me ngjyrën origjinale – oker. Vlen të shtohet se përpos ndërtesës kryesore të bibliotekës, ndërtesa e leximores (aneksi) është ngjyrosur gjithashtu me ngjyrë oker.
Është kryer pastrimi i të gjitha dyerve dhe dritareve të jashtme, ku është bërë gërryerja sipërfaqësore e tyre, është bërë kontrollimi i funksionimit të dyerve/dritareve dhe është intervenuar aty ku ka pasur nevojë si dhe i gjithë druri është ngjyrosur me ngjyrë të bardhë.
Përfundimisht, është bërë riprodhimi në origjinal i 70 shtyllave të gardhit nga betoni përderisa 50 të tjera janë trajtuar. Mbështetësi i dorës se gardhit nga metali është ngjyrosur në ngjyrën e vet origjinale.
Tani më, pas trajtimit adekuat të kësaj ndërtese, ofrohen kushte më të mira për stafin dhe komunitetin në përgjithësi. Vlen të shtohet gjithashtu se e gjithë kjo kontribuon në regjenerimin e kësaj hapësire si dhe në ngritjen e vetëdijes se qytetarëve në vlerësim të trashëgimisë së përbashkët.