Mar 07 - 2019
Më 7 shtator 2014, festa tradicionale e vjeljes së rrushit në Rahovec, mblodhi bujq, vreshtarë, verëtarë, prodhues të ndryshëm bujqësor, ndërsa të pranishëm ishin edhe përfaqësues të shumtë qeveritar dhe ata të zyrave ndërkombëtare në Kosovë. Në festën morën pjesë edhe kryetarë të komunave fqinje me Rahovecin.
Kryetari i komunës z.Idriz Vehapi, në fjalën e hapjes së kësaj feste tha se muaji shtator është muaj i mbledhjes së fryteve të ëmbla të tokës tonë. Kjo festë është ndër përpjekjet tona për të promovuar prodhimtarinë e rrushit dhe verës, si dhe turizmin kulturor, kjo është kthyer në burim të ardhurash për banorët e kësaj ane dhe të ekonomisë së Kosovës. Kjo shpreh vlerat tona që ka të bëjë me një trashëgimi shekullore. Janë breza të tërë veshtaresh që e kanë mbrojtur dhe vazhdojnë ta kultivojnë këtë traditë. Vreshtarinë e kanë pasur bashkudhëtarë të jetë jetës së tyre. Vreshtaria flet për kulturën dhe civilizimin e popullatës së kësaj ane. Ne sot simbolikisht po e fillojmë sezonin e vjeljes së rrushit, duke vlerësuar mundin dhe kontributin e njerëzve të vyeshëm të kësaj ane. Kjo është edhe një mundësi që vreshtarët tanë të promovojnë prodhimtarinë e rrushit dhe të verës, për ta bërë konkurruese në shtete e rajonit dhe botës. Janë mijëra hektarë vreshta që tregojnë potencialin e komunës sonë, duke shtuar sipërfaqe vit pas viti. Kjo falë edhe ndihmës dhe subvencioneve qeveritare, që e kanë mbështetur këtë sektor në vazhdimësi. Kjo ka bërë që sektori i vreshtarisë e verëtarisë të njohë zhvillime ë hovshme, ndërsa verëtarët tanë të vyeshëm kanë marrë çmime e vlerësime pozitive në panaire dhe gara ndërkombëtare. Ne duhet ta kthejmë vëmendje më shumë në këtë rajon, për ta bërë këtë vend unik në kultivimin e rrushit dhe verës që përfaqëson pjesë të identitetit tonë, shtoi ndër të tjera kryetari Vehapi.
Kryetari i shoqatës së verëtarëve “Enologjia” z.Nevzat Haxhijaha, vuri theksin në punën e madhe që po bëhet për rritjen e cilësisë dhe sasisë së verës. Ndër të tjera ai tha se kultura e lashtë e kultivimit të hardhisë po pasohet me shumë kujdes nga banorët e Rahovecit. Në panairet e ndryshme të mbajtura jashtë Kosovës, kemi arritur rezultate të lakmueshme dhe kemi marrë vlerësim maksimal për verën tonë. Zhvillimi i mëtejmë i këtij sektori do të ndikojë në zbutjen e papunësisë dhe rritjen ekonomike të Republikës së Kosovës. Në fund ai bëri thirrje që qytetarët e vendit të konsumojnë sa më shumë prodhime vendore, sepse në këtë mënyrë kemi mundësi të ndihmohemi reciprokisht.
Më pas u mbajt ceremonia e nisjes së fushatës së vjeljes së rrushit në vreshtat e kompanisë “Stone Castle”, ku i pari i komunës Vehapi preu kalaveshët e parë të rrushit, duke uruar vreshtarët për vjelje të mbarë. Aktivitetet kanë vazhduar me garën për shtrydhjen e rrushit, garë për zgjedhjen e mbretëreshës së vreshtave, ndërsa në orët e mbrëmjes në qendrën e kulturës “Mensur Zyberaj” trupa teatrale “Passion” nga Tirana shfaqi komedinë “Një burrë me dy gra”. Festa e sjelljes së rrushit është përmbyllur me një program festiv me grupe dhe artistë të muzikës nga komuna e Rahovecit. Ndërkohë që në mjediset e hotelit “Park” ka vazhduar aktiviteti me karakter ndërkombëtar “Kolonia e artistëve-art dhe rrush”. Aktiviteti ka qenë i hapur deri më 10 shtator.
Ky projekt ka qenë një nga prioritetet e Planit Lokal të Trashëgimisë Kulturore të Rahovecit. Ky plan është pjesë e Programit të Planeve Lokale të Trashëgimisë Kulturore 2012-2015 të hartuar nga CHwB, Komuna e Rahovecit dhe institucione tjera të nivelit qendror. Për më shumë informata rreth këtij programi klikoni këtu.