Mar 07 - 2019
NJOFTIM: Tour de Culture shtyhet për 28 Shtator 2014 shkaku i motit.
TOUR DE CULTURE është i vetmi aktivitet çiklistik jo-garues dhe rekreativ në Kosovë I HAPUR PËR TË GJITHË, profesionistë dhe amatorë, të rinj e të moshuar, femra dhe meshkuj. Kjo ngjarje, që organizohet për të shtatin vit me radhë, tenton të zbulojë çdo vit një cep të Kosovës, duke u shndërruar kështu në një traditë atraktive për shoqërinë kosovare. Kjo është arritur me rritjen e pjesëmarrësve entuziastë vit pas viti dhe përkrahjes së madhe nga institucionet vendore e ndërkombëtare përfshirë këtu bizneset dhe mediet.
Ky aktivitet unik në Kosovë përbëhet nga sinergji parimesh që rrjedhin nga Ditët e Trashëgimisë Evropiane dhe Java Evropiane e Mobilitetit që festohen në tërë Evropën gjatë muajit shtator.
NE NGASIM BIÇIKLETË PËR...
Promovimin e trashëgimisë sonë të përbashkët natyrore dhe kulturore
> mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe të diversitetit kulturor në të gjitha nivelet e shoqërisë
> promovimin e trashëgimisë kulturore si mjet për bashkëjetesë dhe dialog në mes të komuniteteve
> zbulimin e potencialeve për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm kulturor
Promovimin e transportit të jo-motorizuar për një lëvizshmëri më efektive për të gjithë
> ndërgjegjësimin e qytetarëve dhe të vendimmarrësve për rëndësinë e rrugëve të sigurta dhe të drejtimeve të
transportit të jo-motorizuar
> promovimin e një stili të shëndetshëm të jetës dhe të rrugëve të sigurta për shfrytëzuesit e transportit të jomotorizuar
> fuqizimin e pjesëmarrjes së grave, të rinisë, të moshuarve, fëmijëve dhe të personave me aftësi të kufizuara
Promovimin e mbrojtjes së mjedisit
> vendosjen e të drejtave të njerëzve dhe të natyrës mbi të drejtat e ndotësve
> parandalimin e degradimit të tokës, ujit, bimësisë dhe ajrit
> promovimin e një lëvizjeje të përbashkët globale për një ardhmëri të sigurt klimatike dhe sigurimi i shfrytëzimit të qëndrueshëm të burimeve pa degraduar natyrën
KUSHTET E PJESËMARRJES
1. Tour de Culture është aktivitet çiklistik jo-garues dhe rekreativ, I HAPUR PËR TË GJITHË, profesionistë dhe amatorë, të rinj e të moshuar, meshkuj e femra.
2. Pjesëmarrja në Tour de Culture është FALAS për të gjithë sepse turi promovon trashëgiminë kulturore, lëvizshmërinë jo-motorike dhe ruajtjen e ambientit në Kosovë.
3. Regjistrimi i pjesëmarrësve është i obliguar dhe do të bëhet në autobusë të organizuar për transport.
4. STARTI nga Vushtrria (Kalaja në qendër të qytetit) është në ora 10:30 dhe përfshin një gjatësi prej 49,3 km deri në Podujevë (Liqenin e Batllavës). Rruga është lehtësisht e përshkueshme, e asfaltuar, me pjerrësi të lehtë dhe e përballueshme për të gjithë pjesëmarrësit. Përfundimi i aktivitetit parashihet të jetë rreth orës 18:00. Pas START-it do të ketë vend-ndalje të parashikuara me agjendë me qëllim që pjesëmarrësit të pushojnë dhe shërbehen me ujë, pemë dhe perime e ushqim.
5. Transporti për në Vushtrri, nga ku do të bëhet nisja, është i siguruar nga organizatorët. Nisja e autobusëve do të bëhet prej stacioneve të autobusëve nga 7 qytetet kryesore të Kosovës dhe atë nga: Prishtina dhe Mitrovica në ora 08:00 dhe Peja, Gjakova, Prizreni, Ferizaj, Gjilani në ora 07:00. Pjesëmarrësit nga Vushtrria do të kenë autobusin e tyre të rezervuar për kthim nga Podujeva. Ju lutemi që të jeni së paku 15 minuta para terminit në stacionin e autobusit të qytetit tuaj. Transporti do të kryhet me parimin i pari që vjen shërbehet i pari, dhe për këtë arsye organizatorët nuk marrin përgjegjësi nëse nuk do të ketë vende në autobus. Kthimi nga Podujeva (Liqeni i Batllavës), si stacioni i fundit i turit, për në qytetet fillestare do të bëhet në fund të turit dhe me autobusë të njëjtë.
6. Pjesëmarrësit që vijnë me vetura personale duhet të aranzhojnë vet çështjen e transportit dhe parkingut për në FINISH dhe anasjelltas.
7. Në mënyrë që të arrihen qëllimet e projektit, inkurajojmë pjesëmarrjen e prindërve me fëmijë si dhe të mësuesve me nxënës. Për shkaqe sigurie dhe gjatësie të shtegut, fëmijët nën moshën 14 vjeçare nuk do të lejohen të marrin pjesë pa përkujdesje nga prindi, kujdestari apo mësuesi.
8. Kërkojmë durim dhe mirëkuptim nga të gjithë pjesëmarrësit, duke e marrë parasysh që pjesëmarrësit e turit janë të moshave, gjinive dhe kondicioneve të ndryshme fizike përfshirë edhe pjesëmarrësit me nevoja të veçanta me karroca.
9. Pjesëmarrësit duhet ti marrin biçikletat e tyre personale të cilat transportohen me autobusë dhe kamion përcjellës nga qytetet e tyre. Kushdo që nuk posedon biçikletë personale do të ketë mundësinë e marrjes me qira për një shumë simbolike prej €10 dhe atë në Vushtrri tek START-i. Numri i biçikletave me qira është i kufizuar, andaj ju sugjerojmë t'i rezervoni ato më herët tek organizatorët përmes kontakteve që i keni më poshtë.
10. Në START, përpos vizitës në Kala, grupe të interesuara do të kenë mundësi të vizitojnë Hamamin dhe Urën e Vjetër të Gurit nën përcjellje të ciceronëve.
11. Përcjellja policore në fillim dhe fund të turit, dy auto-ambulanca në shërbim të pjesëmarrësve në rast nevoje si dhe mekanikët e biçikletave do të na shoqërojnë përgjatë gjithë turit.
12. Në rast se dëshironi të jeni pjesë e turit por nuk keni mundësi të ngisni biçikletë apo nëse gjatë rrugëtimit ndiheni të lodhur dhe nuk mund të vazhdoni tutje, në fund të kolonës do të keni në dispozicionin tuaj një autobus shtesë i cili do t'ju dërgojë në vend-ndaljen e radhës. Pra, prisni autobusin në fund të turit dhe bashkangjituni.
13. Përpos ofrimit të ndihmës së shpejtë, në rast nevoje, organizatorët nuk marrin përgjegjësi për sigurimin e përgjithshëm shëndetësor. Ju duhet të kujdeseni për pajisjet, shëndetin dhe logjistikën tuaj në çdo kohë. Pra, pjesëmarrja juaj është plotësisht në përgjegjësinë tuaj!
14. Lusim pjesëmarrësit që t'i përcjellin të gjitha këshillat e organizatorëve dhe të policisë në mënyrë që të sigurohet mbarëvajtja e këtij aktiviteti.
15. Për çdo paqartësi, rezervim të biçikletave apo informatë shtesë (para dhe gjatë turit) mund të na kontaktoni përmes:
Facebook: Tour de Culture Kosovo e-mail: [email protected] tel: 038 243 918, 044 692 384, 049 372 639