Mar 06 - 2019

Mbyllet faza emergjente në urën më emblematike të Gjakovës

Një nga dhjetë urat më të mëdha të rajonit, Ura e Terzive ka shërbyer për lidhje të tregtisë në mes të komuniteteve të ndryshme dhe me një rëndësi të veçantë arkitektonike ajo përfaqëson një simbol të së kaluarës, si dhe është një monument që përfaqëson domosdoshmërinë dhe jetën.

Foto ura t (19)

Punimet ndërhyrëse filluan më 13 korrik 2015 dhe kanë përfunduar më 18 shtator 2015. Qëllimi kryesor i trajtimit ishte konsolidimi i urës, i fokusuar kryesisht në pjesët më të dëmtuara të strukturës të shkaktuara nga mos mirëmbajtja dhe vërshimet e viteve të fundit në lumin Erenik. Ura e Terzive në fshatin Bishtazhin të Gjakovës është trajtuar si pjesë e programit të Intervenimit Emergjent Kulturor, financuar nga Fondi Prince Claus për Kulturë dhe Zhvillim në bashkëpunim me zyrën e CHwB-së në Kosovë. Ky monument ishte poashtu një nga prioritetet për ndërhyrje, të identifikuara në Planin Lokal të Trashëgimisë Kulturore të Gjakovës. Ky plan është zhvilluar në kuadër të Programit të Planeve Lokale të Trashëgimisë Kulturore në 7 komuna të Kosovës.

Foto ura t (24) Foto ura t (25)

Punimet filluan me pastrimin e kolonizimit biologjik në parterin e urës në të dyja anët 6 metra nga perimetri i saj dhe shtresës me kalldrëm të ndërtesës. Pastrimi i drunjve, shkurreve dhe barit është bërë mekanikisht dhe me ekskavator.

Shputat e dëmtuara të urës janë restauruar me gurë të gdhendur në majën e harqeve dhe janë plotësuar me gurë të njëjtë si origjinalët, të lidhur me llaç gëlqeror, në pjesët ku gurët kanë munguar. Pas hapjes së hendeqeve përreth shputave dhe pas tharjes së ujit është shtruar një shtresë betoni të thjeshtë me trashësi 40-60cm. Më pas është bërë kallupimi sipas formës të paraqitur në projektin detal, dhe struktura është përforcuar me një shtresë të betonit të armuar të cilësisë së lartë.

Foto ura t (22)  Foto ura t (23)

Pas pastrimit të rrethinës së urës nga kolonizimi biologjik, janë identifikuar disa dëmtime serioze të shputave tjera të urës, në drejtim të Gjakovës. Dëmtimet në shputa ishin të ndryshme, kryesisht gurë qe mungonin, gurë të eroduar apo dëmtime të shkaktuara nga kushtet atmosferike dhe kolonizimit biologjik. Trajtimi ka filluar fillimisht me pastrimin e kolonizimit biologjik në shputa, pastaj me mbushjen e tyre me gurë të njëjtë si origjinalët në pjesët ku mungonin.

Foto ura t (30)

Kalldrëmi në shtresën e sipërme të urës është restauruar duke vendosur gurë lumor të rinj të njëjtë si ata origjinal të lidhur me llaç gëlqeror në pjesët ishin ata mungonin. Muri anësor, shkallët dhe kalldrëmi i dëmtuar i urës në drejtim të Prizrenit janë restauruar duke vendosur gurë të lidhur me llaç gëlqeror në pjesët e dëmtuara.

Foto ura t (20)  Foto ura t (21)  Foto ura t (27)


Postimi i kaluar


Mar 06 - 2019

Ceremonia e inaugurimit në kishën mesjetare Shën Shpëtimi


Postimi i rradhës


Mar 06 - 2019

Deklaratë e shoqërisë civile pas dështimit të anëtarësimit të Kosovës në UNESCO