Mar 06 - 2019

Mentorët e edicionit të dytë të Heritage Space

Pesë mentorë ofrojnë ekspertizën e tyre në edicionin e dytë të Heritage Space. Kuptoni më shumë për pritshmëritë e tyre nga kjo thirrje!

1. Adaptimi i ndërtesave historike

 Nol Binakaj – Arkitekt dhe ekspert i trashëgimisë kulturore

https://www.youtube.com/watch?v=SmtbgkybS8E

Çdo ditë e më shumë jemi duke u pajtuar që konservimi i ndërtesave historike, është element rrënjësor me impakt ekonomik, shoqëror e kulturor tek komuniteti. Ruajtja e çdo ndërtese me vlerë kërkon një bashkërendim të parimeve të konservimit dhe dizajnit të qëndrueshëm.

Ripërdorimi i ndërtesave është alternative më e mirë kundrejt rrënimit, marrë parasysh  kursimin e resurseve dhe krijimin e mbetjeve minimale për t’u trajtuar.

Nga pjesëmarrësit e platformës Heritage Space priten ide kreative për ripërdorimin e ndërtesave historike, shfrytëzim të hapësirave nëpërmjet skenarëve atraktiv përmes përdorimit të materialeve të qëndrueshme, e që kanë në fokus plotësimin e nevojave të komunitetit.

2. Video krijues

Veton Nurkollari – Kurator dhe drejtor artistik i festivalit t filmit dokumentar “DokuFest”

https://www.youtube.com/watch?v=9qBezYD9K-8

Çfarë pres unë nga ju?

Një njohuri elementare, si për trashëgiminë kulturore ashtu edhe për mediumin e videos është parakusht për t'i zhvilluar idetë kreative, prandaj investoni pak kohë në to para se të aplikoni.

Mos kufizoni idetë vetëm në ndërtesa ose objekte, trashëgimia është shumë më shumë se vetëm ato. Mos ngurroni me pyt, ndoshta dikush nga të afërmit mund t’ju tregoj ndonjë tregim interesant për lagjen që rrezikohet nga ndërtimet, për kinemanë e dikurshme ku prindërit kanë kaluar çastet e bukura, për kroin, mullirin apo ushqimin e preferuar të cilën gjyshja e përgatiste dikur e i cili i mungon babait aq shumë sot.

Po ashtu mos u brengosni shumë se si këto ide do të shndërrohen në një film ose video të shkurtër, unë do t’ju udhëheqi me kënaqësi nëpër këtë rrugëtim. Me mua do të konsultoheni, do të shikojmë filma bashkërisht dhe unë do të mundohem të ofroj zgjidhje për çfarëdo problemi që mund të paraqitet në ndërkohë, si ato estetike dhe narrative por po ashtu edhe teknike.

Ajo çka pres nga ju është të jeni mendje hapur, të motivuar dhe të gatshëm të investoni kohën dhe energjinë tuaj në realizimin e projektit. Tjerat nuk janë edhe aq të rëndësishme.

3. Interpretim (Storytelling)

Jeton Jagxhiu – Grafist

https://www.youtube.com/watch?v=QbRoNEQUJXU

“Folsh me gishta”

Ma trego përvojën tande dost. Dëftoma një rrëfim që ka të bëjë me rrënjët e tua.

Rrëfehu për fillet e dashnive tua, prejardhjen e tutës tande, lakmitë, ballonin ku jeton, ikjet prej saj, kthimet në të, prejardhjen tande, opingat kolektive, bukën që e han, kujtimin më të hershëm, andrrën ma t’bukur, paret që i ke në xhep, turpin, hakmarrjen që e planifikon, momentin e zbulimit të gjinisë, shpikjen tande, fluturimet, shkeljen e parë në sipërfaqen e hënës, sustën tande të fshehtë, çejzin që je tu e përgatit, tundjet, mëkatin dhe gjërat tjera që për një arsye a tjetër ende s’ke pas mundësi me i thanë.

Mos u tut dost. Ndaç nisja prej shpisë, ndaç jepja prej qytetit, ndaç tregona prej djeshit, ndaç futja si Burdushi. Ban me tregu edhe me gojë, por ban edhe me shkrim. Ndaç shkrep syreta, ndaç ilustro stripa, e që don vizato në faculetë, ama mundesh edhe me knue. Nëse hiç nuk din ndryshe, atëherë “fol me gishta”.

Po mos rrej shumë, aman.

Unë do të jem mentori yt për me e zanë tregimin tand dhe pres me mësue diçka prej teje. Më shumë hollësi rreth projektit mund të gjeni në ueb faqen e CHwB-së.

4. Teknologji informative

Milot Shala – Inxhinier softuerik

https://www.youtube.com/watch?v=h3T6woYs6S0

Jemi duke jetuar në një nga shtetet më të bukura dhe historike, me trashëgimi të pasur kulturore. Edhe pse koha ka ndryshuar dhe ne jemi duke jetuar në një kohë digjitale me çdo gjë duke u digjitalizuar dhe informatat tani janë në dispozicion në të gjitha platformat digjitale si You Tube, në ndonjë aplikacion ose si eksperiencë e Realitetit Virtual. Trashëgimia jonë kulturore është shumë e çmuar për ne dhe platforma Heritage Space e CHwB-së është një mënyrë për të na ndihmuar të njihemi dhe të ofrojmë diçka që do ti lejnë përshtypje vizitorëve nga e gjithë bota, por në të njëjtën kohë, edhe bëjmë përshtypje vetes.

Ne duam të ofrojmë diçka për vendin tonë dhe trashëgiminë tonë kulturore që është interaktive, e hijshme dhe e dobishme. Sot ne kemi qasje në API dhe SDK të ndryshme dhe ne mund të zhvillojmë shumë gjëra të bazuara në teknologji të ndryshme të tilla si Google Maps dhe Daydream VR, ne kemi SDK në dispozicion për platforma të ndryshme që synojnë miliona pajisje dhe përdorues.

Nëse ju doni të jenë pjesë e diçka të madhe dhe të mësoni gjëra të reja nga të dy ekspertët në industrinë e softuerit dhe të bashkëpunoni me krijues të tjerë si ju, atëherë bëhuni pjesë e Heritage Space dhe mahnituni nga ajo që ju mund të krijoni.

5. Dizajn mode

Flutura Dedinja – Dizajnere mode

https://www.youtube.com/watch?v=H7BAD_hHKY4

Teshës i ka hup vlera! Hajde t’ia kthejna vlerën...

Dikur veku so nal. Imagjinata e thurjeve veç ma shumë ka përparu... Teknologjia e pëlhurave osht avansu shumë... E tash pi ndjekim trendet, si krejt bota njejtë diqysh!

Osht mirë mu kthy e me pa traditën tonë e kulturën tonë, qe osht plot e përplot me kreativitet. S’di a e keni vërejt që e kemi një nostalgji për teshat e nanës e babës. Na ndryshon pulsi kur shohim diçka te bukur qe ta ka punu gjyshja. E le mo me pa diçka shumë ma të vjetër se gjyshja e stërgjyshja...

Ujin e nxehtë sun e zbulojmë! Ama ka hapësirë për diçka të re, diçka që kena me ja lon amanet qikës a nuses së djalit. E ata, stërnipave të vet. Trashëgimia është pasuri. Ti tregon kah i ki rrojt, jo veç me objekte, po edhe me tesha.

Hajde po krijojnë diçka të bukur me vlerë - Me ja lon amanet najkujt. Ta bojmë trashëgiminë kulturore hala ma të pasun. Se kjo punë nuk ndalet.

Bonu pjesë e këtij projekti të CHwB Kosova, bashkë me mu.


Postimi i kaluar


Mar 06 - 2019

Thirrje për aplikim - Edicioni i dytë i Heritage Space


Postimi i rradhës


Mar 06 - 2019

"Heritage Space është inspirim..."