Mar 07 - 2019
Më 12 maj 2015, nën sharmin e sallës barok të Altes Rathaus të Vjenës, mezzo-sopranoja kosovare Flaka Goranci mbajti koncertin dhe promovimin e albumit me këngë shqiptare nga treva të ndryshme të Kosovës dhe Shqipërisë. Albumi i titulluar “Albanian flowers (Lulet shqiptare)” përmban një libërth me 30 faqe, ku të përfshira janë tekstet e këngëve në gjuhë shqipe, angleze dhe gjermane, një përshkrim i muzikës shqipe si dhe fotografi e peizazhe nga trevat më të bukura të Kosovës dhe Shqipërisë.
“Ideja për realizimin e një albumi ndërkombëtar ka për qëllim pikërisht njohjen e vlerave tona kulturore në botë. Synimi kryesor ka qenë që CD-ja të arrijë sidomos në arenën ndërkombëtare, duke qenë një informator i kulturës muzikore shqiptare, trashëgimisë kulturore, poetike, vizuale etj.”, tha pas koncertit Flaka Goranci.
Gjatë muajit nëntor të këtij viti, pritet të bëhet edhe promovimi i albumit në Kosovë, duke u kurorëzuar edhe me koncert në Prishtinë dhe në vendlindjen e artistes, në Gjakovë.
Ky projekt është përkrahur nga Ministria e Kulturës së Kosovës, Ministria e Kulturës së Shqipërisë, Trashëgimia Kulturore pa Kufij- zyra në Kosovë, Komuna e Gjakovës, Ministria e Diasporës së Kosovës, Ministria e Jashtme e Austrisë, Ambasada e Austrisë në Kosovë, Ambasada e Kosovës në Austri, Ministria e Integrimeve të Austrisë dhe Bank Austria.
Flaka Goranci ka lindur në Kosovë. Në moshën 7 vjeçare ajo filloi studimet në piano në vendlindjen e saj, Gjakovë. Pas përfundimit të studimeve në këndim në akademinë e muzikës në Tiranë me Prof. Suzana Frashëri, ajo fitoi një bursë nga shkolla “Buchmann-Mehta School of Music”, Tel Aviv, duke vazhduar më pas me studimet master dy vjeçare me Prof. Tamara Rachum. Ajo mori mësime private në interpretimin e Lied dhe Oratoriome Prof. Walter Moore në Vjenë. Ajo fitoi bursë nga "Hildegard Zadek Stiftung" në Vjenë, që mbështet këngëtarët e rinj operistik. Në moshën 22 vjeçare, ajo dha debutimin e saj si Rosina në "Berberin e Seviljës" të Rossinit në Operën Kombëtare në Tiranë, Shqipëri. Rolet tjera përfshijnë p.sh. Cherubino, Dido, Dorabella, Die Mutter, Bojana. Repertori i saj përfshin vepra nga Schubert, Schumann, Brahms, Mahler, Berio dhe të tjerë. Njëkohësisht, Goranci ka qenë duke punuar në këtë projekt të CD-së që prej dy vitesh, lidhur me idenë se muzika shqiptare nga Shqipëria dhe Kosova duhet të jetë më e njohur në botë.
Për blerjen online të CD-së "Lulet Shqiptare", klikoni këtu.
[caption id="attachment_4513" align="alignnone" width="604"] Mennan Bërveniku (piano), Flaka Goranci (mezzo soprano), Adela Frasineanu (violinë), Edison Pashko (violonçelo). Foto: Bardh Sokoli[/caption]