Mar 07 - 2019
Gjatë periudhës janar - qershor 2014, nën udhëheqjen e zyrës së CHwB në Kosovë dhe në bashkëpunim me anëtarët e shoqërisë civile të përfaqësuara në Forumin Lokal të Trashëgimisë Kulturore të Parteshit është zbatuar projekti “Ta njohim trashëgiminë kulturore të Kosovës”. Në kuadër të këtij projekti, nën përcjellje të ciceronëve janë organizuar vizita të ndryshme edukative nëpër lokalitete të ndryshme të trashëgimisë kulturore. Qëllimi i vizitave ka qenë përfshirja dhe njohja e të rinjve të komunës së Parteshit me diversitetin dhe vlerat e trashëgimisë kulturore të Kosovës.
Gjatë vizitës në Pejë
Gjatë këtij projekti janë organizuar gjashtë vizita edukative, katër prej të cilave janë mbajtur në Prizren dhe dy të tjera në qytetin e Pejës dhe Deçanit. Gjatë vizitave, fëmijët kanë qenë të shoqëruar nga profesorë dhe prindër të tyre. Veçantia e këtyre vizitave ishte se ky program është organizuar për herë të parë për nxënësit e kësaj komune me shumicë serbe. Pjesëmarrësit patën mundësinë të njihen me mozaikun e larmishëm të vendit tonë, duke përfshirë njohjen me kulturat e ndryshme lokale, monumente të konfesioneve dhe të tipologjive të ndryshme.
Gjatë vizitës në Deçan
Grupet përfituese të projektit kanë qenë nxënësit e shkollave të mesme të kësaj komune, duke përfshirë shkollën e bujqësisë dhe ekonomisë nga fshati Partesh dhe shkollën e mjekësisë dhe gjimnazin nga fshati Pasjan. Në kuadër të vizitave janë organizuar edhe sesione të përbashkëta me nxënës ku merreshin përshtypjet e tyre rreth lokaliteteve të vizituara. Bazuar edhe në vlerësimet anonime të mbajtura me pjesëmarrës, shumica e tyre kanë qenë shumë të kënaqur me organizimin dhe vizitat e realizuara, duke shprehur entuziazmin e tyre që në të ardhmen të organizohen edhe vizita në lokalitete tjera.
Gjatë vizitës në Prizren
Përmes kësaj iniciative, mbi 230 pjesëmarrës patën mundësi që kuriozitetin e tyre ta pasurojnë me njohuritë e reja mbi të mirat kulturore që i rrethojnë, si dhe ti thyejnë paragjykimet mbi trashëgiminë kulturore të komuniteteve të tjera që jetojnë në Kosovë. Për më tepër, ata zhvilluan ndjenjën e përkatësisë, vetëdijen kritike si dhe ndjenjën e respektit e të ruajtjes së diversitetit kulturor, si një faktor të rëndësishëm në procesin e pajtimit.
Gjatë vizitës në Prizren
Projekti “Ta njohim trashëgiminë kulturore të Kosovës” ka qenë një nga prioritetet e Planit Lokal të Trashëgimisë Kulturore të Parteshit. Ky plan është hartuar nga CHwB, Komuna e Parteshit dhe institucione tjera të nivelit qendror në kuadër të Programit të Planeve Lokale të Trashëgimisë Kulturore 2012-2015.