Mar 06 - 2019
Gjatë këtij muaji, në Komunën e Vushtrrisë, Trashëgimia Kulturore pa Kufij (CHwB) zyra në Kosovë ka organizuar kuizin e diturisë "Trashëgimia fillon me ty". Ky është kuiz i parë i llojit të vet, që përfshinë tematikën e trashëgimisë kulturore që është organizuar në këtë komunë por edhe më gjerë në Kosovë.
Ky projekt ka synuar që përmes një qasjeje inovative të rriten njohuritë e të rinjve të Vushtrrisë mbi trashëgiminë kulturore e natyrore dhe si rezultat nxënësit pjesëmarrës të jenë promovues të trashëgimisë sonë të pasur kulturore. Projekti është organizuar në partneritet me Komunën e Vushtrrisë dhe me përkrahjen financiare të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Për më tepër, ajo është promovuar përmes televizionit Tribuna Channel edhe radios lokale Vicianum.
https://www.youtube.com/watch?v=JAZ2RKMtMtM&feature=youtu.be
Në këtë projekt janë ftuar të gjitha shkollat e mesme të ulëta (klasat VI, VII, VIII dhe IX) dhe mesme të larta (klasat X, XI dhe XII) të Komunës së Vushtrrisë, çdo shkollë duke formuar ekipe me 4 nxënës. Duke e marrë parasysh që nxënësit e këtyre shkollave nuk kanë lëndë të posaçme mbi trashëgimi, CHwB ka përgatitur dhe shpërndarë literaturë të gjerë me informata mbi trashëgiminë lokale, kombëtare dhe asaj botërore në mënyrë që nxënësit të përgatiten për garë. Ftesës për garë i janë përgjigjur gjithsej 7 shkolla me të cilët janë organizuar 3 raunde të garës.
Në raundin e parë të gjysmëfinales mes shkollave të mesme të ulëta, të mbajtur më 12 dhjetor, kanë garuar “Shkolla e mesme e Ulët 1” nga qyteti i Vushtrrisë me shkollën”Nazmi Zhegrova” nga fshati Stanofc i Poshtëm, ku fitues doli të jetë ”Shkolla e Mesme e Ulët 1”. Poashtu, në këtë raund garuan shkolla “Enver Hadri” nga fshati Smrekonicë dhe ajo”Gjergj Kastrioti Skënderbeu” nga fshati Pantinë, ku fitues doli të jetë shkolla ”Enver Hadri”. Gjatë këtij raundi, nxënësit u ballafaquan me 10 pyetje të tipit: pyetje me përgjigje me disa opcione, me përgjigje direkte dhe me fotografi. Në fund të garës, drejtoresha e shkollës fillore nga Pantina u shpreh se: "Ky organizim ishte metodë shumë efektive që nxënësit të mësojnë për trashëgiminë kulturore dhe e shoh shumë të nevojshme që ky aktivitet të organizohet përsëri dhe jo vetem ne Vushtrri por edhe në komunat tjera të Kosovës".
Në raundin e dytë, atë të finales mes shkollave të mesme të ulëta, të mbajtur më 19 dhjetor, u ballafaquan fituesit e arritur nga gjysmëfinalja: “Shkolla e Mesme e Ulët 1” me shkollën “Enver Hadri”. Pas një gare të ngushtë fitues doli të jetë shkolla ”Enver Hadri” nga fshati Smrekonicë. Gjatë këtij raundi nxënësit u ballafaquan me lojën e mozaikut të trashëgimisë kulturore dhe natyrore dhe 12 pyetje të tipit: pyetje me përgjigje me disa opsione, me përgjigje direkte dhe me fotografi.
Në raundin e tretë, atë të finales mes shkollave të mesme të larta, të mbajtur më 24 dhjetor, u ballafaquan 3 shkolla të qytetit të Vushtrrisë: Gjimnazi “Eqrem Qabej”, Shkolla e Mesme Teknike “Lutfi Musiqi’ dhe Shkolla e Mesme Profesionale “Basri Haxha”. Pas një gare intensive dhe emocionale fitues doli gjimnazi “Eqrem Qabej”. Edhe gjatë këtij raundi, nxënësit u ballafaquan me 10 pyetje të tipit: pyetje me përgjigje me disa opsione, me përgjigje direkte dhe me foto.
Ky projekt ka qenë pjesë e prioriteteve të Planit Lokal të Trashëgimisë Kulturore të kësaj komune. Ky plan është hartuar nga CHwB, Komuna e Vushtrrisë dhe institucione tjera të nivelit qendror në kuadër të Programit të Planeve Lokale të Trashëgimisë Kulturore dhe bashkë-financohet nga shteti Suedez, përmes CHwB-së dhe Komunës së Vushtrrisë.