Jun 19 - 2014

Përfundon restaurimi i hamamit të Vushtrrisë

VushHammNewsHome

Që prej muajit Nëntor të vitit 2012, Trashëgimia Kulturore pa Kufij zyra në Kosovë me përkrahje financiare nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, dhe në partneritet me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komunën e Vushtrrisë, ka filluar implementimin e Konservimit dhe Restaurimit të Hamamit të Vushtrrisë, monument i trashëgimisë arkitekturale.

Hamami në Vushtrri gjendet në qendër të qytetit dhe përbëhet prej strukturave ndërtimore me shtresëzime nga periudha të ndryshme historike. Ky Hamam, ndoshta të njëjtës kohë me xhaminë e Gazi Ali Beut në Vushtrri (shek. XV), është një nga hamamet më të hershme në Ballkan. Sipas burimeve historike, Hamami i Vushtrrisë është ndërtuar në dy faza. Pjesa e ambientit hyrës me gur shtufi thuhet se është ndërtuar në shek. XVII, ndërsa ambientet tjera me 3 kupola janë ndërtuar në fund të shek. XV. Ky Hamami shërbente si banjë publike për meshkuj dhe femra, të cilët e përdornin me radhë në ditë të caktuara. Hamami është përdorur si i tillë deri në fund të viteve ’70.

Pjesa e parë e projektit është fokusuar në përpilimin e planit të konservimit, dokumentimin e gjendjes ekzistuese, hulumtimin e historikut dhe dokumentacioneve përkatëse mbi të cilat janë dhënë sygjerimet për trajtimin e mëtejshëm të ndërtesës. Gjatë dokumentimit janë identifikuar problemet kyçe në ndërtesë si: dëmtimet e ndryshme që janë shkaktuar me kalimin e kohës si pasojë e kushteve atmosferike, problemet konstruktive, trajtimet e gabuara dhe vandalizmi.

VushHammNews02VushHammNews03

Si rezultat i hulumtimeve të bëra në terren është bërë edhe prioritizimi i dëmtimeve. Intervenimet në hamam ishin të pjesëshme dhe kryesisht u fokusuan në konsolidimin e strukturës ekzistuese në tërësi, rindërtimin e pjesëve të mureve të rrënuara, largimin e  shtresave të çimentos që ishin aplikuar në mënyrë joadekuate dhe zëvendësimin me llaç me përbërje të njëjtë si origjinali, konsolidimin e kupolave nga brenda dhe jashtë si dhe mbulimin e gjithë hamamit me tjegulla. Konsolidimi i strukturës ekzistuese të ndërtesës ka qenë nja nga sfidat më të mëdha të punës dhe krahas rindërtimit të mureve të rënuara është bërë mbushja e çarjeve nëpërmjet metodës së injektimit. Janë konsoliduar sipërfaqet e kupolave të vogla dhe janë kryer ndërhyrje konsoliduese në kupolën qëndrore me injektim dhe me breza të karbonit. Gjithashtu janë trajtuar edhe elementet më me rëndësi të eksterierit të cilat ishin të dëmtuara si: kurorat prej guri në muret perimetrike e në kupola, konsolidimi i gurëve të derës dhe dritareve si dhe janë pastruar fugat mes gurëve në fasadat e ndërtesës të cilat janë rimbushur me llaç gëlqeror.

VushHammNews04

Duhet theksuar që gjatë procesit të restaurimit janë përdorur materiale dhe teknika tradicionale . Ky proces ka shërbyer gjithashtu dhe për të rritur kapacitetet e mjeshtërve lokalë duke bërë që këto teknika të ripërtërihen e të shtohet interesimi për mënyreën tradicionale të ndërtimit.

VushHammNews05 VushHammNews06

Punimet e parapara kanë përfunduar brenda afatit të përcaktuar, pra në javën e parë të muajit Qërshor 2014, ndërkaq investimi total i të gjitha fazave të lartpërmendura ka qenë në shumën prej 132,435.00 $.

Me këtë rast CHwB zyra në Kosovë falenderon Ambasadën Amerikane në Prishtinë si donatorë të përkushtuar në ruajtjen e trashëgimisë kulturore në Kosovë, si dhe gjithë partnerët dhe bashkëpuntorët të cilët kontribuan në realizimin e kësaj fazë.

Për informata tjera të përgjithshme mbi projektin klikoni këtu.


Postimi i kaluar


Jun 19 - 2014

Dy organizata të shoqërisë civile të Vushtrrisë mobilizojnë komunitetet e tyre për vetëdijësim mbi trashëgimi kulturore dhe natyrore


Postimi i rradhës


Jul 07 - 2014

Grant nga Fondi Princ Claus për shpëtimin e 3 monumenteve