Mar 07 - 2019
Qyteti i Vushtrrisë ka tashmë të konservuar dhe rijetezuar lokalitetin arkeologjik Kalaja e Vushtrrisë. Pas përfundimit të punimeve në një ceremoni përuruese kanë marrë pjesë Drejtori i CHwB-së, Sali Shoshi, Ambasadorja e SHBA-së në Prishtinë, Tracey Jacobson, Kryetari i Vushtrrisë, Bajram Mulaku, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Veton Firzi.
Sali Shoshi tha se CHwB-ja ka ndjekur parimin e konservimit të atyre pjesëve që kanë mbetur nga Kalaja, për të vijuarme krijimin e një hapësirë publike duke bërë shtimin e funksioneve që i nevojiten publikut ku është bërë edhe adaptimi i kullës për ta shfrytëzuar si hapsirë ekspozuese.
Ndërsa Ambasadorja e SHBA-së, Jacobson, shprehu se ky është një projekt i mrekullueshëm restaurues në kuadër të trashëgimisë kulturore të Kosovës. “Unë isha këtu ndoshta para një viti e gjysmë, dhe tani pamja është tërësisht ndryshe”, tha Jacobson duke theksuar se tani është krijuar një hapësirë të cilën publiku mund ta përdorë përsëri, duke përmendur edhe investimet në Hamamin e këtij qyteti.
Ndërkaq kryetari i Vushtrrisë, Bajram Mulaku vlerësoi investimin dhe projektin në restaurimin e Kalasë së Vushtrrisë. “Me restaurimin por edhe me funksionalizimin e këtij objekti por edhe të Hamamit, Vushtrria po merr një qasje të re në zhvillim të kulturës por edhe të turizmit”, tha Mulaku.
Kurse Sekretari i Përgjithshëm, Firzi, me këtë rast vlerësoi se Kalaja e Vushtrrisë është konsideruar gjithnjë me prioritet nga ana e MKRS-së ku edhe ka falënderuar edhe partnerët për ndihmën në kuadër të ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore.
---
Ruajtja dhe Mbrojtja e Kalasë së Vushtrrisë
Lokaliteti arkeologjik ‘Kalaja e Vushtrrisë’ gjendet në qendër të qytetit dhe përbëhet prej strukturave ndërtimore me shtresime nga periudha të ndryshme historike. Ndonëse është rindërtuar disa herë, Kalaja ka arritur të mbijetojë deri sot. Disa historianë sugjerojnë se Kalaja mund të jetë ndërtuar gjatë shekullit të 7-të gjatë epokës bizantine. Sugjerohet gjithashtu se Kalaja rrjedh nga periudha Iliro-Dardane. Për shkak të pozitës strategjike, në kohën kur është ndërtuar si dhe në kohën e sundimit Osman, Kalaja është përdorur për nevoja të ushtrisë. Gjatë sundimit osman thuhet që Kalaja është përdorur gjithashtu si burg dhe gjykatë turke. Pas kësaj ka shërbyer si depo armësh, përderisa kulla ka shërbyer si hambar dhe depo misri. Në shekullin e 20-të, Kalaja është shfrytëzuar si burg, torishte për hambar, fushë volejbolli, etj. Në vitet 1955-1958 Kalaja shfrytëzohej si kinema dhe restorant dhe në oborrin e brendshëm të saj ka qenë e vendosur një pllakë rrethore për kërcim-ballo. Ana jugore e saj, ku ishte edhe kabina për kino projektor, ka qenë e mbuluar me çati, ndërsa në murin e jashtëm të kullës shihen edhe sot pjesët metalike ku janë vendosur perdet për shfaqjen e filmave gjatë stinëve të ngrohta. Kalaja u përdor nga qytetarët deri në vitin 1962.
Si lokalitet arkeologjik, Kalaja e Vushtrrisë ka shumë vlera që tregojnë për rolin e saj në kontekstin përreth dhe funksionin e saj në mjedisin urban. Kalaja ka vlerë të madhe historike, si një simbol për qytetin dhe historinë e tij të gjatë. Edhe pse Kalasë i dedikohen përdorime të ndryshme, struktura e saj kryesore mbetet e njëjtë. Vlera e Kalasë së Vushtrrisë nuk qëndron vetëm në karakteristika individuale. Së bashku me Hamamin e vjetër të qytetit, Urën e Gurit dhe xhamitë, Kalaja kontribuon në krijimin e identitetit të së kaluarës së Vushtrrisë. Kalaja është ndërtuar në periudha të ndryshme kohore, si e tillë ajo ka shtresa të ndryshme të materialeve ndërtimore, konstruksionit dhe teknikave të ndërtimit. Këto ndërhyrje së bashku me proporcionet e hapësirave bëjnë që lokaliteti të ketë vlera arkitekturore. Elementet strukturore të Kalasë kanë qenë të amortizuara, të pa studiuara, të pa vlerësuara dhe afër dekompozimit të tërësishëm. Përveç vjetërsisë, lokaliteti është dëmtuar si pasojë e kushteve atmosferike, problemeve strukturale, trajtimeve të gabuara, ekspozimit ndaj zjarrit, vandalizmit, kolonizimi biologjik dhe ndotjes. Megjithatë, arsyeja kryesore e degradimit të saj ka qenë neglizhenca dhe jo mirëmbajtja.
Konservimi dhe adaptimi (rijetëzimi) i Kalasë së Vushtrrisë është planifikuar duke konsideruar statutin e saj të mbrojtjes, autenticitetin dhe integritetin. Meqenëse Kalaja është lokalitet arkeologjik i mbrojtur, secili intervenim që është bërë në strukturën e saj është reversibil. Shumica e materialeve të përdorura për konservim janë lokale dhe të njëjta me origjinalet ndërsa puna është bërë me teknika tradicionale të ndërtimit nga mjeshtërit vendor.
Përveç konservimit të strukturave të mbetura (mureve rrethuese dhe kullës), Kalaja e Vushtrrisë është adaptuar në një hapësirë shumë funksionale me qëllim edukimi dhe interpretimi (muze i hapur arkeologjik) dhe platformë për ngjarje artistike dhe kulturore. Adaptimi i Kalasë në funksion të ri u mundëson të gjithë njerëzve pa dallim moshe, gjinie, religjioni apo aftësie, qasje të lirshme dhe shfrytëzim të hapësira të lokalitetit. Punimet e adaptimit kanë filluar në Tetor 2013 dhe kanë përfunduar në Gusht 2014, prej kur ky lokalitet është hapur edhe për vizitorë.
Periudha e implementimit Shkurt 2012 - Gusht 2014
Donator:
Ky projekt u financua nga Ambasada e SHBA në Prishtinë
Partnerët:
Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komuna e Vushtrrisë
Kostoja:
358,000 euro