Mar 19 - 2015

Prezantim ndërkombëtar i planeve lokale të trashëgimisë

Nga 3 deri 6 shkurt 2015 në Kalanë Arenberg të qytetit të Leuven-it (Belgjikë) u mbajt konferenca ndërkombëtare “TRASHËGIMIA VLEN” në ndikimin ekonomik, social, mjedisor dhe kulturor të trashëgimisë.

luven 2

Foto: RLICC-Mario Santana

Agjenda katër ditore përfshiu më shumë se 30 prezantime rreth diskursit, strategjive dhe studimeve të rastit që kanë të bëjnë me ndikimet ekonomike, sociale, mjedisore dhe kulturore të trashëgimisë kulturore. Prezantuesit erdhën nga e gjithë Evropa si dhe nga Kina, Ekuadori, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara.

Në këtë konferencë Kosova u përfaqësua nga menaxheri i programit të CHwB-së, Enes Toska, me një rast studimi “Planet Lokale të Trashëgimisë Kulturore, nga vlerësimi ekskluziv profesional në të kuptuarit gjithëpërfshirës të shfrytëzimit të trashëgimisë kulturore – rasti i shtatë komunave në Kosovë”. Ky studim është bazuar në përvojat e Programit të Planeve Lokale të Trashëgimisë Kulturore në 7 komuna të Kosovës të zbatuar nga CHwB Kosova dhe të financuar nga Suedia.

luven 2 00 luven 2 01 luven 2 03 luven 2 04

Përmes këtij programi katër vjeçar, zyra e CHwB-së në Kosovë ka përvetësuar një qasje të re për mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore dhe natyrore. Këto plane kanë identifikuar pasuritë e trashëgimisë kulturore dhe natyrore që do të përdoren për zhvillimin ekonomik dhe social të komunave partnere të Dragashit, Gjakovës, Gjilanit, Kaçanikut, Parteshit, Rahovecit dhe Vushtrrisë. Procesi i zhvillimit të këtyre planeve ka përfshirë një gamë të gjerë të aktorëve vendorë të angazhuar në takime të ndryshme, punëtori, vizita studimore dhe konsultime publike. Përveç hartimit të planeve, ky program ka krijuar një standard të ri ku shumë prioritete të identifikuara në këto plane janë zbatuar në terren.

Një nga fokuset kryesore të programit ka qenë themelimi i Forumeve Lokale në çdo komunë partnere. Çdo Forum përbëhej nga gjithsej 20 anëtarë, me më shumë se gjysmën e anëtarëve nga komuna përkatëse, përfaqësues të institucioneve qendrore, autoritete lokale, organizata ndërkombëtare dhe shoqëria civile. Katër rolet kryesore të Forumeve ishin: komunikimi dhe koordinimi ndërinstitucional; trup vendimmarrës në hartimin e planeve dhe përcaktimin e prioriteteve; monitorimi dhe roli mbështetës në implementimin e prioriteteve të dala nga planet dhe partnerët implementues në një numër prioritetesh të dala nga planet. Me këtë qasje, njohuritë, aftësitë dhe të kuptuarit e rëndësisë së trashëgimisë kulturore, janë ngritur në mes të komuniteteve lokale për qëllime sociale, ekonomike dhe kulturore.

Për të gjitha temat e mbuluara në konferencë, shkarkoni programin e konferencës (në gjuhë angleze).


Postimi i kaluar


Mar 19 - 2015

SHPALLJE: Fituesit e bursës për trashëgimi kulturore


Postimi i rradhës


Mar 20 - 2015

Restaurimi i tempullit të Shën Dhimitrit në fshatin Sushicë