Mar 06 - 2019
Të premten mbrëma, pjesëmarrësit e kampit të 25-të Rajonal të Restaurimit u mblodhën në Prizren për të shenjuar fundin e një Kampi të sukesshëm dhe festuar arritjet e tyre. Përgjatë dy javëve, 20 pjesëmarrës nga 7 vende të ndryshme u mblodhën tok për të mësuar bazat e interpretimit të trashëgimisë dhe për të dalë me ide krijuese për interpretimin e Kalasë së Prizrenit për familjet vendase, femijët e shkollave dhe turistët kombëtarë dhe ndërkombëtarë. Ky kamp është i pari që fokusohej tërësisht në interpretimin e trashëgimisë.
Interpretimi është një specializim që po njeh një rritje të shpejtë në fushën muzeale dhe të trashëgimisë duke ndihmuar kuratorët dhe menaxherët të komunikojnë më mirë vlerat e trashëgimisë për vizitorët e tyre. Interpretimi është lidhja e njerëzve me vendin, duke e sjellë të shkuarën në të tashmen, krijuar përvoja mësimi ndëraktive dhe nxitur të menduarin kritik. Interpretimi përdor teknika të tilla si rrëfimi, guidat, panelet, instalacionet krijuese dhe median elektronike për të ndihmuar audiencat për të zbuluar vlerat e trashëgimisë.
Përgjatë kampit, pjesëmarrësit kaluan përmes një procesi interpretimi tejet intensiv, duke levizur sa nga teoria te praktika, dhe duke u fokusuar në metoda të ndryshme të interpretimit për të zbuluar për vizitorët vlerat joshëse të Kalasë së Prizrenit. Katër grupe pune u fokusuan në: 1. video/ rrëfimtari, 2. interpretimi i objekteve, 3. panelet dhe udhët e kalimeve, dhe 4. Interpretimi digjital dhe një faqe interneti.
Video/rrëfimtaria
Grupi që u fokusuan në videografi dhe historitë e rrëfyera shpenzoi shumë kohë në kala dhe nëpër rrugët e Prizrenit. Të ndihmuar nga një anëtar i Dokufest, ata regjistruan intervista me shumë qytetarë, të rinj e të vjetër, vendas e të huaj, për impresionet dhe përvojën e tyre në Kalanë e Prizrenit. Pjesëmarrësit e përdorën këtë fuqi të medias audiovizuale për të shprehur lidhjet personale që njerëzit kanë me trashëgiminë e tyre – nga turistët që shijojnë eksplorimin te një grua e moshuar që kujton pjesëmarrjen e saj në një dasëm të zhvilluar në Kala. Këto histori të rrëfyera, të cilat vijnë nga njerëz me përkatësi të ndryshme etnike, fetare dhe sociale, nxjerrin në pah diversitetin dhe shtresëzimet e Prizrenit.
Interpretimi i Objekteve
Zbulimet e fundit arkeologjike po shpalosin shumë histori të fshehura për këtë vend, duke na ndihmuar për të kuptuar domethënien e tij historike dhe sesi kalaja është ndërtuar dhe ka kontribuar për jetën shtëpiake dhe ushtarake të Prizrenit. Grupi që u mor me interpretimin e objekteve shpërfaqën sesi secili prej këtyre objekteve mund të rrëfejë historinë e qytetit. Ata përdorën një vazhdë objektesh si një mënyrë për të lidhur muzetë vendorë me kalanë. Ata gjithashtu risollën trashëgiminë në të sotmen duke shfaqur lidhjet mes shumë prej objekteve origjinale të gjetura në kështjellë dhe mjeshtëritë e pasura që vijojnë sot në Prizren.
Panelet dhe udhët e kalimeve
Grupi i paneleve dhe udhëve të kalimit zhvilloi tri shtigje të ndryshme në dhe përmes kalasë, secila me objektiva të ndryshëm dhe për lloje të ndryshme vizitorësh. Udha më e drejtpërdrejtë për në kala përmes qendrës historike përmban “Udhëtimin e Gurit”, që u rrëfen fëmijëve (të të gjitha moshave!) sesi gurët e kalasë janë të shpërndarë në të gjithë qytetin — një mundësi kjo për t’i mësuar për shtresëzimet historike dhe përdorimin e trashëgimisë në Prizren. “Udha e Marashit” është një rrugëtim më i gjatë për ecje në këmbë dhe biçikletë, e cila i çon vizitorët në një gjurmë të bukur të natyrës e mandej në hyrjen e pasme të kalasë. Si përfundim, një rrugëtim i quajtur “Zbulimi i shtresëzimeve të jetës” arrin në të gjitha pikat kryesore brenda mureve të kalasë, duke shpalosur zbulime befasuese në lidhje me jetën e njerëzve që kanë përdorur kalanë ndër shekuj.
Interpretimi digjital dhe faqja e internetit
Grupi që u fokusua më interpretimin digjital arriti të ndërtojë një faqe interneti të re për Kalanë e Prizrenit, të cilën mund ta vizitoni në prizrencastle.org. Kjo faqe interneti ofron një pasqyrim të arritshëm lehtësisht për kalanë, si dhe lidh idetë e interpretimit të hedhura nga grupet e tjera. Faqja nxjerr në pah tri temat kryesore të këtij kampi: vendin, jetën dhe shtresëzimet.
Kampi i Interpretimit në Prizren përmbyll Kampet Rajonale të Restaurimit për vitin 2015. Sigurohuni të kontrolloni faqen tonë të internetit dhe faqen e Facebook-ut të Kampeve Rajonale të Restaurimit në fillim të vitit 2016 për shpalljen e kampeve të vitit të ardhshëm.