Aug 11 - 2015
Draft dokumenti i Planit Rregullues të Hollësishëm (PRrH) për Qendrën e Vjetër të Qytetit të Rahovecit në fund të verës do të del në shqyrtim publik sipas dispozitave ligjore ne fuqi. Nevoja e hartimit të këtij dokumenti, që ka filluar në Tetor të vitit 2014, para se të hartohet Harta Zonale e Komunës është pasojë e gjendjes jo të mirë të objekteve dhe monumenteve të trashëgimisë kulturore në këtë pjesë të qytetit. Projekti është pjesë e prioriteteve të Planit Lokal të Trashëgimisë Kulturore të kësaj komune. Ky plan është hartuar nga CHwB, Komuna e Rahovecit dhe institucione tjera të nivelit qendror në kuadër të Programit të Planeve Lokale të Trashëgimisë Kulturore dhe bashkë-financohet nga shteti Suedez, përmes CHwB-së dhe Komunës së Rahovecit.
Sipas hulumtimeve të deritashme në qytetin e Rahovecit janë identifikuar 30 ndërtesa të trashëgimisë kulturore të kategorizuara si monumente (xhami, teqe, kulla, shtëpi, konaqe, dhe kroje publike). Nga kjo listë e monumenteve, 9 janë të evidentuara në Listën e trashëgimisë kulturore për mbrojtje të përkohshme të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe në Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren. Pjesa tjetër e ndërtesave konsiderohen si objekte potenciale për të hyrë në këtë listë, dhe si të tilla do të jenë edhe pjesë e trajtimit të këtij dokumenti.
Drejtoria e Urbanizmit, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit (DUPMM) e Komunës së Rahovecit në bashkëpunim më CHwB është përcaktuar që procesi i hartimit të Planit Rregullues të Hollësishëm (PRrH) për Qendrën e Vjetër të Qytetit të Rahovecit të jetë pjesëmarrës dhe gjithëpërfshirës. DUPMM ka përcaktuar stafin përgjegjës për të menaxhuar procesin e hartimit të PRrH-së dhe ka organizuar banorët e zonës në një Grup Këshillues të Komunitetit. Në të njëjtën kohë është angazhuar një OJQ lokale për të shërbyer si urë lidhëse në mes të DUPMM dhe komunitetit.
Grupi Këshillues i Komunitetit është konsultuar që nga fillimi i procesit të hartimit të këtij plani, duke filluar nga: (1) Gjendja ekzistuese; (2) Vizioni, Qëllimet, dhe Objektivat; (3) Përcaktimi i bërthamës së vjetër; (4) Rregullat për zhvillim; dhe (5) Dispozitat për zbatim. Duke respektuar Udhëzimin Administrativ për Përgjegjësitë dhe Procedurat për Pjesëmarrjen e Publikut në Planifikim Hapësinor për të gjitha kaptinat e sipërpërmendura janë organizuar punëtori të veçanta për të marrë kontributin e Grupit Këshillues të Komunitetit dhe të banorëve të zonës së trajtuar me plan.
Zona e bërthamës historike të qytetit përbëhet nga çdo ndërtesë dhe monument me vlerë së bashku me rrezen prej 50 metra duke filluar nga këndet e parcelës në të cilën gjenden ndërtesat. Si e tillë, bërthama e qytetit i nënshtrohet rregullave të dyfishta për zhvillim. Së pari, parcelat dhe ndërtesat në bërthamën e qytetit do t’ju nënshtrohen rregullave urbane për zhvillim varësisht në cilën zonë gjenden që është përcaktuar nga harta e shfrytëzimit të tokës, dhe së dyti, kjo zonë i nënshtrohet rregullave shtesë të trashëgimisë kulturore. Kjo nuk nënkupton që zhvillimet në këtë zonë do të ndalen, por që çdo zhvillim në këtë zonë sidomos përmirësimet fizike dhe fasadat e objekteve duhen të jenë në harmoni me ndërtesat me vlerë të trashëgimisë kulturore.
Për të analizuar gjendjen ekzistuese të zonës së trajtuar me plan, është zhvilluar gjithashtu një hulumtim socio-ekonomik derë me derë me banorët e zonës. Krahas kësaj, është punuar analiza e Përparësive, Mangësive, Mundësive dhe Kërcënimeve (Analiza SWOT) i cili si mjet shërben për të caktuar prioritetet strategjike në të cilat duhet të fokusohen investimet e sektorit publik dhe atij privat për të përmirësuar gjendjen në këtë zonë. Në të njëjtën kohë kjo analizë shërben si bazë për të përcaktuar vizionin, qëllimet dhe objektivat e planit. Kjo analizë është punuar në një punëtori së bashku me Grupin Këshillues të Komunitetit.
Të gjitha të dhënat nga ky proces janë strukturuar, përpunuar dhe verifikuar në bashkëpunim më Grupin Këshillues të Komunitetit, stafin e DUMM dhe sektorët tjerë relevant në komunë, për të pasqyruar gjendjen reale duke marrë parasysh problemet, vlerat dhe interesat e banorëve të zonës. Analiza e gjendjes ekzistuese ka shpier deri tek një vizion dhe plan real për zbatim.