Shtëpia e familjes Rekathati, gjendet në bërthamën e vjetër të qytetit të Prizrenit dhe është e ndërtuar në shekullin XIX. Është shembull i arkitekturës orientale-vendore nën ndikimin e arkitekturës austro-hungareze, gjë që vërehet sidomos në fasadën ballore. Përveç dekorimeve në eksterier, ndërtesa është mjaft e pasur me elemente etnografike edhe në enterier.
Karakteristikë për ndërtesën është se pas Luftës së Dytë Botërore, ajo ndahet në dy pjesë dhe nga rrethana të panjohura ndërrohen edhe pronarët. Kështu që tani shtëpia shfrytëzohet nga dy familje të ndryshme dhe funksionon si dy shtëpi të ndara.
Edhe pse e banuar, për shkak të vjetërsisë dhe mirëmbajtjes jo adekuate, gjendja e shtëpisë së familjes Rekathati ka qenë e jo e mirë dhe dita ditës degradohej dhe rrezikohej nga faktorë të ndryshëm.
Kjo ndërtesë është përzgjedhur që të intervenohet në kuadër të Programit të Intervenimeve Emergjente në 50 ndërtesa të trashëgimisë kulturore në Kosovë. Për më tepër, ndërtesa është e evidentuar si monument i trashëgimisë arkitekturale dhe gjendet në Listën e Trashëgimisë Kulturore nën Mbrojtje të Përkohshme të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës.
Punimet në këtë shtëpi kanë filluar me datën 23/09/2014 dhe janë përfunduar me 14/10/2014. Gjatë intervenimeve është bërë përforcimi dhe shtangimi i konstruksionit të kulmit. Përveç trajtimit të pjesës së dëmtuar të konstruksionit të kulmit është bërë edhe dërrasimi dhe hidroizolimi i tij. Pasi që mbulesa ekzistuese e kulmit ishte në gjendje të mjerueshme dhe tjegullat ishin të papërdorshme, ato janë larguar dhe janë zëvendësuar me tjegulla mediterane “Tondach” të ngjashme me ato ekzistueset. Streha me dërrasa ishte mjaft e dëmtuar si pasojë e kushteve atmosferike, kështu që edhe kjo pjesë e kulmit i është nënshtruar procesit të riparimit.
Pozicion tjetër ishte edhe trajtimi i ullukëve. Baxha dhe njëri prej oxhaqeve janë mbështjellur me llamarinë të galvanizuar.
Pjesët e dëmtuara të fasadës ballore janë trajtuar me llaç gëlqeror. Fasada është lyer me ngjyrë të kuqe dhe të bardhë, duke respektuar ngjyrat ekzistuese. Dritaret e fasadave veriore dhe perëndimore janë lyer gjithashtu me ngjyrë të bardhë.
Ky projekt është pjesë e Programit të Intervenimeve Emergjente në 50 ndërtesa të trashëgimisë kulturore në Kosovë. Programi zbatohet nga CHwB Kosova dhe bashkë-financohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e Kosovës dhe CHwB përmes fondeve të shtetit Suedez. Për më shumë informata rreth këtij programi klikoni këtu.