Jun 28 - 2012

Punëtori për menaxhimin e trashëgimisë kulturore dhe zonave të mbrojtura në Kosovë

0-0aa.jpg0-0aa.jpg

Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor (MMPH); Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MKRS) së bashku me OJQ-në – Trashëgimia Kulturore pa Kufij (CHwB) dhe Zyren Civile Ndërkombëtare (ICO) organizuan një punëtori dyditore më datat 13-14 qershor 2012 lidhur me Menaxhimin e Trashëgimisë Kulturore, përfshirë këtu Zonat e Mbrojtura.

Në këtë punëtori u ftuan të merrnin pjesë palë të interesuara përkatëse, ndërsa një numër i komunave dhe i faktorëve kryesorë ndërkombëtarë morën pjesë në vizitat në terren në pjesën perëndimore të Kosovës duke vizituar monumentet dhe lokacionet që mbrohen me Ligjin për Trashëgiminë Kulturore dhe Ligjin për Zonat e Veçanta të Mbrojtura.

Shpëtim Rudi, Zëvendësministër i MMPH-së, shprehu mirënjohjen e tij ndaj organizatorëve të punëtorisë që i kishin tubuar së bashku palët e interesuara relevante për të diskutuar për politikat dhe strategjitë e nivelit lokal dhe të atij qendror për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

“Punëtoria është një mundësi unike për t‟i tubuar së bashku përfaqësuesit e autoriteteve qendrore dhe lokale për të diskutuar për zbatimin e legjislacionit dhe të përgjegjësive në fushën e planifikimit hapësinor dhe atë të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore,” tha Z. Rudi.

Zonat e mbrojtura janë krijuar për të siguruar ruajtjen e vlerave me interes publik, siç janë resurset natyrore ose trashëgimia kulturore. Synimi është mbrojtja e një monumenti ose lokaliteti arkeologjik dhe e hapësirës përreth tyre nga ndërtimi ose nga çfarëdo aktiviteti tjetër që nuk është në harmoni me atë zonë.

Përveç zonave të mbrojtura siç parashihet të krijohen me Ligjin për Trashëgiminë Kulturore, 45 monumente dhe lokacione me rëndësi të veçantë për komunitetin serb të Kosovës dhe për komunitetet tjera në Kosovë të cilave u është dhënë mbrojtje përmes krijimit të Zonës së Veçantë të Mbrojtur (ZVM). ZVM-ja është zona e definuar përreth një monumenti, ndërtese, grupi ndërtesash, ansambli, fshati, ose qendre historike të një qyteti, ku aplikohen kritere specifike për zhvillim të kontrolluar me qëllim të ruajtjes së kontekstit të tyre historik, kulturor, arkitektonik ose arkeologjik, të mjedisit natyror ose të
pamjes estetike vizuale, dhe – në rastin e manastireve – mbrojtjen e mënyrës monastike të jetës. Për shembull, ZVM-ja përfshin manastiret dhe kishat ortodokse serbe, qytezën mesjetare të Novobërdës, Urën mesjetare të Vojinoviqëve/Urën e vjetër në Vushtrri, Kështjellën mesjetare në Zveçan, Monumentin memorial në Gazimestan, e të tjera.

Institucionet e Kosovës dhe palët e interesuara relevante, përfshirë këtu Kishën Ortodokse Serbe (KOS) duhet të bashkëpunojnë dhe të pajtohen sa u përket zhvillimeve në këto zona në të ardhmen, në përputhje me dispozitat e ligjeve përkatëse, përfshirë këtu Ligjin për ZVM-të.

Plani menaxhues ofron strategji për ruajtjen e objekteve të trashëgimisë kulturore që përmbushin nevojat e shfrytëzuesve dhe të vizitorëve. Plani menaxhues është një kornizë këshillëdhënëse për marrjen e vendimeve sa i përket menaxhimit të një objekti/lokaliteti, e mbështetur dhe e ratifikuar nga palët kryesore të interesuara të atij objekti/lokaliteti.

“Kjo punëtori ofron një platformë diskutimi për pasjen e një mekanizmi të qëndrueshëm për menaxhimin e trashëgimisë kulturore dhe hapat që duhet të ndërmerren nga autoritetet përkatëse në të ardhmen, në muajt e ardhshëm, por edhe pas përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur. Kjo nuk ka të bëjë me „vënien e shenjës në rubrikë se puna është kryer‟, por ka të bëjë me ruajtjen e bukurive të Kosovës për brezat e ardhshëm”, tha Christopher Rowan, Zëvendësi i Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar, në hapje të punëtorisë.

Gjatë ditës së parë, diskutimet u përqendruan në parimet dhe udhëzuesit për menaxhimin e trashëgimisë kulturore, dhe në procedurat administrative dhe menaxhuese për zonat e mbrojtura. Ndërsa gjatë ditës së dytë u prezantuan rastet pilot sa i përket planifikimit menaxhues të objekteve dhe lokaliteteve të trashëgimisë kulturore dhe natyrore në Kosovë.

Gjatë punëtorisë, pjesëmarrësit patën mundësinë që të vizitonin edhe Objektin e Trashëgimisë Kulturore Botërore të Manastirit të Deçanit. Kjo ishte një mundësi për ta vizituar Manastirin, por edhe zonën përreth tij, përfshirë këtu edhe burimin e ujit të gazuar.

Pjesa e parë e punëtorisë u mbajt në restorantin “Gryka” që gjendet brenda zonës së
mbrojtur të manastirit…

Gjithashtu, u organizua një vizitë në Çarshinë e Vjetër në zonën historike të Gjakovës ku pjesëmarrësit u ftuan të hyjnë në Xhaminë e Hadumit dhe biseduan me Osman Gojanin, Drejtor i Institutit për Mbrojtje të Monumenteve në Gjakovë, i cili foli për historinë e çarshisë dhe të xhamisë.

“Trashëgimia kulturore është diçka që na bashkon. Sepse ajo u takon të gjithë qytetarëve
të Kosovës dhe nuk duhet grupuar sipas etnive” tha Zëvendësministri i MKRS-së, Z. Hajdin Abazi.

Dita përfundoi në fshatin Junik, ku pjesëmarrësit u vendosën në kulla (kulla antike të fortifikuara) të cilat janë restauruar nga CHwB-ja si godina ku ofrohet fjetja dhe shujta e mëngjesit. Juniku është një shembull i mirë i cili tregon se si monumentet kulturore mund të ruhen dhe revitalizohen, e në fund të bëhen të vetë-qëndrueshme.

Po ashtu, ka shembuj ku kullat janë transformuar në monumente publike. Për shembull, një kullë në Junik është shndërruar në bibliotekë dhe Kulla e Isufajve është shndërruar në Qendër Rajonale të Turizmit. Z. Bllaci nga CHwB-ja theksoi se ka plane që rreth 20 objekte të ofrojnë fjetje dhe shujta të mëngjesit dhe shërbime të tjera të turizmit dhe kështu do të mundësohet promovimi dhe mbrojtja e këtyre lokacioneve dhe do të ketë përfitime ekonomike për komunën.

Në ditën e dytë, grupi u mirëprit në Objektin e Trashëgimisë Botërore të Patrikanës së Pejës. Para vizitës me udhërrëfyes, Peshkopi Jovan bisedoi me të gjithë pjesëmarrësit dhe i ndau idetë dhe përshtypjet e tij në lidhje me zonat e mbrojtura.

“Patrikana është objekt i trashëgimisë botërore dhe për ta ruajtur atë kemi nevojë për fonde. Ne e shohim këtë punëtori si një rrugë drejt menaxhimit dhe ruajtjes së trashëgimisë sonë kulturore”, tha Peshkopi Jovan.

Gjithashtu, patrikana po e lanson një qendër studimore, e cila do të jetë e hapur për vizitorët dhe do të përmbajë arkiva digjitale si dhe libra për Kosovën në gjuhën serbe, shqipe dhe gjuhë të tjera që janë në dispozicion.

Para nisjes për në Prishtinë, ndalesa e fundit ishte në Istog për diskutimin përfundimtar. Nga punëtoria dolën katër prioritete kryesore.

Ato janë: – Lista zyrtare e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje duhet të definohet qartë dhe të finalizohet. – Zonat e mbrojtura duhet të definohen për monumentet dhe lokacionet e përfshira në listë, përveç ZMV-ve ekzistuese. Duhet përcaktuar kriteret për jetësimin e këtyre zonave dhe ndarjen e përgjegjësive ndërmjet institucioneve relevante. – Duhet të definohen kriteret për Planet Menaxhuese të monumenteve dhe lokacioneve të trashëgimisë kulturore të përfshira në listë. – Procesi aktual i rishikimit të Ligjit për Trashëgiminë Kulturore dhe Ligjit për Planifikimin Hapësinor duhet të shfrytëzohet për t‟i adresuar disa nga këto çështje, të cilat nuk rregullohen nga legjislacioni ekzistues. Një kornizë administrative duhet ngritur nga këto dy ligje e cila e definon qartë procesin dhe ndarjen e përgjegjësive.

Të gjithë pjesëmarrësit treguan interesim dhe vullnet për vazhdimin e mbajtjes së punëtorive dhe diskutimeve lidhur me trashëgiminë kulturore si dhe për të filluar me veprime dhe propozime për zgjidhje konkrete lidhur me menaxhimin e monumenteve dhe lokacioneve të trashëgimisë kulturore dhe zonat e tyre mbrojtëse.

Burimi: http://www.ico-kos.org


Postimi i kaluar


Jun 28 - 2012

Njohuritë dhe aftësitë e reja për ngritjen e standardeve në fushën e turizmit


Postimi i rradhës


Aug 16 - 2012

Bashkohuni me ne në kursin e 5- të te trajnimit të Beledijes në Prizren (Kosovë) “Menaxhimi i Muzeve”