Mar 06 - 2019
Rijetësimi i ndërtesave historike është një prej sfidave kryesore gjatë konservimit të trashëgimisë kulturore. Ndryshimet shoqërore, ekonomike dhe teknologjike kanë ndikuar që shumë prej ndërtesave të humbin funksionin e tyre, përkundër që ato përfaqësojnë vlera të dhe mbesin të rëndësishme për shoqërinë. Shpesh, një ndërtesë pas restaurimit të saj, mbetet boshe ose mbyllur dhe gradualisht degradohet.
Punëtoria “Rijetësimi” ka për qëllim që t’i mbledhë profesionistët, studentët dhe komunitetin për të shtjelluar sfidat e rijetësimit në kontekstin lokal. Në Kullën e Isuf Mazrekaj në Drenoc, për 12 ditë, duke filluar nga 25 shtator – 7 tetor. Ky grup do të punoj në funksionalizimin e kësaj si bujtinë në shërbim të turizmit kulturor. Grupet do të fokusohen në:
Ftojmë profesionistë dhe studentë nga fushat e arkitekturës, artit, dizajnit, multimedias, historisë, turizmit, gastronomisë etj., që të jenë pjesë e kësaj punëtorie, e para e këtij lloji në Kosovë.
1. "Përmirësimi i performancës mjedisore të Kullës, ndërtesave ndihmëse dhe oborrit" - Adea Mekuli
Une jam Adea Mekuli, 28 vjece. Studimet Bachelor për Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor i kam përfunduar në Prishtinë ndërsa studimet Master për Inxhiniering të Arkitekturës dhe Dizajn të Qëndrueshëm i kam përfunduar në Universitetin e Bath-it në Britaninë e Madhe. Deri tani më tepër jam marr me problematikën e performancës mjedisore të ndërtesave publike të ndërtuara në kohën e socializmit në Kosovë. Jam shumë entuziaste për mundësinë që së bashku me ju ta studiojmë performancën mjedisore të kullave dhe ti shqyrtojmë anët pozitive dhe negative të këtyre fortifikimeve. Bashkërisht do ti shikojmë mundësitë që ti forcojmë tiparet pozitive dhe ti minimizojmë ato negative përmes intervenimeve që përmirësojnë performancën mjedisore të kësaj ndërtese dhe objekteve ndihmëse të saj.
Trashëgimia e Kullave si ndërtesa banimi të fortifikuara që nuk i shërbejnë qëllimit të tyre fillestar paraqet një rast të përshtatshëm për “rijetësim”. Siç është provuar në rastet e mëparshme, këto struktura mund të përshtaten për akomodimin turistik për shkak të funksioneve të tyre të përputhshme. Për më tepër, ato ofrojnë një përvojë unike udhëtimi, në përputhje me zhvillimin e shpejtë të turizmit kulturor, që rezulton nga rritja e interesit për artin, kulturën dhe historinë, të cilat mund të shpjegohen me ndryshime demografike, ekonomike, sociale dhe kulturore.
Vlerësimi i performancës mjedisore dhe intervenimet do të bëhen sipas udhëzimeve të Bashkimit Evropian për përmirësimin e performancës mjedisore të objekteve turistike dhe promovimin e sjelleve të qëndrueshme te turistet. Intervenimet do të kenë qëllim adaptimin e menaxhimit të qëndrueshëm të kullës, ruajtjen e burimeve natyrore dhe kulturore, zvogëlimin e ndikimeve negative të shkaktuara nga turizmi duke përfshirë përdorimin e burimeve natyrore dhe gjenerimin e mbeturinave, zvogëlimin e shfrytëzimit të energjisë dhe edukimin e turistëve mbi çështjet mjedisore.
2. "Adaptim të enterierit të kullës dhe oborrit" - Faton Hasani
Unë jam Faton Hasani. Kam përfunduar studimet në Prishtinë në Regjinë e Filmit, mirëpo kohëve të fundit më tepër kam punuar në fushën e Dizajnit të Enterierit. Apartamentet e vjetra në Prishtinë i kam shndërruar në apartamente moderne dhe të përshtatshme për jetesë duke i mobiluar me objekte të ripërpunuara që në gjendjen fillestare për shumëkënd mund të shihen si të pashfrytëzueshme. Pasionin që kam për transformim të objekteve të vjetra e të pashfrytëzueshme në mobile të fjalës së fundit të dizajnit modern mund ta ndajmë së bashku duke treguar shumë kreativitet e punë të palodhshme për ta rritur vlerën turistike dhe komforin e Kullës.
Intervenimet për adaptimin e enterierit të kullës, objekteve ndihmëse dhe oborrit të kullës do të bëhen me përgjegjësi të plotë sociale dhe mjedisore sipas principeve të konceptit të “rijetësimit”. Reduktimi, Ripërdorimi dhe Riciklimi janë mënyrat me të cilat do të realizohen intervenimet që do ta rrisin nivelin e komforit dhe atraktivitetit të kullës si destinacion turistik duke përmirësuar performancën mjedisore të objektit. Materialet me të cilat do të realizohen intervenimet do të jenë të natyrshme dhe gjinden brenda oborrit të kullës, andaj, produkti përfundimtar varet nga kreativiteti jonë i përbashkët.
3. Slow Food - Vlera Serhati
Une jam Vlera Serhati. Jam arkitekte, dhe momentalisht jam duke studiuar në Universitetin e Prishtinës në nivelin Master. Jam fituese e edicionit të dytë të ‘Heritage Space’ në seksionin ‘Adaptive reuse’ me mentor Nol Binakaj. Idea ime ka qenë rijetësimi i një objekti të trashëgimisë kulturore në funksionin e tij të dikurshëm por duke iu qasur me metoda inovative po aq sa edhe autoktone, që do ta kthenin ndërtesën në ‘lavdinë’ e saj të dikurshme por me një prekje të qartë inovative në vendet ku është intervenuar. Tash më gjeni si mentore të fushës ‘SlowFood’ në kuadër të idesë së propozuar. Tendenca ime është kthimi tek rrënjët, prej nga kemi ikur; ku me rrënjë janë traditat ushqimore, nutritive, ndërtimore, sociale po aq sa natyraliste që dikur i gjenim tek banorët dhe mjeshtrit e kullave. Prandaj ejani të mbjellim farat e trashëgimisë sonë se mbollën dikur – hëngrëm ne, tash do mbjellim ne të hanë të tjerët.
Në të kaluarën, Kullat ishin vende ku jeta rridhte natyrshëm. Ushqimi, jeta, loja, natyra dhe ekonomia familjare rrinin tokë dhe frymonin si të tilla. ‘Punëtoria Rijetësimi’ është një projekt eksperimental që mëton te arrij po këtë unitet veçse në kohën tonë. Për të arritur këtë qëllim, projekti është ndarë në katër fusha: përmirësimi i performancës mjedisore të Kullës , adaptimi i enterierit të Kullës dhe oborrit, SlowFood dhe fusha e Interpretimit/ Storytelling.
SlowFood është një lëvizje e nisur në Itali, si kundërthënie ndaj Fast Food- it. Tendenca e kësaj lëvizje është të kthej sytë kah bahçja e sofra. Kjo lëvizje është vetëdijesim në kohën kur mbi cilësinë e ushqimit nuk ka kurrfarë kontrolli. SlowFood është zgjatim i fermave urbane (urban farming), ajo është mishërim i tendencave urbane të shekullit tonë me zakonet tradicionale të kultivimit e të gatimit. Këtu njeriu vet është bujk, bari e degustator. Të ushqyerit nuk është më një rutinë, por kalon në një dimension tjetër - atij të një rituali shpirtëror; ku secila pjatë tregon një storie, përcjell një emocion, ngacmon nje shqisë, dhe ku natyra bëhet sërish njësh me ne. Qëllimi i SlowFood në Drenoc është që të krijoj një ansambël të kopshtit të vjetër (histori), të një pushimoreje (komfort), bahçes (ekonomi), një vend të takimit (socializim) dhe një hapësirë të shfrytëzuar arsyeshëm që të ju shërbej sa më mirë familjes Mazrekaj në biznesin e tyre familjar.
4. Interpretim / Storytelling - Johan Josefsson
Unë jam Johan Josefsson dhe vij nga Suedia. Kam diplomuar në nivelin Bachelor nën ‘Comparative Indo-European Linguistics’ dhe Master në ‘Museum and Cultural Heritage Studies’, që të dyja në Universitetin Uppsala të Suedisë. Kohë pas kohe merrem me studime në fushën e trashëgimisë, me fokus në interpretimin e aspektit shpirtëror të saj. Lidhjet e mia me Kosovën kanë filluar qysh herët kur edhe kam qenë pjesë e dy kampeve të organizuara nga CHwB në Mitrovicë dhe në Prishtinë. Përveç kësaj kam përfunduar praktikën në Muzeun Kombëtar të Tiranës. Falë këtyre eksperiencave edhe sot vazhdoj të kemi miqësi me shqiptarë si në Shqipëri, Kosovë dhe në Suedi.
Fenomene të ndryshme, pa marrë parasysh në janë trashëgimi apo jo, kanë kuptime të ndryshme për njerëz të ndryshëm; kjo bazuar në gjendjen e tyre mentale, përvojës jetësore dhe konceptimit/ perceptimit të vetë jetës. Por përmes një mendjeje kreative, intelektuale dhe kurioze, gjithsecili mund ta vërë veten në vendin e tjetërkujt, ku me shumë gjasë do të përballet me një botë të panjohur dhe këtu mund të hulumtojë se ku e dërgon ajo dhe çfarë vlera kuptimore dhuron ajo për të. Fusha e Interpretimit ka për qëllim që përmes aktivitetit të saj të tregojë storie mbi gjërat, vendet, kohët dhe hapësirat duke përfshirë gjitha shqisat; për të krijuar një vlerë shpirtërore, emocionale po aq sa edhe fizike për njerëzit që bien në kontakt me to. Këtu, aktiviteti interpretues sendërtohet mbi komunikim dhe promovimin e vlerave të Kullës së Isuf Mazrekjave dhe rrethinës së saj në veçanti, e cila është ndërtuar me metoda interaktive dhe gjithëpërfshirëse.
Një storie nuk një entitet i ndarë; ajo është pjesë e ngjarjeve që kanë ndërlidhëshmëri në mes vete dhe kanë kuptim të gjerë, ku secila storie paraqet një vlerë potenciale për dikë, vlerë që mund të zgjoj mendime, kujtime dhe emocione. Prandaj, çdo stoiie e pjesëmarrësve ka rëndësi, dhe mund t’i kontribuoj interpretimit të Kullës. Më pas Kulla do të mund të bëhej pjesë e një tërësie më të gjerë që lidh zonat me vlera rurale dhe të qëndrueshme që përfshijnë tërë Drenocin, fshatrat përreth Junikut dhe Isniqit, të qytetit të Gjakovës dhe të Pejës, madje edhe të tërë Kosovës, ku si qendër promovuese potencialisht do të mund të merret Prishtina, si pikënisje e turizmit kulturor dhe kreativ, po aq sa edhe si hapësirë për aktivitete artistike dhe të jashtme.