Mar 07 - 2019
Komuna e cepit juglindor të Kosovës, ajo e Kaçanikut, konsiderohet si një vend vjetër me një histori të lashtë dhe me trashëgimi kulturore dhe natyrore të pasur. Përkundër këtij realiteti, në Kaçanik nuk janë bërë shumë aktivitete apo projekte të mbrojtjes dhe promovimit të këtyre vlerave. Për më tepër, edhe të rinjtë e kësaj komune janë shumë pak të informuar për pasuritë egzistuese që ka kjo komunë, por edhe Kosova në përgjithësi.
Gjatë periudhës shtator 2013 - shkurt 2014, Këshilli i Veprimit Rinor Lokal (KVRL) të Kaçanikut ka implementuar projektin "Ta njohim trashëgiminë tonë kulturore".
Grupet përfituese të këtij projekti ishin më shumë se 300 të rinjë, përfshirë këtu vullnetarë nga grupet të ndryshme formale dhe joformale të Kaçanikut sikurse ata të Ambientalistëve të Rinj, Piktorëve të Rinj, Muzikantët e Rinj dhe nxënës të shkollave të mesme të Kaçanikut.
Si aktivitet fillestar i projektit, u organizua një aksion pastrimi nga të rinjët në Kalanë e qytetit të Kaçanikut. Ky aktivitet u mirëprit mjaft mirë nga qytetarët dhe u konsiderua si një aksion simbolik duke dëshmuar kështu rëndësinë e një ambienti të pastër në monumentet e trashëgimisë kulturore. Për më tepër, të rinjë e angazhuar, nën përkujdesje të profesionistëve kanë bërë edhe fotografimin e zonave të trashëgimisë kulturore e natyrore në qytet dhe në fshatëra të ndryshme të kësaj komune.
Gjatë projektit, të rinjë kaçanikas kishin mundësinë të vizitonin shumë vende me vlera natyrore dhe kulturore në Komunën e Kaçanikut dhe jashtë saj, sikurse në Prizen. Zana Lika, anëtare e grupit të Ambientalistëve të Rinj, pjesëmarrëse në këto vizita, tha se ishte e lumtur dhe e impresionuar që ka qenë pjesë e vizitave nga ky projekt. “Jam shumë e lumtur që isha pjesë ë këtyre vizitave nëpër monumentet e trashëgimisë kulturore. Ajo që e bën më të veçant këtë aktivitet është fakti që edhe pse kam jetuar në Kaçanik, për herë të parë kam dëgjuar dhe parë nga afër monumente dhe vende me vlera të trashëgimisë kulturore e natyrore të komunës sime. Këto vizita më kanë mahnitur dhe më kanë bërë krenare për bukuritë që ka vendi im e për të cilat nuk kisha degjuar më herët. Uroj që një përvojë të tillë ta ketë gjithsecili i ri i vendit tim” u shpreh mes tjerash e reja Zana Lika pjesmarrëse në këtë projekt. Një vizitë e veçantë nëpër zona të trashëgimisë kulturore iu është përkushtuar edhe anëtarëve të OJQ Hendikos.
Në kuadër të projektit, të rinjtë organizuan edhe një debat për trashëgiminë kulturore e natyrore, ku panelist ishin kryetari i Komunës së Kaçanikut me stafin e tij ekzekutiv. Në këtë debat përveç të rinjëve morën pjesë edhe qytetar të ndryshëm, ku shprehën brengën e tyre për mirëmbajtjen e monumenteve kulturore. Poashtu të rinjët kërkuan nga komuna që të ketë më shumë interesim rreth mbrojtjes së monumenteve kulturore e natyrore. Gjatë debatit u promovua edhe katalogu i trashëgimisë kulturore të hartuar nga vet të rinjtë e Kaçanikut me ilustrime e fotografi me historik i shkurtër të lokacioneve të ndryshme. Ky katalog është mirëpritur mjaft mirë nga publiku i gjerë e poashtu edhe nga vet Komuna e Kaçanikut, duke e konsideruar këtë katalog si një dokument të parë promovues të shtypur në fushën e trashëgimisë në komunë. Katalogu në të ardhmen do të shërbejë edhe si mjet promovimi turistik por edhe mjet vetëdijësimi për të gjithë qytetarët e Kaçanikut.
Projekti është përmbyllur me një ekspozitë fotografike të mbajtur në përvjetorin e gjashtë të pavarësisë së Kosovës. Ekspozita përmbajti fotogrtafi me motive të trashëgimisë kulturore dhe natyrore të realizara nga aktivitetet në terren.
Projekti "Ta njohim trashëgiminë tonë kulturore" ka qenë një nga prioritetet e Planit Lokal të Trashëgimisë Kulturore të Kaçanikut. Ky prioritet është identifikuar në kuadër të Programit të Planeve Lokale të Trashëgimisë Kulturore 2012-2015 të hartuar nga CHwB, Komuna e Kaçanikut dhe institucione tjera të nivelit qendror.
Për shkarkim të katalogut të prodhuar nga të rinjtë e Kaçanikut (në gjuhën shqipe) klikoni këtu.
Për më shumë informata rreth Programit Planet Lokale të Trashëgimisë Kulturore 2012-2015 klikoni këtu.