Dec 03 - 2021

TEMAT – HERITAGE SPACE VI

Arkivimi i Shkëputjeve

 

Dokumentet e shpërndara, dyert e mbyllura dhe amnezia institucionale bëhen shkas për t’i vënë në pyetje praktikat arkivore apo mungesën e tyre. Arkivat janë struktura të kujtesës kolektive dhe vazhdimësisë historike. Roli i institucioneve është që në mënyrë aktive të mbledhin, ruajnë dhe t'i bëjnë të materialet arkivore të qasshme për publikun. Atëherë, si të merremi me mungesën dhe anshmërinë e arkivave të tranzicionit? A mund t’i ri-gjejmë historitë e humbura përmes arkivave ekzistuese në Kosovë? Si mund të regjistrohen materialet e përkohshme dhe të krijohen arkivat e kujtesës kolektive? A do të na ndihmonin qasjet eksperimentale në propozimin e një narrative alternative ndaj dëshmive të humbura historike?

Ftojmë propozime që kanë për qëllim shqyrtimin e arkivave dhe aktivizimin e tyre për të ofruar mënyra të reja të të menduarit mbi të kaluarën dhe të tashmen, duke hedhur dritë mbi histori të ndryshme lokale të panjohura ose të harruara. Projektet mund të përfshijnë hulumtime mbi formimin historik të institucioneve, si për shembull lindja dhe vdekja e institucioneve kulturore, historitë sociale të fabrikave, organizatat e pakicave kombëtare dhe platformat feministe. Gjithashtu, inkurajojmë hulumtime që trajtojnë arkivat e opozitës, apo ‘kundër-arkivat’, siç mund të jenë platformat alternative të të mësuarit, grevat e punëtorëve dhe lëvizjet subkulturore dhe ‘underground’, si dhe metodologjitë alternative të hulumtimit (shembull: taktikat queer ose strategjitë feministe) të cilat janë zhvilluar si përgjigje ndaj mungesës së qasjes në arkiva ose përjashtimit nga të dhënat historike.

 

Trashëgimia e Krizave

 

Shumica e shoqërive bashkëkohore jetojnë me plagë të historisë që nxisin apo janë rezultat i luftërave, trazirave civile, dhunës sistematike shoqërore dhe diskriminimit. Këto periudha krizash prodhojnë pasoja shoqërore, psikologjike dhe historike që mund të gjurmohen në një sërë ngjarjesh, hapësirash apo praktikash të cilat, në kontekstin tonë mund të përfshijnë vende dhe praktika të rezistencës, protestës, dhe manifestimeve të tjera të mosbindjes civile.

Trashëgimia e Krizave mund të gjendet edhe në vende dhe ndodhi konkrete që ndërlidhen me kujtime të atrociteteve, siç janë masakrat dhe ekzekutimet, dhuna seksuale përgjatë luftës, shtigjet e shpërnguljeve, vendndodhjet e zhdukjeve, humbjet materiale dhe jo-materiale, vendet që lidhen me të burgosurit e luftës dhe burgjet civile apo politike. Inkurajojmë metodologji që synojnë të shënojnë, përkujtojnë, ruajnë dhe dokumentojnë, individualisht apo institucionalisht, tregimet, kujtimet dhe vendet e lartpërmendura, për të mundësuar perspektiva të reja në praktikat e hulumtimit, interpretimit dhe dokumentimit.

 

Rrëfim dhe Interpretim

 

Të vendosura së bashku, Rrëfimi dhe Interpretimi luajnë rol të rëndësishëm në ndryshimin e mënyrës se si i qasemi, përjetojmë dhe komunikojmë trashëgiminë kulturore. Më shumë se në detaje faktike, Rrëfimi dhe Interpretimi fokusohen në njerëz, në të kaluarën dhe në lidhjen me vendin. Në këtë mënyrë, mundësohet shpalosja e tregimeve njerëzore që qëndrojnë prapa trashëgimisë së përbashkët.

Rrëfimi dhe Interpretimi mund të përfshijnë: histori individuale, kolektive dhe kombëtare, të ruajtura dhe rrëfyera si tregime, narrativa të bazuara në fakte të hulumtuara mirë, njohuri lokale dhe thashetheme, përralla, mite, legjenda, fjalë-goje, këngë, tregime vizuele, trillime të bazuara në të vërteta, të cilat në përgjithësi, përmes mediumeve të ndryshme, shpalosin perspektiva që kanë për qëllim të argëtojnë, edukojnë, ruajnë dhe pasurojnë kulturën tonë të përbashkët. 


Postimi i rradhës


Dec 03 - 2021

MENTORËT – HERITAGE SPACE VI