Mar 06 - 2019

TOUR DE CULTURE 2015 Regjistrimi dhe kushtet e pjesëmarrjes

TOUR DE CULTURE është i vetmi aktivitet kulturor çiklistik jo-garues dhe rekreativ në Kosovë i HAPUR PËR TË GJITHË, profesionistë e amatorë, të rinj e të moshuar, femra e meshkuj.

TdC15 REG

Turi promovon trashëgiminë kulturore, transportin e jo-motorizuar për një lëvizshmëri më efektive për të gjithë dhe mbrojtjen e mjedisit. Ai ka lindur si rezultat i sinergjive të parimeve që rrjedhin nga Ditët e Trashëgimisë Evropiane dhe Java Evropiane e Lëvizshmërisë që festohen gjatë muajit shtator në Evropë.

Kjo ngjarje, që organizohet për të tetin vit me radhë, tenton të zbulojë çdo vit një cep të Kosovës, duke u shndërruar kështu në një aktivitet tradicional për shoqërinë kosovare. Këtë vit, turi do të mbahet në regjionin e Mitrovicës më 19 Shtator 2015, të shtunën dhe do të përfshijë vizita në lokalitete të ndryshme të trashëgimisë kulturore dhe industriale të këtij regjioni

START-i nga fshati Boletin është në ora 10:00 dhe përfshin një gjatësi prej 18 km deri në fshatin Stantërg. Rruga është lehtësisht e përshkueshme, e asfaltuar, me pjerrësi të lehtë dhe e përballueshme për të gjithë pjesëmarrësit. FINISH-i i aktivitetit parashihet të jetë rreth orës 17:00. Pas START-it do të ketë vend-ndalje të parashikuara me agjendë, me qëllim që pjesëmarrësit të pushojnë dhe shërbehen me ujë dhe ushqim.

Map de Tour

KUSHTET E PJESËMARRJES

  1. Pjesëmarrja në Tour de Culture është FALAS. Regjistrimi i pjesëmarrësve është i obliguar dhe do të bëhet përmes aplikacionit online. Afati i fundit i regjistrimit është të premten më 18/09/2015 në ora 11:00.
  2. Transporti për në fshatin Boletin, nga ku do të bëhet nisja, është i siguruar nga organizatorët. Nisja e autobusëve do të bëhet prej stacioneve të autobusëve nga 7 qytetet kryesore të Kosovës dhe atë nga: Prishtina në ora 08:00; nga Peja, Gjakova, Prizreni, Ferizaj, Gjilani në ora 07:30 dhe Mitrovica në ora 08:30. Ju lutemi që të jeni së paku 15 minuta para terminit në stacionin e autobusit të qytetit tuaj. Kthimi nga fshati Stantërg, si stacioni i fundit i turit, për në qytetet fillestare do të bëhet në fund të turit dhe me autobusë të njëjtë.
  3. Në mënyrë që të arrihen qëllimet e projektit, inkurajojmë pjesëmarrjen e grupeve të prindërve me fëmijë si dhe të mësuesve me nxënës. Për shkaqe sigurie, fëmijët nën moshën 14 vjeçare nuk do të lejohen të marrin pjesë pa përkujdesje nga prindi, kujdestari apo mësuesi.
  4. Pjesëmarrësit duhet ti marrin biçikletat dhe helmetat e tyre personale të cilat transportohen me autobusë dhe kamionë përcjellës nga qytetet e tyre. Kushdo që nuk posedon biçikletë personale do të ketë mundësinë e marrjes me qira për një shumë simbolike prej €10 dhe atë në Boletin në START. Rezervimi i biçikletave me qira kryhet gjatë procesit të regjistrimit online.
  5. Përcjellja policore në fillim dhe fund të turit, dy auto-ambulanca në shërbim të pjesëmarrësve në rast nevoje si dhe mekanikët e biçikletave do të na shoqërojnë përgjatë gjithë turit.
  6. Kërkojmë durim dhe mirëkuptim nga të gjithë pjesëmarrësit, duke e marrë parasysh që pjesëmarrësit e turit janë të moshave, gjinive dhe përgaditjeve të ndryshme fizike.
  7. Në rast se dëshironi të jeni pjesë e turit por nuk keni mundësi të ngisni biçikletë apo nëse gjatë rrugëtimit ndiheni të lodhur dhe nuk mund të vazhdoni tutje, në fund të kolonës do të keni në dispozicionin tuaj një autobus shtesë i cili do t’ju dërgojë në vend-ndaljen e radhës. Pra, prisni autobusin në fund të turit dhe bashkangjituni.
  8. Përpos ofrimit të ndihmës së shpejtë, në rast nevoje, organizatorët nuk marrin përgjegjësi për sigurimin e përgjithshëm shëndetësor. Ju duhet të kujdeseni për pajisjet, shëndetin dhe logjistikën tuaj në çdo kohë. Pra, pjesëmarrja juaj është plotësisht në përgjegjësinë tuaj!
  9. Lusim të gjithë pjesëmarrësit që t’i përcjellin të gjitha këshillat e organizatorëve dhe të policisë në mënyrë që të sigurohet mbarëvajtja e këtij aktiviteti.

Për çdo informatë shtesë (para dhe gjatë turit) mund të kërkoni ndihmën e vullnetarëve tanë por edhe të na kontaktoni përmes Facebook faqes Tour de Culture Kosovo dhe telefonat: +38138754866, +37744268952 dhe +38649372639.


Postimi i kaluar


Mar 06 - 2019

Përjetimi i diversitetit të trashëgimisë në dy rrota


Postimi i rradhës


Mar 06 - 2019

Përfundojnë punimet në dy monumente të Komunës së Gjakovës