Oct 07 - 2012
Tour de Culture është një turne çiklistik jo-garues dhe rekreativ në Kosovë, për promovimin e trashëgimisë kulturore dhe natyrore, transportin e jo-motorizuar dhe mbrojtjen e mjedisit.
Edicioni i 5-të i sivjetëm i Tour de Culture ishte më i suksesshmi deri më tani, duke shënuar një rekord të numrit të pjesëmarrësve, numrit të sponsorëve dhe numrit të biçikletave të rezervuara për këtë ngjarje. Me më shumë se 700 pjesëmarrës, të lodhur por të lumtur, me 26 km të përshkruara me biçikleta dhe me mbi 100 rezervime biçikletash me qira, na jep bindjen që ky aktivitet çdo vit e më shumë është duke u mishëruar në shoqërinë kosovare. Çfarë është më me rëndësi është se njerëzit kanë filluar të ndryshojnë botëkuptimin e tyre rreth çiklizmit…
Me një diell tipik veror, mëngjesi i së dielës të 30 shtatorit nuk kishte si të fillonte më mbarë. Transporti publik i organizuar për të gjithë pjesëmarrësit nga 7 qytetet e Kosovës i solli ata në pikënisjen e kësaj ngjarjeje.
Gjatë gjithë turit çiklistët, ishin të shoqëruar nga përcjellja policore, 2 autoambulanca dhe mekanikë për biçikleta për ata në nevojë. I gjithë ushqimi, frutat, perimet dhe pijet u ishin mundësuar çiklistëve falas.
Në Stubllë të Epërme, Komuna e Vitisë, pas huazimit të biçikletave e të mbushur plot gjallëri, pjesëmarrësit u mblodhën në Kishën e Shën Gjergjit dhe në Muzeun e shkollës së parë shqipe në Kosovë (shek. XVI-XIX) ku dhe u përshëndetën nga Nënkryetari i Komunës së Vitisë z. Abdyl Bajrami, të cilit më pas iu dorëzua një Mirënjohje nga organizatorët, pasi kjo komunë ishte njëra ndër nikoqiret e edicionit të sivjetëm. Krahas z. Bajrami, pjesëmarrësit u udhëhoqën nga prifti në një prezantim të shkurtër informativ në kishë dhe në muze.
Pjesëmarrësit patën gjithashtu mundësinë të vizitojnë edhe 2 ekspozita mobile të projekteve të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, të organizuara nga CHwB-ja dhe IRD/IKS dhe të financuara nga Shtetet e Bashkuara.
Rrugëtimi i gjatë, por plot hare, tashmë kishte nisur.
Ndalesa e parë, pas afro 6 km, ishte më se e mirëpritur për çiklistët pasi i priste ushqimi me pijet freskuese për t’u dhënë atyre energji para se të vazhdonin me rrugëtimin e tyre të veçantë çiklistik kulturor.
Ndalesa tjetër, pas gati 13 km rrugëtim, ishte në Kishën e Shën Premtes (shek. XX) në Budrigë të Poshtme, Komuna e Parteshit, ku Nënkryetarit të komunës së Parteshit, z. Dejan Jociq, iu dorëzua Mirënjohja nga organizatorët. Ai i përshëndeti pjesëmarrësit, duke nënvizuar rëndësinë e mbrojtjes dhe të promovimit të trashëgimisë kulturore të Kosovës, qasjen pjesëmarrëse gjatë planifikimit urban dhe, mbi të gjitha, pjesëmarrjen e bashkësive të ndryshme në promovimin e këtyre dy çështjeve të rëndësishme.
Çiklistët u freskuan dhe morën ca fruta para se të niseshin në pjesën e fundit, por më të vështirë, të rrugës. Rrugës përpjetë.
9 kilometrat e fundit ishin më të vështirat pasi, përveç rrugës së vështirë përpjetë, në fund ata u përballën edhe me dendësinë e zonës urbane. Të mbushur me pasion dhe entuziazëm, që të gjithë çiklistët ia arritën me sukses të përfundonin turin në qytetin e Gjilanit.
Që të gjithë pjesëmarrësit u mblodhën në Sarajin e Mustafa Pashës (shek. XIX), që sot shërben si Shkollë e Muzikës dhe e nën mbrojtje të Ligjit mbi Trashëgiminë Kulturore, ku z. Qemajl Mustafa, Kryetari i komunës së Gjilanit, bëri një prezantim publik lidhur me çështjet e mbrojtjes dhe të promovimit të trashëgimisë kulturore, lëvizshmërisë dhe mbrojtjes së mjedisit. Duke qenë një nga nikoqirët, Kryetarit të komunës i është dorëzuar Mirënjohja nga organizatorët e Tour de Culture.
Krahas një ngjarjeje rekreative me plot kënaqësi, Tour de Culture shërbeu edhe në ndërgjegjësimin e njerëzve rreth trashëgimisë sonë të përbashkët kulturore dhe natyrore, duke i zbuluar potencialet për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm kulturor.
Për më tepër, turi shërbeu për sensibilizimin rreth rëndësisë së rrugëve të sigurta dhe mënyrës së shëndoshë të jetesës. Duke qenë pjesë e lëvizjes globale për një të ardhme të sigurt klimatike, pjesëmarrësit e fuqizuar me bashkëpjesëmarrjen e femrave, të rinjve dhe të të moshuarve, pedaluan edhe një herë për të promovuar, para së gjithash, vlerat njerëzore.
Tour de Culture këtë vit ka qenë pjesë e Ditës Botërore të Habitatit dhe I’m a City Changer, një fushatë mbarëbotërore me qëllim të sensibilizimit dhe vetëdijësimit të qytetarëve mbi çështjet urbanistike rreth krijimit të qyteteve më të mira.
Për më shumë informata shikoni posterin dhe broshurën
Për foto galeri dhe shumë më shumë vizitoni faqen e projektit tonë në Facebook Tour de Culture Kosovo , dhe jeni më se të mirëseardhur të bëni like, tag dhe share.