Jan 30 - 2015
Nga 6 deri 14 shtator 2014, në Gjakovë është mbajtur edicioni i tretë i festivalit të komedisë “Komedia Fest”. Kësaj radhe festivali kishte shtrirje në nivel ndërkombëtar, që përveç shfaqjeve komedi nga trojet shqipfolëse, kishte edhe trupa mysafire nga Evropa, artistët e njohur nga Finlanda Adam Darius dhe Kazimir Kolesnik, programin për fëmijë, si dhe shfaqje nga artistë të ndryshëm.
Për dallim nga edicioni i parë dhe i dytë kur Komedia Fest aktivitetet i kishte të fokusuara në zonën e Çarshisë së Vjetër, këtë vit kishte vëmendje sensibilizimin e objekteve të tjera të trashëgimisë kulturore, duke i fokusuar këto aktivitete në Muzeun Etnografik të Gjakovës. Gjatë ditëve të aktivitetit, artistët dhe mysafirët e festivalit janë takuar me artdashës për të biseduar lidhur me shfaqjet dhe çështje të tjera sa i përket zhanrit të komedisë, në një ambient mjaft miqësor dhe të këndshëm. Po ashtu, si risi e këtij edicioni, programi i filmave të animuar të zhanrit komedi, çdo mbrëmje është shfaqur në sipërfaqen e mureve të ndërtesës së muzeut, duke u bërë një atraksion i veçantë, për të interesuarit dhe kalimtarët e rastit, duke ditur që hyrja ishte falas.
Projekti është zbatuar nga OJQ “Festivali mbarëkombëtar i komedisë” dhe është pjesë e iniciativës “Ditët e Kulturës në Gjakovë” që është mbajtur gjatë vitit 2014 dhe është bashkëfinancuar nga CHwB Kosova, Komuna e Gjakovës dhe partnerë tjerë. Ky projekt është identifikuar në kuadër të Planit Lokal të Trashëgimisë Kulturore të Gjakovës e cila është hartuar në kuadër të programit të Planeve Lokale të Trashëgimisë Kulturore 2012-2015 në 7 komuna të ndryshme të Kosovës.