Sep 12 - 2014

Vazhdojnë punët në projekte të intervenimeve emergjente

Vazhdojnë punët në projektet e programit të intervenimeve emergjente në 50 ndërtesa të trashëgimisë kulturore në Kosovë. Një nga objektet e intervenuar është edhe shtëpia kullë e Nuhi Bravës në fshatin Pustenik të komunës së Hanit të Elezit.Ky monument është pjesë e Listës së trashëgimisë kulturore për mbrojtje të përkohshme të përpiluar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës.

Foto Han Elez Brava homeKjo kullë është objekt banimi i ndërtuar në shek.XIX dhe ka shërbyer për banim për një kohë të gjatë. Për shkak të vjetërsisë, mosmirëmbajtjes së duhur dhe për shkak se një kohë të gjatë ka qenë e pabanuar, gjendja e këtij monumenti ishte e mjerueshme dhe dita ditës vazhdohej të degradohej dhe rrezikohej nga faktorë të ndryshëm.

Kulla është shembull i arkitekturës orientale dhe supozohet që i përkiste shtresës së pasur të shoqërisë. Këto lloje objektesh janë pasqyrë e një periudhe të caktuar të historisë ku dëshmohet mënyra e organizimit të jetës socio-kulturore dhe arsimore të shoqërisë sonë. Koncentrimi i shtëpive/kullave të tilla në gjithë fshatin e tregon më së miri këtë fakt.

Punët e intervenimeve emergjente në këtë kullë kanë filluar në dhjetor të vitit 2013 përderisa faza e dytë dhe ajo përfundimtare janë zhvilluar në muajve mars dhe prill 2014.

Gjatë intervenimeve është bërë rindërtimi i kulmit pasi që lagështia e kishte kalbur tërësisht konstruksionin e saj. Gjatë këtij procesi janë rivendosur tjegullat e vjetra dhe ato që kanë qenë të dëmtuar janë zëvendësuar me të reja. Në fund është punuar edhe izolimi i kulmit.

Foto Han Elez Brava 1

Pozicion tjetër ishte edhe vendosja e ulluqeve përreth shtëpisë, të cilat më parë nuk i kishte pasur perimetri i kulmit. Gjithashtu është punuar edhe veshja e oxhakut.

Pasi që kulla është e vendosur në terren të pjerrët, dhe fasada perëndimore e saj si rezultat i presionit të dheut është shembur, është bërë edhe intervenimi duke e muratuar atë me po të njëjtit gurë. Gjithashtu edhe hamamxhiku i cili ka qenë i dëmtuar, është përpunuar duke e thurur me thupra druri. I tërë perimetri i kullës nga jashtë është suvatuar me suva qerpiçi si dhe është gëlqerosur me qumësht gëlqere.

Foto Han Elez Brava 2Ky projekt është pjese e programit të intervenimeve emergjente në 50 ndërtesa të trashëgimisë kulturore në Kosovë. Programi zbatohet nga CHwB Kosova dhe bashkë-financohet nga Ministria e Kulturës , Rinisë dhe Sporteve e Kosovës dhe CHwB përmes fondeve të shtetit Suedez. Për më shumë informata rreth këtij programi klikoni këtu.


Postimi i kaluar


Sep 12 - 2014

Rikthehet tradita e kërcimeve nga Ura e Fshejt


Postimi i rradhës


Sep 12 - 2014

Jubileu i 50-të rikthen festën e poezisë në Gjakovë