Intervenimi shpëtues i Kullës së Mustafë Dukajt në fshatin Drenoc të Deçanit

Aug 01 - 2015

Përmes mbështetjes së shoqatës së trashëgimisë kulturore të Zvicrës Schweizer Heimatschutz,zyra e CHwB-së në Kosovë ka filluar intervenimin shpëtues në kullën e Mustafë Dukajt në fshatin Drenoc të Komunës së Deçanit. Intervenimet e parapara përfshijnë konsolidimin e kulmit dhe të konstruksionit meskatësh, krijimin e qasjes në ndërtesë dhe revitalizimin e odës së mysafirëve.

Kulla e Mustafë Dukajt është kullë trekatëshe e gurit, tipike e Rrafshit të Dukagjinit. Përkundër vlerave të saja, ajo nuk ka status të mbrojtur me ligj. Struktura e saj ndërtimore është e kanosur dhe si e tillë konsiderohet në rrezik.

Me iniciativën e zyrës së CHwB në Kosovë dhe përkrahjen financiare të shoqatës zvicerane, kjo kullë tani më do të shpëtojë degradimit të mëtutjeshëm. Projekti pritet të përfundoj në fund të vitit 2015.