Konservimi dhe Restaurimi i Hamamit të Vushtrrisë

May 13 - 2013

Monumenti i trashëgimisë arkitekturale ‘Hamami në Vushtrri’, gjendet në qendër të qytetit dhe përbëhet prej strukturave ndërtimore me shtresëzime nga periudha të ndryshme historike. Ky Hamam, ndoshta i një kohe me xhaminë e Gazi Ali Beut në Vushtrri (shek. XV) përbën një nga hamamet më të hershme në Ballkan. Sipas burimeve historike, Hamami i Vushtrrisë është ndërtuar në dy faza. Pjesa e ambientit hyrës me gur shtufi thuhet se është ndërtuar në shek. XVII, ndërsa ambientet tjera me 3 kupola janë ndërtuar në fund të shek. XV. Ky Hamam shërbente si banjë publike për meshkuj dhe femra, të cilët e përdornin me radhë në ditë të caktuara. Sipas Vushtrriasve, përveç larjes Hamami është shfrytëzuar nga qytetarët edhe si hapësirë për relaksim, me muzikë dhe shërbim të çajit.

Historia e Vushtrrisë është shënuar nga shumë udhëheqës dhe influenca të ndryshme kulturore. Pa marrë parasysh influencat që ka pasur qyteti, Hamami i ka rezistuar kohës dhe ka qëndruar deri më sot. Përveç vlerave historike, ndërtesa në fjalë ka vlera të shumëfishta Elementet si kupolat, harqet, qemerët, ndriçimi përmes hapjeve rrethore në kupola, proporcionet dhe materialet e kthinave kanë vlera  artistiko-estetike duke na treguar dhe mjeshtrinë e ndërtimit të kohës.

Elemente të ndryshme kanë ndikuar që Hamami të degradohet dita ditës. Përveç aspektit të vjetërsisë, dëmtimet e ndryshme janë shkaktuar edhe si pasojë e kushteve atmosferike, problemeve konstruktive, trajtimeve të gabuara dhe vandalizmit. Sidoqoftë, arsyeja kryesore e degradimit të hamamit është neglizhenca dhe jo mirëmbajtja e tij. Kjo është gjithashtu pasojë e jo shfrytëzimit të ndërtesës që nga vitet ’70-‘80.

Duke bërë një prioritizim të dëmtimeve dhe buxhetit të përcaktuar, intervenimet në hamam janë të pjesëshme. Ndërhyrjet fokusohen në konsolidimin e strukturës, rindërtimin e pjesëve të mureve të rrënuara, largimin e çimentos të aplikuar dhe zëvendësimi i tij me llaç me përbërje të njëjtë si origjinali, konsolidimin e kupolave nga brenda dhe jashtë si dhe mbulimin e gjithë hamamit me tjegulla.

Periudha e implementimit:

11/2012- 06/2014

Buxheti:

132,435.00 $

Implementues:

Trashëgimia Kulturore pa Kufij në partneritet me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komunën e Vushtrrisë.

Financuar nga:

“Ky projekt u financua nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, Fondi i Ambasadorit për Mbrojtjen e Kulturës. Mendimet, përfundimet dhe konkludimet apo rekomandimet e shprehura këtu janë të Autorit(ëve) dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.”