Apr 28 - 2014
Kosova është një shtet me histori të lashtë dhe trashëgimi të pasur kulturore, krijuar që nga parahistoria deri në ditët e sotme. Asetet e trashëgimisë kulturore janë të rëndësishme nga pikëpamja historike, estetike, arkitekturale dhe sociale. Gjendja politike jo stabile e fundshekullit të kaluar, lufta e vitit 1998/99 dhe tranzicioni politik dhe social i pasluftës ka bëre që fokusi ndaj ruajtjes së trashëgimisë kulturore të jetë në margjina. Fondi i tanishëm shtetëror, i dedikuar ndaj trashëgimisë kulturore është i pamjaftueshëm për të ndërruar gjendjen e vështirë të këtyre lokaliteteve.
Trashëgimia kulturore pa Kufij (CHwB) e ka promovuar idenë e intervenimeve preventive në ndërtesa në nevojë si një masë e shpejtë për t’i mbrojtur asetet kulturore nga kanosjet e ndryshme. Kjo qasje siguron që fondet të ndahen në një numër më të madh të ndërtesave. Ndërhyrja e shpejtë është edhe një veprim vetëdijësues për pronarët dhe komunitetet për t’i njohur vlerat e ndërtesave të tyre.
Një qasje e tillë është përqafuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e cila ka mbështetur programin e ndërhyrjeve shpëtuese – Intervenime emergjente, në 50 asete të trashëgimisë kulturore në Republikën e Kosovës, gjatë vitit 2013-2014. Aplikimi i ndërhyrjeve konsoliduese emergjente, për shpëtim dhe rehabilitim është veprim i domosdoshëm dhe detyrim ligjor.
Përmes masave preventive emergjente bëhet konsolidimi, stabilizimi ose shpëtimi i shpejtë i lokaliteteve të trashëgimisë kulturore të rrezikuara nga shkatërrimi dhe dëmtimi nga faktorë të ndryshëm natyrorë dhe njerëzorë. Dokumentimi i gjendjes ekzistuese të ndërtesave dhe propozimeve për intervenim është bërë nga stafi i CHwB-së dhe studentët e Fakultetit të Arkitekturës nga Universiteti i Prishtinës dhe UBT.
Projekti për intervenimet emergjente do të zbatohet gjatë periudhës kohore 2013 – 2014. Përzgjedhja e ndërtesave është bërë nga listat e ofruara nga QRTK-të, përmes kritereve të përcaktuara nga komisioni i përbashkët i CHwB-së dhe MKRS-së. Ndërtesat e përzgjedhura përfaqësojnë tipologji të ndryshme të arkitekturës popullore të shpërndarë në gjithë territorin e Kosovës.
Intervenimet emergjente në këto ndërtesa janë fokusuar në rregullimin e kulmit, konsolidimin e mureve, stabilizimin e konstruksionit, drenazhimin dhe pastrimin e rrethinës dhe ndërtesës.
Objekti i ish Teknikës Popullore, Gjilan
Shtëpia e Zekirja Abdullahut, Gjilan
Shtëpia e Rashit Rashitit, Prishtinë