Oct 29 - 2015
Një numër i madh i banorëve i janë përgjigjur festimit të ngjarjes “Etno Fest Glaviçica”, e cila ringjalli jetën kulturore jo dhe aq të pasur të kësaj komune të vogël të banuar nga komuniteti serb. “Etno Fest Glaviçica” u hap më 11 gusht dhe zgjati deri më 25 shtator 2015 me qëllim të ringjalljes së traditës dhe trashëgimisë shpirtërore e kulturore të këtij rajoni. Në kuadër të këtij projekti, janë mbajtur një sërë aktivitetesh, sikurse: kolonia e artit, ekspozita e artefakteve të vjetra, mbrëmje letrare, etj.
“Etno Fest Glaviçica” është zbatuar nga dy OJQ lokale “Aktiviteti rinor i Parteshit” dhe “Eko programi i Kosovës” dhe është pjesë e prioriteteve të Planit Lokal të Trashëgimisë Kulturore të Komunës së Parteshit. Ky plan është hartuar në kuadër të Programit të Planeve Lokale të Trashëgimisë Kulturore në 7 komuna të Kosovës nga Trashëgimia Kulturore pa Kufij (CHwB), Komuna e Parteshit dhe institucionet tjera të nivelit qendror, dhe financohet nga shteti suedez.
Aktivitetet kanë filluar me koloninë e artit në shkollën e Budrigës së Poshtme, ku mysafirët nga Nishi (Serbia) dhe Graçanica: profesorë, akademikë dhe artistë të rinj kontribuan duke pikturuar në kanavacë dhe akuarel. Në qendrën rinore në Partesh, piktorët qëndruan 6 ditë. Pas 6 ditëve të pikturimit, u mbajt ekspozita e pikturave në Shtëpinë e Kulturës në Partesh, ku qytetarët kishin mundësi për herë të parë të shohin pikturat e kishave, portave, shtëpive të vjetra, mbetjeve të kishës në Glaviçicë, si dhe një ekspozitë të veshjeve kombëtare e ushqimit tradicional, duke e reflektuar kështu pasurinë e traditave të komunës së Parteshit. Pikturat e punuara në kanavacë do të mbeten të ekspozuara në ndërtesën e administratës komunale, si dhe në qendrën rinore në Partesh, deri në koloninë e radhës. Piktorët, si shenjë mirënjohje i dhuruan nikoqirëve nga një pikturë akuarel me motive të ndryshme, për mikpritjen e ofruar. Hapja e ekspozitës u ndoq nga më shumë se njëqind vizitorë.
Në vitin 2012, me mbështetjen e organizatës zvicerane “Logos”, është ndërtuar Etno Shtëpia në fshatin Pasjan të komunës së Parteshit. Gjatë aktivitetit “Etno Fest Glaviçica” kjo shtëpi tanimë është funksionalizuar dhe është pasuruar me eksponate të vjetra të mbledhura nga komuniteti lokal. Kjo ditë përkoi me kremtimin e festës së madhe krishtere të Shën Shpërfytyrimit, kështu që ekspozita zgjati një ditë të tërë me një fluks të madh të qytetarëve që vijnë normalisht në Pasjan në këtë ditë feste.
Përmbyllja e “Etno Fest Glaviçica” u bë më 25 shtator 2015, me orën letrare në qendrën rinore në Partesh, ku morën pjesë profesorë nga Mitrovica dhe Graçanica, shkrimtarë, mësues, punonjës komunalë dhe banorë lokalë. Në promovim u prezantuan libra të ndryshëm nga regjioni i Anamoravës. Dita vazhdoi me recitimin e vargjeve nga libri i profesorit Zoran Pavloviq, interpretimin e poezive nga koleksioni i poezive të profesor Golub Jasoviq, recitimin nga libri i profesor Stanislav Kojiq, lexime nga përmbledhja e poezive të profesorit Blagoje Saviq dhe shkrimtarë të tjerë. Në ditën përmbyllëse, shkrimtarëve, profesorëve, përfaqësuesve të Kishës Ortodokse Serbe, zyrtarëve komunalë dhe donatorëve u dhuruan letra falënderimi.