Jul 29 - 2015

Gjilani definon zonat e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore

Deri në vjeshtë të këtij viti, pritet që të përfundojnë punët në përcaktimin e zonave të mbrojtjes së objekteve dhe tërësive të trashëgimisë kulturore dhe natyrore në Komunën e Gjilanit si dhe definimin e kufirit të bërthamës historike të qytetit të Gjilanit.

Komuna e Gjilanit, sikurse dhe shumë komuna të tjera në Kosovë, është e pasur me vlera të trashëgimisë kulturore e natyrore. Ajo, sot ballafaqohet, me vështirësi të mëdha, si në ruajtjen dhe mbrojtjen e saj (përderisa rreziku i degradimit të mëtejmë mbetet i lartë) ashtu edhe në mosshfrytëzimin e vlerave të saj në dobi të zhvillimit të komunitetit në veçanti si dhe atë ekonomik të komunës në përgjithësi. Si rezultat, nevoja për qasjen strategjike dhe me prioritet ndaj këtyre vlerave është urgjente, si në përpjekjet e qeverisjes në nivel qendror e lokal ashtu edhe në angazhimin e shoqërisë civile dhe në arritjen e partneritetit publik privat të konsoliduar.

Foto Tuma I - K.Luci MK - 1980 pogrgja kajmekam pozheran

Disa nga vlerat e trashëgimisë kulturore të Komunës së Gjilanit (duke filluar nga sipër majtas): Nekropoli tumular ilir i Llashticës, Kalaja e Pogragjës, ish objekti i Kajmekamllëkut dhe shtëpia e Isak Pozharanit (Fotot: Databaza e trashëgimisë kulturore të Kosovës – http://dtk.rks-gov.net)

Projekti “Përcaktimi i zonave të mbrojtjes së objekteve dhe tërësive të trashëgimisë kulturore dhe natyrore të Komunës së Gjilanit” ka filluar në mes të vitit 2014 dhe ka për qëllim integrimin, prezantimin dhe shtrirjen hapësinore në një dokument të vetëm të objekteve dhe tërësive të trashëgimisë kulturore dhe natyrore të komunës së Gjilanit. Këto zona të mbrojtjes përreth perimetrit të vlerave së trashëgimisë kulturore dhe natyrore do të përcaktohen sipas dispozitave ligjore në fuqi.

Për nevoja të projektit, është përcaktuar grupi punues me përfaqësues nga niveli lokal dhe qendror, me të cilët janë mbajtur punëtori të përbashkëta. Pjesa hulumtuese e  projektit ka përdorur Sistemin Gjeografik Informativ (GIS), sistem ky që do të lehtësojë në të ardhmen procesin e përditësimit të informacioneve sa i përket këtyre vlerave. Në fazën përfundimtare, dokumenti planifikohet të përcillet tek institucionet e nivelit lokal dhe qendror për trajtim të rekomandimeve të dala.

Berthama - Copy

Draft zonimi i monumenteve të trashëgimisë kulturore në qendër të qytetit

Monumentet Natyrore te GJilanit

Draft analiza e lokaliteteve të trashëgimisë natyrore

Ky projekt është pjesë e prioriteteve të Planit Lokal të Trashëgimisë Kulturore të kësaj komune. Ky plan është hartuar nga CHwB, Komuna e Gjilanit dhe institucione tjera të nivelit qendror në kuadër të Programit të Planeve Lokale të Trashëgimisë Kulturore dhe bashkë-financohet nga shteti Suedez, përmes CHwB-së dhe Komunës së Gjilanit.


Postimi i kaluar


Jul 29 - 2015

“Aventurat në konservim” shpëtojnë një kullë në Kosovë


Postimi i rradhës


Jul 29 - 2015

Mbahen takimet e IX-ta të Forumeve Lokale në 7 komuna