Jan 30 - 2015

Më shumë se ndërhyrje emergjente: Mejtepi i Haxhi Ymerit

Trajtimi i Mejtepit (shkollës fetare) të Haxhi Ymerit në Gjakovë është realizuar në kuadër të Programit të intervenimit emergjent kulturor, dhe është financuar nga Fondi për Kulturë dhe Zhvillim i Princit Klaus në bashkëpunim me Trashëgiminë Kulturore pa Kufi, zyrja në Kosovë.

mejtep final 04

Punët intervenuese kanë filluar me datën 1 tetor dhe kanë përfunduar në fillim të muajit dhjetor 2014. Ndërtesa është trajtuar në enterier dhe eksterier.

Tjegullat ekzistuese të kulmit janë zhvendosur, është bërë trajtimi i konstruksionit të drurit / trarët janë zëvendësuar me ato të reja aty ku ka qenë e domosdoshme; dërrasat e drurit; hidroizolimi dhe listellat e reja janë vendosur; vetëm 20% të tjegullave ekzistuese jane vendosur prapë në përdorim meqenëse shumica e tyre ishin të dëmtuara, tjegullat e reja të vendosura në kulm janë blerë nga një koleksionist i tjegullave. Elementet e reja nga druri janë ngjyrosur në ngjyrën e tyre origjinale.

mejtep final 05

Pjesët e dëmtuara të mureve të jashtme si dhe çarjet, janë trajtuar me llaç qerpiçi. Gjithashtu është bërë largimi i çimentos së përdorur në restaurimet e mëparshme dhe është bërë zëvendësimi i tij me llaç qerpiçi. Të gjitha muret janë suvatuar me llaç qerpiçi, llaç gëlqeror dhe në fund janë lyer me gëlqere. Oxhaku është rindërtuar tërësisht duke filluar nga baza e tij në katin përdhese e deri në nivelin më të lartë të kulmit. Muratimi është realizuar me tulla të reja nga qerpiçi dhe nga llaçi, bazuar në modelin autentik.

Gjate analizës së ndërtesës, është vërejtur prezenca e lagështisë nga toka. Duke u bazuar në këtë, është vendosur sistemi i gypave të drenazhimit për evitimin e lagështisë. Kanali i drenazhimit është gërmuar 80cm nën tokë deri në nivelin e themeleve. Themelet janë izoluar me hidroizolim dy komponentësh. Gypi plastik i drenazhimit i shpuar me vrima në tërë sipërfaqen është mbështjellë me gjeo-tekstil. Kanali i gërmuar është shtruar me dy fraksione të zhavorrit dhe mbi të janë shtruar pllaka të gurit natyral.

Përveç eksterierit, është trajtuar edhe enterieri i ndërtesës. Në katin e parë, janë larguar tapetat, çarjet në mure janë mbushur me llaç gëlqereje ku me të njëjtin material është bërë edhe suvatimi i mureve. Është bërë demolimi i  linoleumit në dysheme si dhe janë vendosur dërrasat e reja nga druri. Është bërë largimi i dërrasave të drurit nga tavani si dhe është bërë trajtimi i trarëve nga i njëjti material. Gjithashtu është bërë vendosja e pllakave nga gipsi në hapësirat ndërmjet trarëve të drurit. Të gjitha elementet nga druri janë pastruar dhe ngjyrosur. E njëjta gjë është aplikuar edhe në kornizat e dritareve. Gjithashtu është bërë edhe zëvendësimi i xhamave të thyera të dritareve.

mejtep final 02

Në përdhese, është bërë largimi i dyshemesë nga linoleumi dhe është zëvendësuar me dyshemenë e re të punuar në paternën e tullave ‘Rigov’. Dërrasat e kalbura nga druri gjithashtu janë larguar nga tavani dhe janë zbuluar trarët origjinal nga lënda e drurit. Është bërë pastrimi i trarëve ekzistuese dhe lyerja e tyre me preparat kundër insekteve. Shtylla e dëmtuar e drurit është zëvendësuar me shtyllën e re nga druri i gështenjës. Çarjet ekzistuese janë mbushur me llaç gëlqereje sikur edhe të gjitha muret e tjera dhe përfundimisht janë larë në gëlqere. Është bërë edhe vendosja e instalimeve të reja të ujit, kanalizimit dhe elektrikës në tualet. Muret dhe dyshemeja e WC-së janë mbështjellë me hidroizolim dhe mbuluar me pllaka të reja të qeramikës. Gjithashtu është kryer edhe instalimi i elementeve tjera të sanitarisë (lavamani, wc guaca dhe elementet e tjera ) në WC. Rindërtimi i shkallëve dhe gardhit të tyre është realizuar nga materiali i drurit. Së fundi, ndërtesës i është shtuar sistemi i ri i instalimeve elektrike duke përfshirë këtu ndërprerësit, prizat, ora e rrymës, prizat e rrymës për llamba dhe çelësat e sigurisë.

mejtep final 03

Mejtepi i Haxhi Ymerit ka qenë gjithmonë në shërbim të shoqërisë, duke ngritur nivelin e diturisë sikur në religjion gjithashtu edhe në lëmi tjera. Gjithashtu ka shërbyer si vendtakim për njerëzit pa dallim moshe apo gjinie. Sot, ndërtesa e mejtepit mund të shfrytëzohet përsëri nga Komuniteti Islam.

mejtep final 01


Postimi i kaluar


Jan 30 - 2015

Grant i ri për pjesëmarrjen aktive të publikut në planifikim


Postimi i rradhës


Jan 30 - 2015

Tradita e humorit në Gjakovë prezantohet përmes KomediaFest