Aug 21 - 2015
Në fund të korrikut të këtij viti kanë përfunduar punët e intervenimit emergjent në dy monumente të trashëgimisë kulturore që gjenden në Komunën e Gjakovës. Kulla e Hysen Hajdarit dhe shtëpia e Rexhep Qarrit tanimë janë në shërbim të pronarëve të tyre.
Kulla e Hysen Hajdarit në fshatin Nivokaz është ndërtesë historike e mbrojtur sipas Listës së përkohshme të Trashëgimisë Kulturore të MKRS (nr. 003496). Fshati Nivokaz dikur njihej si fshat i kullave pasi që kishte dhjetëra të tilla të cila fatkeqësisht janë shkatërruar në luftën e fundit në Kosovë. Kulla e Hysen Hajdarit është prej kullave të pakta të cilat kanë shpëtuar dhe sa i përket tipologjisë i takon grupit të kullave me dyshekllëk të gurit. Mendohet të jetë ndërtuar në fillim të shek. XIX dhe që nga koha e ndërtimit ka pasur funksion banimi deri në vitin 1999 kur edhe është braktisur nga familjarët për tu zhvendosur në shtëpinë e re të ndërtuar në oborrin e kullës. Që atëherë kulla ka mbetur e pabanuar dhe pa përkujdesje.
Intervenimet e kryera në këtë ndërtesë përfshijnë: pastrimin e lokacionit brenda dhe jashtë nga mbeturinat dhe kolonizimi biologjik; trajtimin e qarjeve në fasada me llaç gëlqeror; largimin e strukturës sekondare dhe pjesërisht asaj primare të kulmit; punimin e strukturës së re të kulmit duke i ri shfrytëzuar trarët e padëmtuar të kulmit dhe duke e plotësuar strukturën e re me trarë-mahi të rinj nga druri bre të ngjashëm me ata ekzistues; vendosjen e hidroizolimit të ri në kulm; mbulimin e kulmit me tjegulla “Tondach mediteran plus”; rrethimin e oxhakut me llamarinë të plastifikuar; trajtimin e fugave të dëmtuara; dhe vendosjen e shtresës së zhavorrit 30 mm në përdhese.
Shtëpia e Rexhep Qarrit në qytetin e Gjakovës është ndërtesë historike e mbrojtur sipas Listës së përkohshme të Trashëgimisë Kulturore të MKRS (nr. 000845). Shtëpia e ndërtuar në shek. XIX i përket njërës prej familjeve të njohura në qytetin e Gjakovës (Qarri), familje e njohur jo vetëm për vlerat e saj kulturore e patriotike por dhe zejtare (zdrukthtari). Shtëpia i takon grupit të shtëpive me çardak, me dhomën e mysafirëve me tavan të dekoruar dhe qymlekllëkun (oxhak për ngrohjen e ujit të hamamgjikut) që spikaten si elemente origjinale të cilat i hasim në një numër të caktuar të shtëpive të vjetra tradicionale në Gjakovë.
Intervenimet e kryera në këtë ndërtesë përfshijnë: largimin e të gjitha tjegullave të vjetra dhe shtresave nën tjegulla; largimin e gjithë strukturës sekondare dhe pjesërisht asaj primare të kulmit; punimin e strukturës së re të kulmit duke i vendosur trarët e rinj 10×12 nga druri bre dhe duke e përforcuar strukturën primare me trarë-mahi të rinj nga druri bre të ngjashëm me ata ekzistues; punimi i shtresës së re hidroizoluese në kulm; mbulimi i kulmit me tjegulla “Tondach mediteran plus” të ngjashme me ato ekzistuese; rrethimi i oxhaqeve me llamarinë të plastifikuar, dhe vendosja e ulluqeve nga llamarina e plastifikuar përreth kulmit; trajtimi i qarjeve në fasada me llaç gëlqeror dhe lyerja e fasadës lindore (ballore) dhe jugore (nga rruga) me ngjyrë të bardhë.
Këto projekte janë pjesë e prioriteteve të Planit Lokal të Trashëgimisë Kulturore të kësaj komune. Ky plan është hartuar nga CHwB, Komuna e Gjakovës dhe institucione tjera të nivelit qendror në kuadër të Programit të Planeve Lokale të Trashëgimisë Kulturore dhe bashkë-financohet nga shteti Suedez, përmes CHwB-së dhe Komunës së Gjakovës.