Jul 14 - 2015
Gjatë muajve të pranverës dhe verës së këtij viti, kanë përfunduar punët restauruese në tyrben e Selim Dedës në fshatin Restelicë, mullirin e fshatit Leshtan dhe shtëpinë tradicionale të Ismajl Abazit në fshatin Bresanë. Këto ndërtesa tanimë do të jenë në shërbim të pronarëve dhe komuniteteve të ndryshme të Komunës së Dragashit.
Tyrbja e Selim Dedës në Restelicë besohet se është ndërtuar për ta nderuar njërin prej heronjve të këtij fshati, Selim dedo (gjyshi Selim), luftëtar i Betejës së Kosovës së vitit 1389. Ndërtesa është pjesë e Listës së përkohshme të Trashëgimisë Kulturore të MKRS-së dhe paraqet një prej monumenteve të rralla e këtij lloji të mbetur në vendin tonë. Edhe pse ka mungesë të konsiderueshme të të dhënave rreth kësaj ndërtese respekti dhe kujtesa që banorët kanë për këtë ndërtesë është mjaft i lartë. Intervenimet e kryera në këtë objekt përfshijnë: rindërtimi i konstruksionit të kulmit duke ri-shfrytëzuar trarët e padëmtuar të kulmit dhe duke e plotësuar strukturën me trarë të rinj; vendosja e hidroizolimit dhe rivendosja e rrasave të gurit në kulm; risuvatimi i pjesëve të dëmtuara të mureve të brendshme; trajtimi i të gjitha dritareve në ndërtesë dhe riparimi i derës ekzistuese metalike duke bërë pastrimin nga ngjyra ekzistuese dhe lyerjen me ngjyrë të njëjtë.
Mulliri i fshatit Leshtan edhe pse pa status ligjor të mbrojtur, është mulliri i vetëm funksional në këtë fshat i cili i ka mbijetuar shkatërrimit nga faktori kohë. Sipas intervistave të bëra me pronarët, mulliri është e ndërtuar diku në fund të shek. XIX. Intervenimet e kryera në këtë ndërtesë përfshijnë: rindërtimi i konstruksionit të kulmit duke ri-shfrytëzuar trarët e padëmtuar të kulmit dhe duke e plotësuar strukturën me trarë të rinj; vendosja e hidroizolimit dhe vendosja e tjegullave të reja në vend të mbulesës me llamarinë; muratimi i murit të dëmtuar nga ana jugore me gur dhe me llaç gëlqeror; rrethimi i oxhakut me llamarinë të plastifikuar, risuvatimi dhe lyerja e mureve të jashtme.
Shtëpia tradicionale e Ismajl Abazit në Bresanë është ndërtuar në fund të shekullit XIX. Veçori kryesore e shtëpisë është autenciteti i saj, me theks të veçantë drugdhendja e pasur e dollapëve dhe tavaneve në enterier. Kjo shtëpi, deri para disa viteve është shfrytëzuar për banim nga familja, përderisa tash vonë përdoret vetëm si kuzhinë verore. Intervenimet e kryera në këtë ndërtesë janë: rindërtimi i konstruksionit të kulmit duke ri-shfrytëzuar trarët e padëmtuar të kulmit dhe duke e plotësuar strukturën me trarë të rinj; vendosja e hidroizolimit dhe rivendosja e rrasave të gurit në kulm; trajtimi i qarjeve dhe suvasë së dëmtuar të sipërfaqes së brendshme dhe të jashtme të mureve; trajtimi i konstruksionit meskatësh dhe dyshemeve sipas nevojës; trajtimi i të gjitha dritareve ekzistuese, ku është bërë lyerja dhe pastrimi i tyre me ngjyrën bazë të drurit si dhe vendosja e qelqit në të gjitha pozicionet e duhura; risuvatimi dhe gëlqerosja e mureve të jashtme.
Këto projekte janë pjesë e prioriteteve të Planit Lokal të Trashëgimisë Kulturore të kësaj komune. Ky plan është hartuar nga CHwB, Komuna e Dragashit dhe institucione tjera të nivelit qendror në kuadër të Programit të Planeve Lokale të Trashëgimisë Kulturore dhe bashkë-financohet nga shteti Suedez, përmes CHwB-së dhe Komunës së Dragashit.