Apr 15 - 2015

Së shpejti fillojnë punët në Kalanë e Kaçanikut

Në fillim të muajit prill, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka lëshuar lejen për fillimin e punimeve për projektin e konservimit dhe revitalizimit të pjesshëm të Kalasë së qytetit të Kaçanikut.

Në gjysmën e dytë të viti 2014, zyra CHwB në Kosovë ka kryer hulumtimin, incizimin, dokumentimin dhe planin e konservimit dhe revitalizimit të kësaj kalaje. Ky plan ka përcaktuar punët prioritare emergjente dhe ato që mund të trajtohen në faza të mëtutjeshme.

Projekti i konservimit dhe revitalizimit të pjesshëm të kësaj kalaje që do të zbatohet gjatë vitit 2015 do të trajtojë punët prioritare që kanë nevojë për trajtim të menjëhershëm si: pastrimi nga kolonizimi biologjik, konservimi i strukturës së mureve të Kalasë, trajtimi i fugave me llaç gëlqeror, trajtimi i shtigjeve për këmbësorë, montimi i rrethojës mbrojtëse dhe derës kryesore, dizajnimi dhe montimi i tabelave interpretuese dhe të shenjëzimit si dhe trajtimi i ndriçimit brenda dhe jashtë lokalitetit arkeologjik.

Kacanik start 01

Kalaja e Kaçanikut daton nga shek. XVI dhe gjendet në qendrën e qytetit të Kaçanikut, në bregun perëndimor të lumit Lepenc. Sipas dokumenteve të shkruara, Kalaja e Kaçanikut është ndërtuar me urdhrin e bërë më 1582 nga Sulltan Murati II, nga ana e Koxha Sinan Pashës. Kështjella filloi të ndërtohej më 1586 dhe përfundon më 1590. Sot nga Kalaja e Kaçanikut kanë mbetur vetëm dy mure, njëri në perëndim dhe tjetri në veri, së bashku me portën hyrëse dhe kullën cilindrike që ndodhet në anën e djathtë të portës. Muri jugor që përshkonte rrjedhën e lumit Lepenc dhe muri lindor janë rrënuar gjatë kohës. Nga 40-50 shtëpitë për ushtarë që kanë ekzistuar dikur në oborrin e kalasë, sot nuk gjendet asnjë. Muret e kalasë kanë një gjerësi prej 1.60 metrash. Si material ndërtimi, mjeshtrit e kohës, kanë përdorur gurin, ndërsa për material lidhës kanë përdorë llaçin gëlqeror. Veç tyre, janë përdorë edhe tullat, por kryesisht për dekorim. Ato i hasim mbi portën e vetme hyrëse në kala. Porta me hark ndahet nga muri me një punim frizi si nga ana e jashtme, si nga ana e brendshme. Në të dy anët, rreshti i parë ka 22 tulla, ndërsa i dyti ka 23 tulla. Tullat kanë ndërmjet tyre nga një gur të latuar. Gjithashtu, frizi përfundon me tulla të vendosura njëra pas tjetrës për kufizimin me murin mbi të. Një punim dekorues ndodhet edhe në derën hyrëse të kullës cilindrike. Edhe tek ajo pjesë na paraqiten tullat që formojnë harkun me dy rreshta, por kësaj here të vendosura njëra pas tjetrës, dhe patjetër një ndarje me murin mbi të e bëjnë një radhë tjetër tullash që janë të vendosura horizontalisht mbi dy radhët e mësipërme. Tek porta hyrëse dhe dera e kullës cilindrike, dekorimi është realizuar në tërë thellësinë e murit, pra nuk bëhet fjalë për dekorim vetëm anësor. Gjatë viteve ‘60-‘70 të shek. XX në brendi të kalasë është ndërtuar një objekt hotelerie, që ka ndikuar negativisht në ruajtjen e origjinalitetit të kalasë. Kjo kala paraqet një lokalitet me rëndësi të madhe kulturore, historike, shkencore dhe shoqërore. Në mënyrë që të ruhen këto vlera, Kalaja e Kaçanikut ka nevojë për ndërhyrje konservuese dhe restauruese (burimi: Databaza e trashëgimisë kulturore të Kosovës – http://dtk.rks-gov.net).

Kacanik start 02K 6   Kacanik start 03

Fotot: Databaza e trashëgimisë kulturore të Kosovës – http://dtk.rks-gov.net

Projekti i konservimit dhe revitalizimit të pjesshëm të Kalasë së qytetit është prioriteti i parë i Planit Lokal të Trashëgimisë Kulturore të Kaçanikut. Ky plan është hartuar nga CHwB, Komuna e Kaçanikut dhe institucione tjera të nivelit qendror në kuadër të Programit të Planeve Lokale të Trashëgimisë Kulturore 2012-2015.


Postimi i kaluar


Apr 15 - 2015

Nxënësit e Parteshit njihen me trashëgiminë e Kosovës


Postimi i rradhës


Apr 30 - 2015

Trashëgimia Kulturore pa Kufij feston 20 vjetorin