May 07 - 2019

THIRRJE PËR PROJEKTE – HERITAGE SPACE IV

Edicioni i katërt i Heritage Space fton të gjithë të interesuarit të aplikojnë me idetë e tyre kreative, përmes të cilave do të ruajnë, promovojnë dhe rijetësojnë trashëgiminë kulturore.

Poster-Final

Heritage Space përcepton trashëgiminë kulturore si të gjallë, dinamike dhe të aftë për ta ndikuar dhe për të ndikuar. Si një platformë, ajo ofron hapësirë për të gjithë njerëzit kreativ që të përdorin trashëgiminë kulturore si një burim frymëzimi për të zhvilluar produkte të reja duke përdorur mediumet dhe disiplinat e ndryshme kulturore.

Heritage Space do të mundësojë që trashëgimia kulturore të lidhet me njerëzit dhe të bëhet pjesë e jetës së tyre bashkëkohore, si dhe të mbetet si një burim i pazëvendësueshëm për zhvillimin kulturor, social dhe ekonomik në Kosovë.

Edicioni i këtij viti synon të prezantojë projekte që përdorin trashëgiminë si një burim të pashterrshëm frymëzimi për një shoqëri më të hapur dhe gjithëpërfshirëse, duke promovuar identitetin tonë kolektiv.

Projekti Heritage Space zbatohet nga CHwB Kosova. Veprimtaria e projektit financohet bashkërisht me projektin“Dialogu Ndër-komunitar përmes Ruajtjes Gjithpërfshirëse të Trashëgimisë Kulturore” implementuar nga UNDP dhe financuar nga Bashkimi Evropian, si dhe Qeverisë Suedeze.

Edicioni i këtij viti do të mbështesë idetë që ndërthurin trashëgiminë kulturore me:

  • Rrëfim dhe Interpretim
  • Artizanate
  • Trashëgiminë dixhitale

Për më shumë informacion në lidhje me fushat e mbështetura dhe mentorët e edicionit të katërt të Heritage Space lexoni: Fushat kreative të aplikimit!

Për më shumë informacion në lidhje me mënyrën e aplikimit, lexoni Udhëzuesin për Aplikim dhe plotësoni Formularin për Aplikim!

Formulari i aplikimit, së bashku me dokumentet tjera të kërkuara, mund të dorëzohen jo më vonë se data 31 maj 2019 (ora 23:59) në e-mail adresën: [email protected]. Titulli i aplikimit përmes emailit duhet të jetë: “Aplikimi për Heritage Space 2019 (Emri dhe mbiemri juaj)”. 

Për çdo informacion shtesë në lidhje me Heritage Space IV, ju lutemi na kontaktoni në [email protected] ose në numrin e telefonit: +38344665472 / +381 (0) 38 754 866.

Çfarë është Heritage Space?

Përgjatë tre viteve të projektit, platforma Heritage Space është implementuar dhe ka përkrahur 21 njerëz kreativ nga fusha të ndryshme derisa ata përdornin shkëndijat e tyre për të hedhur dritë të re mbi krijimet e së kaluarës. Punët janë krijuar përmes përdorimit të mediumeve të ndryshme të teknologjisë, modës, muzikës, tregimeve, videos dhe revitalizimit, duke ofruar mundësi që trashëgimia kulturore të shikohet përmes një qasjeje të re dhe bashkëkohore. Kjo platformë u mundëson krijuesve të fushave të ndryshme kreative të përdorin trashëgiminë kulturore si burim frymëzimi për krijimin e veprave të reja përmes së cilave trashëgimia kulturore do t’i kapërcejë kufijtë e kohës në mënyrë që të ri-zbulohet, promovohet dhe ri-jetësohet. Heritage Space konsideron se manifestimet kreative të së kaluarës, qofshin ato të prekshme apo të paprekshme, mund të shërbejnë si bazë për identitet dhe kohezion shoqëror dhe të jenë burime të pashtershme frymëzimi për krijime të reja njëkohësisht, duke e mundësuar një shoqëri më të hapur dhe më gjithëpërfshirëse. Kjo platformë krijon lidhje të reja në mes të krijuesve dhe shoqërisë me trashëgiminë, duke e ngritur atë në statusin e një fontane të pazëvendësueshme për zhvillim ekonomik social dhe kulturor në Kosovë.


Postimi i kaluar


May 07 - 2019

18 Prill – Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Lokaliteteve


Postimi i rradhës


May 07 - 2019

FUSHAT KREATIVE PËR APLIKIM- HERITAGE SPACE IV