Apr 28 - 2014
Komunat e Kosovës sot po ballafaqohen me vështirësi të mëdha në shfrytëzimin e trashëgimisë kulturore për përfitimet e bashkësisë, përderisa rreziku i shkatërrimit të mëtutjeshëm i trashëgimisë kulturore mbetet i lartë. Shkaku shpjegues i kësaj situate, e cila tanimë është vëzhguar, është niveli i pamjaftueshëm i dialogut në mes të komunave dhe institucioneve qendrore, si dhe në mes të institucioneve dhe bashkësisë.
Planet Lokale tëTrashëgimisë Kulturore
Më 1 Tetor të vitit 2012 u nënshkrua Memorandumi mbi Mirëkuptim për Programin “Planet Lokale tëTrashëgimisë Kulturore 2012-2015” (PLTK) në mes të Trashëgimisë Kulturore pa Kufij (CHwB) dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Komunave të Dragashit, Gjakovës, Gjilanit, Kaçanikut, Parteshit, Rahovecit dhe Vushtrrisë. Ky Program do të kontribuoj në fuqizimin e rrolit të komunave, OJQ-ve dhe bashkësive në ringjalljen e trashëgimisë kulturore lokale dhe natyrore dhe shfrytëzimit të qëndrueshëm të tyre për qëllime të zhvillimit ekonomik lokal në të 7 komunat. Një shtytës i rëndësishëm në arritjen e këtyre qëllimeve është edhe bashkëpunimi me institucionet qendrore siç janë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, UN- HABITAT, Qendra Rajonale e Mjedisit (REC), etj.
Tre qëllimet kryesore të Programit:
1. Mbrojtja dhe ruajtja e trashëgimisë kulturore dhe natyrore
2. Integrimi i trashëgimisë kulturore dhe natyrore në jetën bashkëkohore dhe zhvillimit lokal me anë të trashëgimisë kulturore dhe natyrore
3. Edukimi, trajnimet dhe ngritja e vetëdijes mbi trashëgiminë kulturore dhe natyrore
Forumet Lokale të Trashëgimisë Kulturore
Me anë të Forumeve Lokale të Trashëgimisë Kulturore CHwB ka miratuar një qasje të re për mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore dhe natyrore. Këto plane do të identifikojnë asetet e trashëgimisë kulturore dhe natyrore që do të përdoren si bazë për zhvillim ekonomik dhe shoqëror të komunitetit. Për këtë qëllim në secilën komunë partnere janë themeluar Forumet Lokale të Trashëgimisë Kulturore (FLTK). Secili Forum përbëhet nga gjithsej 20 anëtarë, ku më shumë se gjysma e anëtarëve janë nga komunat përkatëse, përfaqësues të institucioneve qendrore, autoritetet lokale, organizatat ndërkombëtare dhe shoqëria civile.
Katër rolet kryesore të Forumeve janë:
1. Platforma komunikimi dhe koordinimi ndërinstitucional (2012-2015)
2. Trupa vendimmarës në hartim të planeve dhe vendosjen e prioriteteve (2012)
3. Trupa mbikëqyrës dhe përkrahës gjatë zbatimit të prioriteteve që dalin nga planet (2013-2015)
4. Partnerë implementues të disa nga prioriteteve që dalin nga planet (2013-2015)
Takimi i parë inaugurues i FLTK u mbajt në gjysmën e dytë të Tetorit të vitit 2012 në të gjitha shtatë komunat, ku anëtarët kanë mësuar mbi programin, qëllimet kryesore, metodologjitë dhe përgjegjësitë e të gjitha palëve të përfshira në proces. Një muaj më pas CHwB ka organizuar një vizitë studimore në Mbretërinë e Bashkuar për përfaqësuesit e dy ministrive dhe shtatë komunave që të mund të përjetojnë strategjitë e ndryshme të ruajtjes së trashëgimisë kulturore por edhe të mësojnë mbi praktikat më të mira.
Punëtori me 7 Forume u mbajtën gjatë periudhës Nëntor 2012 – Janar 2013 ku u ndërmorën hapat e parë drejtë përpilimit të planit. Gjatë këtyre punëtorive pjesëmarrësit analizuan gjendjen ekzistuese të trashëgimisë kulturore komunale, kanë identifikuar nevojat e secilës komunë me anë të debatit frytdhënës dhe diskutimeve. Në fund anëtarët i grupuan projektet dhe aktivitetet në tri qëllime kryesore të programit. Të gjithë anëtarët e Forumeve nga Komunat partnere morën pjesë në një vizitë të shkurtër studimore në regjion: në Shkodër (Shqipëri), Ohër (Maqedoni), Tiranë (Shqipëri) dhe Kotor (Mali i Zi). Punëtoritë dhe takimet rezultuan me gjithsej 190 ide për projekte. Këto projekte ishin të hapura për konsultime me publikun gjatë Majit 2013 në të gjithë shtatë Komunat që e pasuruan listën fillestare me 51 ide të reja për projekte, duke rezultuar kështu me 241 projekte në 7 komuna.
Në implementim të disa prioriteteve të dala nga këto plane, CHwB do të investoj në secilën komunë partnere të programit gjithsej 100.000 € brenda kësaj periudhe, ku bashkë me kontributin e secilës komunë në vlerë 20.000 €, kjo shumë do të mbërrijë në gjithsej 120.000 € investim për secilën komunë.
Përpos hartimit të planeve lokale për 7 komuna partnere (për shkarkim të tyre shih kategoninë: Informatat kryesore mbi projektin) janë implementuar 82 projekte prioritare të dala nga këto plane. Përmbledhjen e projekteve të implementuara mund ti shihni në kategoritë vijuese: