Restaurimi dhe konservimi i kishës Shën Shpëtimtari në Prizren

Aug 22 - 2010

Kisha gjendet në Prizren, në pjesën më piktoreske të lagjes Nënkalaja. I përket besimit ortodoks dhe është e ndërtuar kah fillimi I shek. XIV-të (kapella) dhe shek. XX-të (muret e kishës).

Foto: Databaza e trashëgimisë kulturore të Kosovës – http://dtk.rks-gov.net

Në vitin 2010 CHwB nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me “Patrimoine Sans Frontieres” dhe në qershor të vitit 2010 mori përsipër implementimin e punimeve restaurues dhe konservuese, duke u bazuar në programin restaurues. Procesi i restaurimit zgjati nga muaji qershor 2010 deri ne fillim të muajit shtator 2010. Ky projekt është menaxhuar nga UNESCO, gjegjësisht financuar nga qeveritë franceze dhe gjermane gjatë konferencës së donatorëve për Kosovën, të mbajtur në Paris të vitit 2005.

Punët të cilat janë kryer në objekt janë të karakterit konservues, gjithmonë duke u mbështetur në teknikat tradicionale të përpunimit. Në kapellë janë trajtuar muret e jashtme prej tullave; është realizuar konstruksioni i drurit në brendi, ndërsa kulmi prej plumbi është kontrolluar dhe në disa pjesë janë kryer edhe riparime të vogla. Në pjesën e kishës, muret permietrike janë pastruar nga llaçi i  çimentos dhe janë trajtuar me llaç gëlqeror, disa pjesë të dëmtuara janë plotësuar me material dhe teknikë të ngjashme të strukturës së ndërtuar ndërsa tjegullat tradicionale mbi këto mure, të cilat në masë të madhe kanë, munguar janë zëvendësuar me të reja, me qëllim të mbrojtjes së mureve nga reshjet atmosferike.