Aug 22 - 2010
Shpesh i referuar si Kryeqyteti Kulturor i Kosovës, Prizreni është njëri prej qyteteve më të pasura me trashëgimi kulturore në Kosovë. Mozaiku i pasur kulturor, me ndërtime të vjetra, xhamitë, kishat, teqet, shtëpitë tradicionale, lokalitetet arkeologjike, si dhe me kulturën shpirtërore të shprehur në jetën shoqërore e fetare të banorëve, i japin kuptim traditës dhe mënyrës së jetesës në Prizren.
Krahas objekteve fetare të njohura, në Prizren gjenden edhe një numër i madh i shtëpive tradicionale, të ndërtuara në mes të shekujve 18-19, të cilët kanë vlerë të lartë reprezentative. Këto shtëpi na mundësojnë të kuptojmë shumë në lidhje me zhvillimin e funksionit, karakteristikat ndërtimore, arkitektonike dhe urbanistike, dhe mënyrën e jetesës në ato kohë. Një numër i tyre janë inventarizuar dhe dokumentuar, përderisa një numër i konsiderueshëm i tyre akoma pritet të dokumentohen.
Ky thesar i çmueshëm i Prizrenit, u vë në qendër të vëmendjes nëpërmjet projektit ‘Arkitektura tradicionale dhe metodat e dokumentimit’. Qëllimi i këtij projekti hulumtues dhe edukativ është ngritja e kapaciteteve të profesionistëve dhe studentëve që merren me studimin dhe dokumentimin e objekteve të trashëgimisë kulturore, duke i kontribuar procesit të dokumentimit dhe promovimit të këtyre vlerave.
Projekti u realizua nëpërmjet bashkëpunimit të suksesshëm ndërmjet CHwB-së, Institutit për Mbrojtje të Monumenteve në Prizren, Universitetit të Prishtinës – Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës – drejtimi Arkitekturë dhe Universitetit Ndërkombëtar Veror të Prishtinës.