May 31 - 2022

THIRRJE PËR APLIKIM: UPCYCLE CAMP

Ftojmë të gjithë ata që janë të interesuar për arkitekturën, ndërtimtarinë, trashëgiminë kulturore, artet apo fusha të tjera të ngjashme, të aplikojnë në “UPCYCLE CAMP”

 

DATAT: 13-24 qershor, 2022

 

UPCYCLE CAMP është një punëtori dy-javore e organizuar nga Manifesta 14 dhe e implementuar nga programi i Heritage Lab i Cultural Heritage without Borders (CHwB) Kosovo. Ky kamp ka për synim të krijojë mundësi për ata që studiojnë, praktikojnë dhe janë të interesuar për arkitekturën, trashëgiminë kulturore apo fusha në lidhje me to. Pjesëmarrësit do të mësojnë mbi metoda të dokumentimit, ruajtjes, rijetësimit dhe interpretimit të trashëgimisë kulturore mes punës praktike ‘hands on’, ligjëratave plotësuese dhe diskutimeve në grup.

Prej 13 deri më 24 qershor 2022, Manifesta 14 Prishtina në bashkëpunim me CHwB Kosovo organizojnë UPCYCLE CAMP me materialet e biblotekës “Hivzi Sulejmani”. Kjo bibliotekë daton që prej vitit 1940 dhe ka qenë e frekuentuar prej gjenerata lexuesish të cilët kanë shfletuar e lexuar rrëfimet në librat e këtij institucioni. Kujtimet e banorëve të Prishtinës janë të lidhura ngushtë me këtë bibliotekë.

Njëzet pjesëmarrësit e përzgjedhur do të mësojnë teknika mbi restaurimin dhe rifunksionalizimin e mobiljeve të vjetra, duke përdorur materiale nga biblioteka në mënyrë të re. Në vijim, krijimet e tyre do të mund të ripërdoren në Qendrën për Praktikë Rrëfyese, një institucion ndërdisiplinor i qëndrueshëm e që është njëkohësisht hapësirë e Manifesta 14  që do të hapet në ndërtesën e ish-bibliotekës “Hivzi Sulejmani”.

HERITAGE LAB është një aktivitet i zhvilluar "në vend", në mënyrë që problemet e një lokaliteti të trashëgimisë të inspektohen drejtpërdrejt dhe zgjidhjet për trajtimin, interpretimin dhe menaxhimin e tij të jepen në të njëjtën kohë.

 

PËRSHKRIM I SHKURTËR I HAPËSIRËS

Biblioteka “Hivzi Sulejmani” është një monument i trashëgimisë kulturore në Prishtinë. Kjo ndërtesë e veçantë është ndërtuar në vitin 1930 sipas projektit të arkitektit rus Sokolov. Ky monument kishte funksione të ndryshme, duke filluar nga ai rezidencial, pastaj hapësirë për Komitetin e Partisë Komuniste të Jugosllavisë për Kosovë, më vonë në 1948, u transformua në bibliotekë e cila mbeti e hapur deri para disa vtesh. Komuna e Prishtinës ka vendosur ta rivitalizojë këtë ndërtesë dhe t’ia caktojë Manifesta 14 Prishtinës, e cila do të kujdesen për rinovimin, konceptualizimin dhe funksionalizimin që do të shoqërojnë hapjen e hapësirës për publikun si pjesë e programit bienal në vitin 2022.

 

SI TË APLIKONI?

Ju lutemi, të na dërgoni CV-të tuaja jo më vonë se në datën 8 qershor 2022 në këtë adresë: [email protected]. Në subjekt të aplikimit përmes adresës elektronike, ju lutemi, të shkruani në subjekt: “Aplikim për UPCYCLE CAMP: (Emër Mbiemër)”.

Për informacione shtesë lidhur me këtë punëtori, ju lutemi, të na kontaktoni përmes telefonit në këtë numër: +383 (0)38 754 866 ose në email: [email protected].

SHPENZIMET

Projekti do të mbulojë të gjitha shpenzimet e punëtorisë.

* Akomodimi dhe transporti nuk janë të përfshira.

SHËNIM: Të gjithë pjesëmarrësit do të certifikohen në përfundim të punëtorisë.

 


Postimi i kaluar


May 31 - 2022

THIRRJE PËR APLIKIM: Restaurimi dhe Ripërdorimi i mobiljeve të vjetra në shtëpinë e Hivzi Sulejmanit


Postimi i rradhës


Sep 02 - 2022

THIRRJE PËR APLIKIM: Restaurimi i Xhamisë së Osman Efendisë në qytetin e artë dhe argjendë të Novobërdës