Mar 06 - 2019
KËRKOJMË RISHIKIM TË POZICIONIT NË DIALOG DHE PËRGJEGJËSI POLITIKE
10 nëntor 2015, Prishtinë
Dështimi i anëtarësimit në UNESCO është ndër goditjet më të fuqishme ndaj shtetësisë dhe integrimit ndërkombëtar të Kosovës. Ne, organizatat e shoqërisë civile dhe individët nënshkrues të kësaj deklarate besojmë që ky moment nuk guxon të kalohet pa përgjegjësi politike dhe rishikim të pozicionit dialogues të Kosovës. Ne mendojmë që ky është ndër dështimet më të mëdha diplomatike të shtetit të Kosovës nga shpallja e pavarësisë dhe si i tillë duhet të na shërbejë si moment reflektimi për ndryshime të rëndësishme politike dhe institucionale. Përmes kësaj deklarate ne kërkojmë: 1. Vendosjen e kushteve të domosdoshme ndaj Serbisë për të vazhduar dialogun, 2. Sigurimin e mundësive për dialog të barabartë nga ana e Bashkimit Evropian, 3. Dhëninen e përgjegjësisë institucionale për këtë dështim, dhe 4. Përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare ndaj trashëgimisë kulturore edhe pa qenë anëtare e UNESCO-s.
1.
Aplikimi për anëtarësim në UNESCO dëshmoi edhe një herë se Serbia nuk është e interesuar për fqinjësi të mirë. Për më keq, shteti serb ka udhëhequr një fushatë të egër, shpesh me tone raciste, kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO. Kjo sjellje e Serbisë është totalisht në kundërshtim me parimet e marrëveshjeve të dialogut të Brukselit dhe paraqet shkelje të njanshme të këtyre marrëveshjeve. Derisa Kosova po i zbaton obligimet e veta nga procesi dialogues, Serbia po i shkel të gjitha obigimet e dakorduara, duke e penguar aktivisht Kosovën në proceset e anëtarësimeve ndërkombëtare. Për këtë arsye, nga qeveria e Kosovës kërkojmë që të vendosë kushtet e domosdoshme që duhen plotësuar nga Serbia në mënyrë që të ketë vazhdim të dialogut. Vazhdimi i dialogut me Serbinë në kushtet aktuale do të jetë i papranueshëm për ne.
2.
Si ndërmjetëse të dialogut politik mes Kosovës dhe Beogradit, institucioneve të Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare të BE-së, të cilat kanë qenë lobuese kryesore për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO u bëjmë thirrje që të reflektojnë mbi votën refuzuese në UNESCO dhe angazhimin obstruksionist të Serbisë. Ne si shoqëri civile e Kosovës gjithmonë jemi angazhuar dhe kemi bërë thirrje për paqe dhe dialog mes dy vendeve. Por, veprimet e Serbisë në raport me bllokimin e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO janë në kundërshtim me këto vlera dhe parime. Për këtë arsye, nga institucionet e BE-së dhe shtetet anëtare kërkojmë që si ndërmjetëse të procesit të sigurohen për mundësi të barabarta dialogimi dhe zbatimi të marrëveshjeve. Në të kundërt, insistimi që i bëjnë shtetit të Kosovës që me çdo kusht të jetë në tavolinën e dialogut, edhe atëherë kur Serbia është totalisht jobashkëpunuese, është veprim i padrejtë dhe si i tillë do të jetë i papranueshëm edhe për shoqërinë civile të Kosovës.
3.
Të bindur se marrja e meritave në rastet e suksesit shkon krah për krah me dhënien e përgjegjësisë në rast të dështimit, kërkojmë përgjegjësi politike nga bartësit institucional të procesit të aplikimit për anëtarësim për dështimin e këtij procesi. Në të njëjtën kohë, kërkojmë nga qeveria që të analizojë gjithë rrjedhën e procesit të aplikimit për anëtarësim, dhe në kohën më të afërt të mundshme të publikojë një raport të detajuar mbi veprimet diplomatike dhe lobuese, përfshi personat e angazhuar, shpenzimet, mësimet e nxjerra nga ky dështim dhe rekomandimet për përgjegjësi institucionale nga përfaqësuesit diplomatik të shtetit e deri tek zyrtarët e tjerë që kanë qenë pjesë e këtij angazhimi.
4.
Njëra ndër segmentet e qeverisjes me sfida të theksuara në Kosovë është edhe trashëgimia kulturore. Lista e argumenteve të Kosovës nga sfera e trashëgimisë kulturore për anëtarësim në UNESCO duhet të pasurohet edhe më tutje. Pasi që mundësia e rradhës për anëtarësim është në vitin 2017, kërkojmë nga institucionet e shtetit që trashëgiminë kulturore të shpallin politikë të interesit nacional. Edhe pa qenë anëtare e UNESCO-s, asgjë nuk e ndal Kosovën që të avancojë sistemin e vet për mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore. Asnjë ditë nuk duhet humbur për t’i ndërmarrë disa nga veprimet qenësore që do ta rrisin potencialin e Kosovës për anëtarësim pas dy vitesh, përfshi: miratimin e njanshëm të konventave të UNESCO-s, shpalljen e pronave të trashëgimisë kulturore në mbrojtjte të përhershme, hartimin e planeve të menaxhimit për pronat e trashëgimisë kulturore, dialogun e brendshëm në Kosovë për monumentet e trashëgimisë ortodokse, trajtimin e ndërtimeve pa leje brenda zonave të mbrojtura të trashëgimisë dhe miratimin e ligjit të ri dhe strategjisë nacionale për trashëgiminë kulturore.
Nënshkruesit,
Advocacy Training and Resource Center
Alma
Alter Habitus
Anibar
Arnika
Artpolis
CIPOF – Childproof
Dokufest
EC Ma Ndryshe
ETEA
Fondacioni Kosovar i Arkutekturës
Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile
Friedrich Ebert Stiftung
Green Art Center Prishtina
Gruaja Hyjnore
Grupi i të Rinjve të Prishtinës
Grupi për Studime Juridike dhe Politike
Gjeomjedisi
Iniciativa Kosovare për Stabilitet
Iniciativa për Progres
Initiative for Kosova Community
Instituti Ballkanik i Politikave
Instituti Demokratik i Kosovës
Instituti GAP
Instituti i Prishtinës për Studime Politike
Instituti për Politika Zhvillimore
Konsumatori
Kosova Population Foundation
Kosovo 2.0
Lady
Lëvizja FOL
Little People of Kosova
Mitrovica Women Association for Human Rights
Mundësia
Network of Peace Movement
P.E.A.
PHH-West
Programi për të Drejtat Civile në Kosovë
Qemdra Kosovare për Bashkëpunim Ndërkombëtar
Qendr Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës
Qendra e Gruas Prehja
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë
Qendra Multimedia
Qendra për Arsim e Kosovës
Qendra për Kurajo Politike
Qendra për Politika dhe Avokim
Rrjeti i Edukatorëve Bashkëmoshatar
Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës
Syri i Vizionit
Trashëgimia Kulturore pa Kufij Kosovë
Women for Women International
Youth Association for Human Rights
Zana
7 Arte
Adriatik Kelmendi, gazetar
Alban Haliti, aktivist
Arbana Xharra, gazetare
Bujar Kadriu, aktivist
Imer Mushkolaj, opinionist
Kreshnik Basha, aktivist
Lumir Abdixhiku, aktivist
Valdete Idrizi, aktiviste
Veton Sylhani, aktivist