Sep 02 - 2014
Më 25 korrik, është nënshkruar marrëveshja në mës të Komunës së Gjilanit dhe Trashëgimisë Kulturore pa Kufij (zyra në Kosovë) për themelimin e Muzeut Rajonal të Gjilanit.
Nënshkrimin e kësaj marrëveshje e bëri kryetari i Komunës së Gjilanit z.Lutfi Haziri dhe drejtori i Trashëgimisë Kulturore pa Kufij për Kosovë, z.Sali Shoshi pikërisht në objektin Muze, i cili objekt deri vonë ka qenë selia e kryetarit. Dhënia e objektit të kryetarit të Komunës ka qenë premtim elektoral i z. Hazirit në zgjedhejt e vitit 2013 që është realizuar para pak javësh.
“Jam jashtëzakonisht i nderuar që në këtë ditë të korrikut përfundimisht e kemi formalizuar themelimin e Muzeut Rajonal të Gjilanit, njëra nga angazhimet e përbashkëta tonat dhe njëra nga mungesat e mëdha që qyteti i Gjilanit dhe regjioni ynë i ka, siç kemi thënë qytet pa Muze, pa kinema dhe qytet me mungesë të institucioneve kulturore. Falënderoj shumë Trashëgiminë Kulturore pa Kufij dhe z. Shoshi që është sot këtu me ekipin për mbështetjen që po e jep edhe Komunës së Gjilanit në agjendën e trashëgimisë kulturore në përgjithësi”, tha me këtë rast kryetari Lutfi Haziri. Ai ka thënë se do të mundohen që këtë muze ta bëjmë shtëpi, ku njerëzit, qytetarët, fëmijët, vizitorët, gjithkush që vjen në Gjilan, të bëhet emblemë identifikimi me Gjilanin, të vijnë ta vizitojnë dhe natyrisht me qenë njëra nga shtëpitë më të vizituara në komunën tonë.
Nga ana e tij, Sali Shoshi, drejtor i CHwB zyra në Kosovë, ka falënderuar kryetarin Haziri për bashkëpunimin e madh që ka treguar përgjatë këtyre muajve si kryetar i Gjilanit. “Sot jemi këtu në ceremoninë e themelimit të Muzeut. Fokusi i bashkëpunimit në Gjilan që sot është konkretizuar me marrëveshje do të jetë që të mblidhen eksponatet, të bëhet katalogimi i tyre, të bëhet interpretimi i tyre dhe të ndërtohen ekspozitat në muze, përpos kësaj të trajnohet stafi dhe muzeu i Gjilanit të bëhet pjesë i rrjetit të muzeve në Ballkan, ku do të përfitojnë përmes aktiviteteve që do të zhvillohen në gjithë Ballkanin, përmes trajnimeve të tematikave që lidhen me muze. Falënderoj shumë kryetarin për bashkëpunimin shumë të frytshëm që e kemi pasur gjatë kësaj periudhe, dhe falënderoj edhe Forumin Lokal të Trashëgimisë Kulturore të Gjilanit, për idetë, për propozimet e tyre, të cilat kanë filluar edhe të implementohen. Ky plan, përpos muzeut e ka edhe një listë të gjatë të veprimeve që duhet të ndërmerren për mbrojtjen dhe trajtimin e trashëgimisë kulturore”, ka deklaruar Shoshi. Ai poashtu shtoi se Gjilani ka eksponate, një kulturë e cila mund të mblidhet dhe mund të interpretohet, duke shpresuar që deri në fund të këtij viti ne do të dalin me ekspozitën e parë dhe me produktin e parë që do t’ua servojnë edhe turistëve, por edhe qytetarëve të Gjilanit.
Ky projekt është një nga prioritetet e Planit Lokal të Trashëgimisë Kulturore të Gjilanit, plan i cili është hartuar nga CHwB, Komuna e Gjilanit dhe institucione tjera të nivelit qendror. Ky plan është pjesë e Programit të Planeve Lokale të Trashëgimisë Kulturore në 7 komuna të ndryshme të Kosovës. Për më shumë informata rreth këtij programi klikoni këtu.